Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Veteranët e UÇK-së thirrje protestuesve në Tiranë: Mos i keqpërdorni simbolet e UÇK-së për qëllime politike

OVL e UÇK-së

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë bërë thirrje që në protestat në Tiranë të mos përdoren simbolet e UÇK-së.

Në një reagim të publikuar nga kryetari i OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati, është thënë se po bëhet përpjekje e vazhdueshme për manipulim politik e instrumentalizim të simboleve të UÇK-së në protestat në Tiranë.

“Është e papranueshme dhe fyese për dinjitetin e luftës sonë që në emër të UÇK-së, të flasin dhe të paraqiten individë apo grupe që për vite me radhë kanë tentuar ta zbehin, ta devijojnë dhe t’ia ulin vlerën luftës sonë çlirimtare. OVL e UÇK-së rithekson me përgjegjësi të plotë se kauza e UÇK-së nuk është dhe nuk mund të jetë instrument i asnjë agjende politike të ditës apo i interesave të ngushta personale e partiake. OVL e UÇK-së u bën thirrje organizatorëve të protestës në Tiranë që ta garantojnë integritetin e protestës dhe të mos lejojnë asnjë përpjekje për manipulim, keqpërdorim apo vetëdeklarim të rremë në emër të ish-ushtarëve apo veteranëve të UÇK-së. UÇK-ja është pjesë e historisë së lirisë dhe sakrificës së popullit tonë dhe duhet trajtuar me respekt, jo për përfitime politike”, ka shkruar Gucati në Facebook.

Reagimi i Gucatit bëhet pas paraqitjes së Dritan Goxhajt që u prezantua si ish-pjesëtar i UÇK-së, e që në protestë kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Vetë Rama i është përgjigjur duke publikuar një video nëpërmjet të cilës Goxhajn e ka cilësuar “asgjë më shumë sesa një zëdhënës i interesave të Iranit”.

Protestat në Tiranë nisën pas kundërshtimeve ndaj projekteve të zhvillimit turistik në zonat e mbrojtura të Sazanit dhe Zvërnecit, por me kalimin e ditëve ato janë zgjeruar në kërkesa më të gjera për transparencë, llogaridhënie institucionale dhe kundërshtim të politikave të qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Edhe Gucati: Kjo protestë s’është politike, nuk do të lejojmë të përdhoset emri i komandantëve Arbëri Gucati: Kjo protestë s’është politike, nuk do të lejojmë të përdhoset emri i komandantëve

Rama ka thënë se në protestë po marrin pjesë edhe qytetarë të Kosovës e të Maqedonisë. Ai ka akuzuar Iranin për “sponsorizim të protestave”.

Në Tiranë po protestohet prej më shumë se tre javësh.