Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka premtuar se Sistemi Informativ Shëndetësor do të funksionalizohet deri në korrik, që është parakusht për zbatimin e sigurimit shëndetësor. Por, ndonëse në Qeveri u miratua Projektligji për këtë sigurim, ai nuk ka dhënë datë se kur mund të nisë zbatimi
Qeveria ka miratuar për herë të dytë Projektligjin për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor, pas rrëzimit të tij nga Gjykata Kushtetuese.
Ndonëse sigurimet kanë qenë premtim i Qeverisë Kurti që nga viti 2020, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se nuk e di se kur ligji do të nisë të zbatohet.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Datë të saktë për sigurime shëndetësore nuk mund të jap. Ne jemi, edhe vetë e thatë, për nja dhjetë vjet e më shumë, janë dhënë data shumë të sakta, 1 janari i vitit kaq, 1 janari i vitit kaq. Ne nuk bëjmë premtime boshe dhe çdo gjë që ne e bëjmë, e bëjmë me analizë të mirë”, ka thënë Vitia.
Funksionalizimi i Sistemit Informativ Shëndetësor është parakusht për fillimin e sigurimeve shëndetësore, por në praktikë digjitalizimi i sistemit është ende larg përfundimit.
Ministri Vitia premtoi se brenda pak muajsh ky sistem do të jetë i instaluar dhe funksional.
“Në 2024 kemi bërë analizën se ku mungon kjo infrastrukturë, shtrirja e rrjetit qeveritar dhe në 2025 kemi filluar me punën dhe jam shumë i lumtur se deri në korrik të këtij viti e gjithë infrastruktura sa i përket SISH do të shtrihet në secilin institucion shëndetësor”, është shprehur ministri i Shëndetësisë.
Projektligji parashikon përcaktimin e një pakete bazike shëndetësore, e cila parashihet të përditësohet çdo vit dhe do t’u ofrohet gjithë qytetarëve.
“Për të gjithë të punësuarit në sektorin publik dhe privat do të ekzistojë masa prej 3.5 për qind nga punëtori dhe 3.5 për qind nga punëdhënësi të cilët do të paguajnë si kontribute, si prime për mbushjen e fondit të Sigurimit të detyrueshëm shëndetësor... është blerja e barnave jashtë spitalore dhe në këtë ligj për dallim nga ligji paraprak është përcaktuar edhe kontraktimi me barnatore”, ka sqaruar Vitia.
E, kryeministri Albin Kurti tha se përmes këtij projektligji synohet forcimi i besimit të qytetarëve në sistemin publik.
“Ky projektligj krijon edhe një mekanizëm të drejtë solidariteti shoqëror, ku secili kontribuon sipas mundësisë dhe përfiton sipas nevojës, duke e bërë sistemin më gjithëpërfshirës dhe më të drejtë. Ai vendosë themelet për një financim të qëndrueshëm të shëndetësisë, i cili nuk varet nga rrethana të përkohshme, por garanton siguri afatgjatë për të gjithë qytetarët pa dallim”, ka thënë Kurti.
Një ligj për sigurimin shëndetësor është miratuar edhe në vitin 2014, por nuk ka gjetur zbatim praktik, pavarësisht premtimeve të çdo ministri të shëndetësisë.