Arbëri

Vetëm një zjarr aktiv të dielën në Kosovë

Zjarri në Milefc të Prishtinës

Zjarri në Milefc të Prishtinës

Foto: Driton Paçarada

Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) ka njoftuar se situata me zjarret në Kosovë është përmirësuar ndjeshëm.

Pasditen e djeshme, siç thotë AME-ja, rreziku ishte më i madh, por falë reagimit të shpejtë të Njësive Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, mbështetjes së Agjencisë dhe reshjeve të shiut, numri i zjarreve është reduktuar dukshëm në 12 orët e fundit.

Aktualisht, i vetmi zjarr aktiv është në fshatin Trudë të Komunës së Prishtinës, ku ekipet zjarrfikëse ndodhen në terren dhe po punojnë për shuarjen e tij.

AME=ja u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër të dyshimtë tek autoritetet.

“Falënderojmë zjarrfikësit për përkushtimin e tyre të palodhshëm, Policinë e Kosovës dhe KFOR-in për mbështetjen, si dhe qytetarët për bashkëpunimin”, thuhet në njoftimin e Agjencisë.

Vetëm gjatë ditës së djeshme u regjistruan afro 30 vatra zjarri në tërë vendin.