Arbëri

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë s`pritet të mblidhen as këtë vit, shkak mospajtimet

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë s`pritet të mblidhen as këtë vit, shkak mospajtimet

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ai i Shqipërisë, Edi Rama, nuk pritet që në një të ardhme të afërt t’u prijnë mbledhjeve të përbashkëta të qeverive që udhëheqin.

Derisa nga Qeveria e Shqipërisë nuk u janë përgjigjur pyetjeve në lidhje me takimin e radhës, nga ajo në Kosovë thanë se nuk është caktuar ndonjë datë për mbledhje të përbashkët.

 “Ministritë e të dy vendeve vazhdojnë bashkëpunimin e rregullt në zbatimin e detyrave të përcaktuara nga marrëveshjet e mëparshme dhe diskutojnë rregullisht për të përparuar bashkëpunimin në proceset e ardhshme. Deri më tani, nuk është caktuar ndonjë kohë për mbledhjen e përbashkët”, ka deklaruar Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë.

Mbledhja e dy qeverive dështoi të mbahej në qershor të vitit të shkuar, pas anulimit të pjesëmarrjes nga kryeministri Rama, shkaku i dallimit në qëndrime me kryeministrin Kurti.

Ndonëse mbledhja nuk u mbajt, Kosova dhe Shqipëria në distancë nënshkruan dhjetëra marrëveshje, pjesa më e madhe e të cilave, sipas zëdhënësit të Qeverisë, Përparim Kryeziu, është zbatuar.

“Niveli i zbatimit të marrëveshjeve dypalëshe ndërmjet dy qeverive është dukshëm më i lartë se në të kaluarën, atëherë kur marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë janë kufizuar më shumë nga niveli i raporteve personale ndërmjet krerëve të qeverisë. Sot kemi më shumë shkëmbime tregtare sesa në të kaluarën. Shqipëria është partnerja jonë kryesore tregtare në rajon. Falë bashkëpunimit me Shqipërinë po organizojmë Lojërat Mesdhetare 2030. Jemi bërë pjesë e bursës shqiptare të energjisë elektrike ALPEX. Kemi më shumë vendkalime të veçanta ndërkufitare dhe procedura të lehtësuara të kalimit kufitar, falë nënshkrimit dhe zbatimit të protokollove kufitare. Mospajtimet tashmë të njohura në lidhje me politikat rajonale, përkatësisht Ballkanin e Hapur, nuk kanë paraqitur ndonjë pengesë në bashkëpunimin bilateral ndërministror e ndërqeveritar që në qendër ka të mirën e qytetarëve të dy vendeve. Kjo për ne është gjëja më e rëndësishme”, ka shtuar ai.

Analisti politik nga Shqipëria, Agim Baci, e ka vlerësuar shqetësuese mungesën e komunikimit mes dy liderëve.

Sipas tij, kryeministri Rama e kryeministri Kurti e kanë për obligim që të gjejnë një rrugëzgjidhje, derisa mbajtjen e mbledhjeve të dy qeverive e sheh të domosdoshme.

 “Kurti dhe Rama shkojnë dhe vijnë por Shqipëria dhe shqiptarët e Kosovës mbeten. Mendoj që z. Rama duhet të zbatojë Kushtetutën në lidhje me përgjegjësinë që ka në lidhje me të përfshirë medoemos në çdo marrëveshje dhe jo të shkoj në Bruksel apo Uashington dhe të tregoj ai se si është ideja për Kosovën dhe të shpërfill mendimin e Kurtit”, ka thënë Baci.

Kosova dhe Shqipëria kanë zhvilluar tetë mbledhje të përbashkëta. Me gjithë anulimin e mbledhjes së vitit të shkuar, ministritë përkatëse pak javë më pas nënshkruan 13 marrëveshje në fusha të ndryshme. Pos tyre, Kosova dhe Shqipëria kanë edhe 41 marrëveshjeve të nënshkruara nga mbledhjet paraprake.