Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se me procesin e votimit në veri u tregua se s'ka vullnet për t'i shkarkuar kryetarët aktualë, duke i bërë thirrje Bashkimit Evropian që t'i heqë masat sanksionuese sa më parë.
Kurti ka shkruar në Facebook të dielën se autoritetet e Beogradit kanë ushtruar presion ndaj qytetarëve serbë në veri, e sipas tij, "Serbia e ka parë që mund t'i mbledhë 20 për qind, por jo edhe 50 për qind".
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Qytetarët serbë në katër komunat në veri - Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq - sot patën mundësinë të shkarkojnë kryetarët aktual në një proces demokratik dhe të ligjshëm zgjedhor. Rezultatet e votimit të sotëm tregojnë që nuk ka vullnet për t’i shkarkuar kryetarët aktual. 20% të votave të mbledhura nga Lista Serbe për peticionin për të inicuar këtë proces, nuk rezultuan më shumë se aq. Serbia e ka parë që mund t’i mbledh 20% por jo edhe 50%. Qeveria e Republikës së Kosovës është ndjeshme ndaj rrethanave në katër komunat në veri të Kosovës, sidomos ndaj trysnisë së madhe të ushtruar nga autoritetet e Beogradit ndaj qytetarëve serbë të Kosovës në këto katër komuna”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, mundësia e shkarkimit të kryetarëve në komunat veriore dhe mbajtja e zgjedhjeve ishte kriter kyç për heqjen e masave. Ai ka ftuar kryetarin e Zveçanit, Ilir Peci dhe atë të Zubin-Potokut, Izmir Zeqirin, të shkojnë në objektet e komunave për të ushtruar detyrën.
“Mundësimi i shkarkimit të kryetarëve aktual dhe mbajtja e zgjedhjeve për shkarkim ishin kriter kyç për largimin e masave ndaj Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian. Këto masa të padrejta, pas votimit të sotëm, duhet larguar sa më parë. Ata që nuk i kanë dashur këta katër kryetarë komunash në veri, sonte, me keqardhje duhet t’ua urojnë atyre pozitat. E kryetarët e Zveçanit dhe Zubin Potokut, Ilir Peci dhe Izmir Zeqiri, bëjnë mirë që më në fund të shkojnë në zyret e tyre dhe ta ushtrojnë në mënyrë të papenguar detyrën në objektet zyrtare të komunave të Republikës së Kosovës”, ka shtuar kreu i ekzekutivit.
Ai ka potencuar se Qeveria është e ndjeshme ndaj rrethanave në katër komunat veriore.