Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) ka bërë të ditur të martën se vetëm 33,14% e zyrtarëve publikë i janë përgjigjur deri më tash obligimit ligjor për deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë.
“Në dhjetëditëshin e fundit të afatit për deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë, nga gjithsej 4.737 zyrtarë të lartë publikë, obligimit ligjor për deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë, deri sot i janë përgjigjur 1.581 (33.14%) zyrtarë publikë”, thuhet në një njoftim të AKK-së.
Drejtori i AKK-së, Yll Buleshkaj, u ka bërë thirrje zyrtarëve të lartë publikë që t’u përgjigjen obligimeve ligjore për deklarimin e pasurisë, në të kundërtën Agjencia kundër Korrupsionit, do të paraqesë kallëzim penal në pajtim me nenin 430 të Kodit Penal.
Deklarimi i rregullt vjetor i pasurisë ka filluar më 1 mars dhe të përfundojë më 31 mars 2022. Zyrtarët publikë deklarimin e pasurisë mund ta bëjnë nëpërmjet paraqitjes fizike në zyrën e AKK-së ose nëpërmjet email-adresës.
"Formularët e deklarimit të pasurisë të dërguar nëpërmjet emailit, duhet të jenë të nënshkruar dhe skanuar nga ana e subjekteve deklaruese", thuhet në njoftim.