Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Shyhrete Berishës i njihet e drejta e pronësisë së shtëpisë

Shyhrete Berisha

Gjykata e Apelit ia ka rikonfirmuar të martën të mbijetuarës së masakrës në Suharekë, Shyhrete Berisha, të drejtën pronësore në shtëpinë në të cilën ajo ka jetuar bashkë me bashkëshortin dhe me fëmijët e tyre, të cilët janë vrarë gjatë luftës.

Në aktvendim është theksuar se Apeli i ka refuzuar ankesat e palëve dhe e ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë të Gjykatës Themelore në Suharekë, duke ia njohur Berishës të drejtën e pronësisë mbi shtëpinë e saj.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ky vendim e ka gëzuar Berishën, e cila qysh nga paslufta ka luftuar për këtë të drejtë.

Avokati i saj, Miftar Qelaj, ka thënë se porsa e ka pranuar aktvendimin e Apelit, ai e ka njoftuar Berishën për lajmin.

Shyhrete Berisha që nga viti 2001 e ka kërkuar të drejtën e trashëgimisë mbi pronën e bashkëshortit të saj, i cili është vrarë gjatë luftës. Pas kthimit në Kosovë nga strehimi jashtë vendit, prindërit e bashkëshortit nuk ia kanë lejuar asaj qasjen në shtëpinë në të cilën ka jetuar dhe as të drejtën për ta trashëguar. Për këtë arsye ajo parti ngritur padi.

Në gusht të 2022-tës, dega në Suharekë e Gjykatës Themelore në Prizren pati vendosur që Berishës t’i njihet e drejta mbi gjysmën e shtëpisë. Në aktgjykimin, të cilin e ka në posedim KOHA, gjyqtari Shaban Zeqiri ka vendosur që asaj t’i njihet një e dyta e shtëpisë ose që bashkëpronarët, vëllezërit e bashkëshortit, ta kompensojnë në një shumë prej mbi 130 mijë eurosh.

Ky ka qenë vendimi i tretë për këtë rast i Gjykatës, si pasojë e kthimit në rigjykim. 

Më herët, më 2017, Themelorja në Prizren pati vendosur që Berishës t’i takojnë gjysma e shtëpisë, si dhe gjysma e dy ngastrave kadastrale. Por këto dy ngastra kadastrale, më pas i ka refuzuar gjykata, për ç’arsye avokati mbrojtës i saj ka paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit.

Kundër vendimit të gjykatës është shprehur edhe avokatja e Shpresa Berisha -Rexhepit, e cila e përfaqëson kunatin e Shyhretes, Xhelal Berisha. Ajo ka thënë se ligjërisht nuk ekziston bazë juridike për aprovim të kërkesë-padisë së Shyhretes lidhur me pronësinë.

E për stërzgjatjen e këtij procesi, Berisha pati thënë asokohe se e ka dëmtuar emocionalisht.

“Fillimisht ushtria dhe policia serbe m’i kanë vrarë fëmijët, burrin dhe të gjithë familjen. Për herë të dytë më kanë vrarë shpirtërisht shqiptarët, pra njerëzit që i kam respektuar, i kam njoftë dhe të cilët kanë dashtë që unë të mos jem gjallë, që të mos jetoj në pronën time dhe të fëmijëve të mi, që të zhdukem përgjithmonë... Për mua ka qenë jashtëzakonisht shumë e vështirë, nuk mundem ta përshkruaj se çfarë kam përjetuar gjatë këtyre viteve... siç thotë populli: ‘Njeri është më i fortë se guri... drejtësia vonon, por më në fund erdhi”, ka thënë Berisha në gusht të 2022-tës.