Arbëri

Dyshime për abuzime milionëshe gjatë ndërtimit të Spitalit të Ferizajt

Spitali i Ferizajt do të duhej të përfundonte së shpejti, por kompania që ka fituar tenderin për këtë objekt është denoncuar në Prokurori Speciale nga Ministria e Shëndetësisë. Sipas kallëzimit penal, kjo kompani ka ofertuar me çmime abuzive, ndërsa pasi ka përfunduar vetëm punët e vrazhda ka kërkuar së paku edhe 5 milionë euro më shumë se që ka pasur ofertën për ta përfunduar objektin

Prishtinë, 12 dhjetor - Abuzime milionëshe, sipas pretendimeve të Ministrisë së Shëndetësisë, janë bërë nga kompania që ka kontratë për ndërtimin e objektit të Spitalit të Ferizajt.

I nisur më 2018, në objekt janë kryer vetëm punët e vrazhda. Më pas, kompania ka kërkuar rishqyrtim të projektit, e me këtë edhe miliona euro shtesë, por një gjë të tillë nuk e ka aprovuar Ministria e Shëndetësisë.

Ky institucion, për me tepër ka bërë kallëzim penal kundër pronarit të kompanisë “Arbëria”, Limon Jashari, me pretendimin se ka kryer veprën penale “mashtrim në prokurimin publik”.

Kallëzimi penal është dorëzuar në Prokurorinë Speciale, e nga ky institucion kanë konfirmuar që kanë pranuar një rast të tillë, i cili është në trajtim e sipër.

Në kallëzimin penal të siguruar nga KOHA, MSH-ja pretendon që kjo kompani ka fituar kontratën me çmimet manipuluese, në atë mënyrë që çmimet e punëve fillestare janë vendosur shumë më të larta se çmimet reale në treg, ndërsa punët finale janë nën çmimin e tregut. Kompania, sipas MSH-së, i ka marrë paratë nga pozicionet me çmime të fryra, ndërsa kur është dashur t’i kryente ato që janë nën çmim të tregut ka kërkuar rishikim të projektit e 5 milionë euro shtesë.

Në kallëzim penal janë listuar disa shembuj të tillë.

“Operatori ekonomik në pozicionin ‘furnizimi me material, shtruarja dhe ngjeshja e materialit ranor, qakëll dhe zhavorr për rrugët provizore dhe objektet përcjellëse të kantierit, për t’u shfrytëzuar gjatë kohës së punimeve në objekt’ ka vendosur çmimin prej 153,450.00 eurosh. Ky pozicion vërehet qartë se është çmim jo normalisht i lartë dhe manipulativ, pasi që ky pozicion realizohet me 1 ekskavator, 1 greder dhe dy kamionë, si dhe një sasi e zhavorrit rreth 2000 m3. Vlera reale e këtij pozicioni është përafërsisht 16.000.00 deri në 20,000.00 euro, varësisht nga distanca e udhëtimit. I pandehuri në këtë rast ka buxhetuar 152.450.00 euro, vlerë kjo astronomike për këtë pozicion”, thuhet në këtë dokument që është deponuar në Prokurorinë e Shtetit.

MSH-ja pretendon që “çmime astronomike” ka edhe për disa pozicione të tjera fillestare.

“Ngjashëm i pandehuri ka vepruar edhe me çmimet e pozicionit tjetër në kontratë ‘furnizimi, transporti dhe shtrirja e zhavorrit kokërrmadh 0-60mm nën themelin pllakë të bodrumit në trashësi 50cm, si dhe ngjeshja e tij me makineri të rëndë Rullër 8T me vibrim për të kompaktësuar dhe konsoliduar zhavorrin dhe tokën nën themel’. Ngjeshja duhet të bëhet derisa të arrihet moduli i ngjeshjes 9000KN/m2 në këtë pozicion i cili në vlerë reale të tregut kushton 9 euro për m3, e operatori ekonomik ka ofertuar me 15.81 euro për një sasi prej 2800 m3”, është një tjetër pretendim i Ministrisë së Shëndetësisë.

Por, sipas kallëzimit penal, kompania ka ofertuar me çmime shumë më të lira se të tregut për pozicione finale, të cilat ende nuk i ka përfunduar e për të cilat tash po kërkon para shtesë.

Një nga shembujt që në kallëzim penal është përmendur është furnizimi me material dhe vendosja e pllakave të mermerit.

“Në këtë pozicion i pandehuri ka ofruar që t’i kryejë punët me 26.04 euro për m2. Vlera reale e tregut për këtë pozicion është 50 euro për m2. Në këtë kosto nuk janë llogaritur fare taksat apo profiti i kompanisë. Sasia totale e këtij pozicioni ishte 256 m2”, thuhet në kallëzimin penal.

Të tilla pretendime Ministria e Shëndetësisë ka për disa pozicione, të gjitha finale, që do të duhej të bëheshin në përfundim të projektit.

“Për dallim nga pozicionet fillestare, operatori ekonomik ka paraqitur pozicione me çmime më të ulëta sesa ato të tregut, në pozicionet finale të kryerjes së punëve. Për shembull, në pozicionin ‘furnizimi me material dhe vendosja e pllakave në dysheme të korridoreve me pllaka graniti artificial me dim.60x60x1cm. Pllakat të jenë të kualitetit të parë të palëmuara, rezistuese në rrëshqitje, joabsorbuese, rezistuese ndaj abrazionit, kemikaleve. Po ashtu, në çmim parashihen edhe ngjitësi i pllakave ARDUTIT X7G, si dhe këndoret skajore në mure po ashtu nga graniti me lartësi 10cm. Në korridore graniti të jetë me dy ngjyra. Pllakat të vendosen pa fuga. Ngjyra të përcaktohet nga arkitekti’”, thuhet në kallëzim penal.

Aty tutje sqarohet se cilat janë çmimet e tregut për këtë pozicion e sa është dallimi me ofertën e kompanisë që punët i ka lënë në gjysmë.

“I pandehuri ka ofruar çmim prej 18.60 euro për m2. Çmimi mesatar i këtij lloji të granitit është 45 euro për m2. Kur këtij pozicioni i shtohet edhe puna e dorës për montimin e tij, si dhe artikujt e tjerë shpenzues si ngjitësi, pa llogaritur profitin e kompanisë dhe taksat, vlera e këtij pozicioni minimalisht do të duhej të ishte 50 euro për m2 , përderisa i pandehuri përmes nënshkrimit të kontratës është zotuar se do ta kryejë këtë me 18.60 euro për m2. Sasia totale për këtë pozicion ishte 1.590 M2”, thuhet në dokumentin e siguruar nga KOHA.

Kjo kompani, sipas kallëzimit penal, pretendon që me 6 milionë më shumë se shuma kur është nënshkruar kontrata, ndërtimi i spitalit mund të përfundohet.

“Vlera totale e projektit fillestar ishte 10.235.587.10 euro. Kësaj kontrate përmes anekseve i ishin shtuar edhe rreth 1 milion euro të tjera për punë shtesë. Tani kërkon edhe mbi 5 milionë euro të tjera për përfundimin e projektit. Ky dallim ishte shumë i lartë dhe Ligji i prokurimit publik nuk lejon ndryshimin e kontratave në masë të tillë”, thuhet tutje në dokument.

KOHA ka provuar ta kontaktojë Ministrinë e Shëndetësisë dhe ministrin Rifat Latifi për të marrë përgjigje se si planifikohet të vazhdohet ky projekt, por nuk ka marrë përgjigje.

Nga kompania “Arbëria” është kontaktuar drejtori Bujar Jashari. Pasi e ka kuptuar se për çka është kontaktuar, ai ka thënë se do të përgjigjet nëpërmjet e-mailit, por një gjë të tillë nuk e ka bërë.

Në probleme të ngjashme, si në ndërtimin e këtij spitali, Ministria e Shëndetësisë po has vazhdimisht. Probleme pothuajse identike ky institucion ka edhe për përfundimin e punimeve të Klinikës Emergjente.