Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti: Mbledhjet e dy qeverive nuk mund të zëvendësohen me takime të kryeministrave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar të paarsyeshëm vendimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për të anuluar mbledhjen e dy qeverive, të planifikuar për t’u mbajtur të mërkurën në Gjakovë. Ai ka deklaruar se mbledhjet e qeverive nuk mund të zëvendësohen me takime të kryeministrave, siç kërkoi Rama.

Kurti ka thënë se anulimi i mbledhjes nuk do të thotë asgjë për raportet Kosovë-Shqipëri.

“Kjo mbledhje është përgatitur muaj më parë dhe me kryeministrin Rama ne jemi në kontakt dhe takohem shpesh, por mbledhjet e dy qeverive janë diçka tjetër. Nuk mund të zëvendësohen mbledhjet e qeverive me takime të kryeministrave, për shkak se ne duhej të nënshkruanim 13 marrëveshje. I kemi 13 marrëveshje me tekst të dakorduar që po na presin në sirtar dhe konsideroj që mosnënshkrimi i tyre sot është gabim dhe çdo ditë që ato nuk janë të nënshkruara e nuk zbatohen është dëm për qytetarët tanë. Natyrisht kjo s’do të thotë asgjë sa i përket qëndrimit, sjelljeve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Jemi dy shtete, por jemi të të njëjtit komb dhe duhet të punojmë sa më shumë. Në funksion të kësaj ishte edhe mbledhja e qeverive, që për bindjen time është e paarsyeshme që nuk është mbajtur sot”, ka thënë Kurti në një deklaratë për gazetarët pasi dhuroi gjak në tendën e vendosur në sheshin “Nënë Tereza”.

Kurti ka thënë se të shtunën në organizimin për shënimin e 145-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, bashkë me liderët e Shqipërisë kanë folur për organizimin e mbledhjes të së mërkurës.

“Asnjë ministër s’ka pasur vërejtje për asnjërën prej marrëveshjeve. Gjithçka është dashur të shkojë si është më së miri, por ky anulim u bë nga Rama e anulimi i mbledhjes si duhet të quhet nuk më përket mua”, ka thënë Kurti.

https://www.koha.net/arberi/381534/te-ndare-nga-veriu-ne-gjakove/