I ka nisur punimet në Paris Forumi i Paqes, pjesëmarrës në të cilin është kryeministri Albin Kurti. Në margjinat e këtij forumi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka përjashtuar mundësinë e takimit me kryeministrin e Kosovës, teksa ka komentuar edhe çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ka thënë se ky mekanizëm nuk do të formohet përderisa në krye të Kosovës është Albin Kurti
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është shprehur i bindur të premten se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të formohet përderisa kryeministër në Kosovë të jetë Albin Kurti.
Kryeministri Kurti e pati shprehur gatishmërinë e tij për ta nënshkruar draftstatutin e Asociacionit, që është propozuar nga emisarët euro-amerikanë, porse ka akuzuar presidentin serb për refuzim të nënshkrimit gjatë takimit të fundtetorit në Bruksel, që ka pasur me liderë të vendeve kryesore të BE-së.
E Vuçiqi i ka adresuar kritikë Kurtit për mungesën e vullnetit për përparim në dialog.
“Mendoj se e kanë të qartë ata në Perëndim që Kurti nuk dëshiron ta formojë Asociacionin e komunave serbe, se ai nuk dëshiron përparim në dialog dhe se gjithçka tjetër ishin marifete ballkanike që mund të funksionojnë një ose dy herë, por sigurisht jo në planin afatgjatë. Pra, do të jetë e rëndësishme për ne që të ruajmë jetën e serbëve në Kosovë për të ruajtur paqen, por nuk besoj se Asociacioni do të formohet ndonjëherë derisa Kurti të jetë në pushtet në Prishtinë”, ka thënë ai.
Këto komente presidenti serb i bëri në Paris, ku do të marrë pjesë bashkë me kryeministrin Kurti, në Forumin e Paqes.
Vuçiqi i ka hedhur poshtë raportimet për mundësinë e një takimi me kryeministrin e Kosovës në margjinat e këtij forumi.
Por, në Paris Kurti ka pasur takime me kryetarin e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Zheljko Komshiq, dhe anëtarin, Denis Beçiroviq. Aty ai e theksoi nevojën e zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të Procesit të Berlinit, përfshirë atë për lëvizjen e lirë me letërnjoftime.
“Tema qendrore të bisedës ishin Procesi i Berlinit, përkatësisht marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të tij dhe përfitimet e domosdoshmëria e zbatimit të plotë të tyre, mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve dhe zhvillimet në rajon. Theks të veçantë nga ana e kryeministrit Kurti iu dha nevojës për zbatimin e Marrëveshjes për lëvizjen e lirë me letërnjoftime të nënshkruar në Berlin në nëntor të vitit të kaluar, e cila ende nuk është ratifikuar nga Bosnjë- Hercegovina”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Në kuadër të Forumit të Paqes, që nisi të premten dhe do të zgjasë për dy ditë, Kurti të shtunën do të jetë folës në diskutimin me temën: “Krijimi i paqes dhe ndërtimi i një bote më të sigurt”.