Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Vitia: Qeveria ka filluar me veprime konkrete për ndryshimin e gjendjes në shëndetësi

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se Qeveria e Kosovës ka filluar me veprime për ndryshimin e gjendjes në sektorin e shëndetësisë.

Këto komente ai i ka bërë në Kuvendin e Odës së Mjekëve të Kosovës (OMK), që është mbajtur të mërkurën në Prishtinë.

"Qeveria ka filluar me veprime të rëndësishme për ndryshimin e gjendjes në shëndetësi, duke filluar me miratimin e Ligjit për Pagat, ku mjekëve për herë të parë pas luftës, konsideroj se u jepet rëndësia që ata e kanë dhe pagesa më dinjitoze, për të vazhduar me investime në infrastrukturën shëndetësore", citohet të këtë thënë Vitia.

Sipas njoftimit të Ministrisë, me këtë rast ministri ka falënderuar mjekët për kontributin e dhënë në sistemin shëndetësor, siç thuhet, në mënyrë të veçantë në vitet e fundit gjatë ballafaqimit me pandeminë COVID-19.

“Ai tha se mbetet i hapur për bashkëpunim me Odën e Mjekëve me qëllim të avancimit të sistemit shëndetësor publik në vend”, thuhet në njoftim.

Nga ana e tij, kryetari i OMK-së, Pleurat Sejdiu, thuhet se ka falënderuar Vitinë për praninë në Kuvendin e Odës dhe ka shtuar se do të jenë aleat të Ministrisë së Shëndetësisë ngaqë, sipas tij, shëndeti publik është interes i përbashkët.