Arbëri

Vërshimi i vendpunishtes së urës mbi Ibër, Policia thotë se s'ka elemente të veprës penale

uji

Policia i ka thënë KOHËS se “nuk ka elemente për vepër penale” sa i përket vërshimit të vendpunishtes ku po ndërtohet ura e re në Mitrovicë. Policia ka shtuar se pyetjet duhet t'i adresohen Ndërmarrjes Hidroekonomike "Ibër-Lepenc".

E nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” është lëshuar një njoftim mëngjesin e së shtunës për ulje të nivelit të ujit në kanalin kryesor "Ibër-Lepenc" dhe mungesë të ujit të pijshëm. 

“Ju njoftojmë se nga kompania ‘Ibër-Lepenc’ jemi informuar se gjatë ditës së sotme do të ketë zvoglim të nivelit të ujit në kanalin kryesor ‘Ibër-Lepenc’. Si pasojë e kësaj, Impiantet për Trajtimin e Ujit në Shipol dhe Balinc do të punojnë me kapacitet të reduktuar të prodhimit, gjë që mund të shkaktojë mungesë të ujit, veçanërisht në zonat e larta të qytetit dhe fshatrat përreth”, thuhet në njoftim.

Pjesa më e madhe e punishtes është përmbytur, ka raportuar RTK, pasi niveli i ujit është rritur në pjesë të konsiderueshme. Sipas raportimeve, është lëshuar diga nga liqeni i Ujmanit. Përveç punishtes, janë dëmtuar edhe mjetet e punës.

Punëkryesi i projektit, Jahir Nimani, ka pretenduar se kjo ishte ndërhyrje e qëllimshme, derisa ka kërkuar reagim e hetim urgjent nga institucionet e sigurisë, policisë e prokurorisë për të zbardhur rastin.

Por, nga Policia për KOHËN theksuan se nuk ka vepër penale sa i përket rastit. 

Mujka: Nuk është dora e njeriut shkaktare për vërshimin në vendpunishten tek ura mbi Ibër

1 o. më parë / 1 nën 2025 10:56
Mujka: Nuk është dora e njeriut shkaktare për vërshimin në vendpunishten tek ura mbi Ibër

Kryeshefi ekzekutiv i Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër-Lepenc”, Faruk Mujka, ka deklaruar se rritja e nivelit të ujit në lumin Ibër ka qenë pasojë e kushteve natyrore dhe jo e ndonjë ndërhyrjeje njerëzore, gjë që ka shkaktuar vërshimin në vendpunishten e urës së re pranë “Tre Rrokaqiejve” në Mitrovicën e Veriut.

“Mbrëmë kemi pasur një rritje të papritur të nivelit të ujit në lumin Ibër, e që ka shkaktuar dëme materiale në punishten e urës së re. Shkak ka qenë sasia e madhe e ujit në digën e Pridvoricës për shkak të reshjeve të shumta ditëve të fundit, si dhe rrëshqitja e kanalit në Zubin Potok”, ka sqaruar Mujka në Facebook.

Sipas tij, ndonëse situata ka shkaktuar dëme, ato janë minimalizuar falë ndërhyrjes së shpejtë dhe konstruksioni i urës nuk është rrezikuar asnjëherë.

“Nuk është dorë njeriu që ka krijuar dëmin, por dora e njeriut e ka minimalizuar dëmin e mundshëm shumë më të madh. Niveli i ujit është stabilizuar brenda një ore dhe sot po vazhdojmë me sanimin e kanalit kryesor”, ka theksuar ai.

Mujka ka sqaruar se ndryshimet e nivelit të ujit në lumin Ibër gjatë stinëve janë normale, duke theksuar se situata e ngjashme mund të ndodhë edhe në të ardhmen, për shkak të kushteve hidrologjike.

Ai ka apeluar që rasti të mos përdoret për qëllime politike apo elektorale, duke e cilësuar atë si një çështje thjesht teknike.

“Ky rast të mos përdoret për qëllime politike apo elektorale sepse nuk ka lidhje me to. Është çështje operacionale”, ka thënë Mujka, duke shtuar se edhe operatori ekonomik në vendpunishte ka pjesën e vet të përgjegjësisë për mënyrën e organizimit të punës.

Në fund, kryeshefi i “Ibër-Lepencit” ka falënderuar qytetarët për mirëkuptim dhe ka shprehur shpresën që situata e tillë të mos përsëritet më.

Punëkryesi i projektit, Jahir Nimani, ka pretenduar se kjo ishte ndërhyrje e qëllimshme, derisa ka kërkuar reagim e hetim urgjent nga institucionet e sigurisë, policisë e prokurorisë për të zbardhur rastin. Në një njoftim, Policia ka thënë se nuk ka elemente të veprës penale.