Arbëri

Vërshohen punimet në urën e re që lidh Mitrovicën

Niveli i rritur i ujit në lumin Ibër ka shkaktuar dëme në zonën ku janë duke u zhvilluar punimet për ndërtimin e urës së re, që lidh Mitrovicën. Kryeshefi ekzekutiv i Ndërmarrjes “Ibër-Lepenc”, Faruk Mujka, tha se ngritja e nivelit të ujit ka qenë pasojë e kushteve natyrore. E punëkryesi ka pretenduar se në këtë ngjarje ka pasur ndërhyrje të qëllimshme

Rritja e papritur e nivelit të ujit në lumin Ibër ka vërshuar në orët e para të së shtunës punishten, ku është duke u bërë ndërtimi i urës së re në Mitrovicë.

Diga që është lëshuar nga Liqeni i Ujmanit ka bërë që pjesa më e madhe e punishtes të përmbytet si dhe të dëmtohen edhe mjetet e punës.

Për këtë rast, punëkryesi i projektit, Jahir Nimani, ka pretenduar se është ndërhyrje e qëllimshme.

“Dëmi është i madh, se e kam thënë dhe po e them që është bë nga dora e njeriut, se uji është verifiku nga institucionet kompetente, përkatësisht policia, që kanë qenë në vendin e ngjarjes te Gazivoda, Ujmani, qysh e quajmë tash. Aty e kanë pranu ata që është dhanë urdhër prej Prishtine me e lëshu ujin”, ka thënë Nimani.

Ai ka kërkuar hetime të menjëhershme nga institucionet përkatëse, tek ka thënë se ka pasur marrëveshje paraprake që uji të mos lëshohet në sasi të mëdha.

“Ne kemi pasur një marrëveshje që ujin mos me lëshu pa paralajmërim edhe nëse lëshohet uji, me u lëshu me masë të vogël. Nëse, domethënë, arrihet niveli i ujit atje lart, te Ujmani, me lëshu me një masë të vogël, mos me na bë dëme neve, po paraprakisht me na njoftu edhe me atë masë të vogël që na mos me pasë vegla të punës që dëmtohen në punishten ku jemi sot”, ka thënë ai.

Nimani në fushatën e fundit elektorale është parë në mbështetje të kandidatit të PDK-së për kryetar të Mitrovicës, i cili është në garë me kandidatin e Vetëvendosjes, parti që në mandatin e fundit e ka pasur pushtetin qendror dhe që i ka fituar edhe zgjedhjet e fundit.

Por pretendimet e tij për ndërhyrje të qëllimshme i ka hedhur poshtë kryeshefi ekzekutiv i Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër Lepenc”, Faruk Mujka, i cili është eksponent i Vetëvendosjes.

Ai tha se vërshimi ka ndodhur shkaku i rritjes së nivelit të ujit në digën e Pridvoricës, pas reshjeve të shumta ditëve të fundit.

“Diku nga mesnata kemi pasë rrëshqitje të dheut në kanalin kryesor dhe për të evituar dëmet më të mëdha dhe më të afatgjate, na u ka dashtë që në mënyrë urgjente ujin ta transferojmë në shtratin e kanalit të Ibrit. Niveli i ngritur i ujit ka ardhë deri te vendpunishtja këtu dhe e ka bërë një dëm, nuk ka të bëjë më konstruksionin e urës”, ka thënë Mujka.

Në Polici kanë njoftuar se në këtë rast nuk ka elemente për vepër penale.

E si pasojë, në kompaninë rajonale të ujësjellësit “Mitrovica” njoftuan se gjatë ditës do të ketë zvogëlim të nivelit të ujit në kanalin kryesor Ibër-Lepenc, në atë që pritet të ndikojë edhe në furnizimin me ujë të pijshëm.

Ndërtimi i dy urave të reja mbi lumin Ibër, krahas asaj qendrore që e ndan Mitrovicën në jugun me shumicë shqiptare dhe në veriun e banuar kryesisht me serbë, është bërë pas një memorandumi të nënshkruar mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe dy komunave, asaj të Mitrovicës së Jugut dhe të Veriut.

Kostoja totale e ndërtimit të të dyja urave, njëra për automjete e tjetra për këmbësorë, është rreth 3 milionë euro.