Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Vitia për bojkotimin e disa prej kryetarëve të komunave: Nuk është koha për ndasi

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka folur në konferencë për media edhe për bojkotimin e disa prej kryetarëve të komunave të Kosovës, që nuk shkuan sot në takim me kryeministrin Albin Kurti me kërkesë të Bordit të Asociacionit të Komunave të Kosovës.

Kjo erdhi pasi që në Komitetin për Koordinim e Vlerësimin e Situatës me COVID-19 nuk është përfshirë ndonjë përfaqësues i Asociacionit të Komunave të Kosovës.

Vitia ka thënë se do të ketë përditësim të komitetit në ditët në vijim dhe ka bërë thirrje që të mos ketë ndasi.

“Është situatë dinamike, vendimi është marrë të dielën, ne kemi formuar menjëherë Komitetin bazuar në Ligjin anti-COVID. Në këtë situatë dinamike që gjendemi, Komiteti do të përditësohet, e do të shtohen edhe anëtar tjerë pavarësisht gjitha rrethanave, në mënyrë që lufta jonë të jetë sa më e përbashkët. Kryetarët e komunave gjatë gjithë kohës me pandeminë kanë pasur rol vendimtar në përballjen me pandeminë. Janë konsultuar vazhdimisht për çdo vendimin e do të vazhdohet të konsultohen. U bëjë thirrje që ata të mos e bojkotojnë Qeverinë e kryeministrin Kurti. Është koha të jemi bashkë, të përfshihen të gjithë. Nuk është koha e ndasive në situatë të tillë emergjente me të cilën po përballet vendi ynë”, ka thënë Vitia në konferencë për media.