Arbëri

Vërshime në Istog, evakuohen 30 qytetarë të fshatit Drejë

Rreth 30 persona janë në pritje për evakuim në fshatin Drejë të Istogut, derisa 30 të tjerë tashmë janë evakuuar nga ekipet e kërkim shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në bashkëpunim me ekipet e emergjencës dhe zjarrfikësit në këtë komunë.

Banorët, të cilët kishin qëndruar të bllokuar në shtëpitë e tyre gjatë gjithë ditës për shkak të vërshimeve, janë dërguar në spitalin e Istogut për strehim, disa prej tyre tek të afërmit, ka thënë Xhevat Demaj, drejtor i Emergjencave në Komunën e Istogut.

Ai ka bërë te ditur se janë edhe shtatë familje të cilat duhet të evakuohen në këtë fshat.

“32 sa i tërhoqëm, jemi duke i dërguar në Istog, kthehen FSK-ja, do të intervenojmë edhe njëherë ka gjasa që të jenë edhe 30 persona”, ka thënë ai.

Derisa për fshatrat e tjera të kësaj komune, Demaj ka thënë se gjendja është stabile.

“Porsa u informova që gjendja nëpër fshatra të tjera që e kemi pas, në ato tetë fshatra, ka rënë niveli i ujit, nuk është dicka më rrezik më shumë, pritet tash tërë natën të shohim shiu çka po bën, ishalla nuk bie shumë, por momentalisht është situata e qetësuar”, ka shtuar ai.

Rreth 14 familje kishin mbetur të bllokuara në Drejë të Istogut gjatë gjithë ditës si pasojë e vërshimeve nga reshjet e mëdha të shiut.

Ndërsa dy të tjera ishin larguar gjatë ditës nga shtëpitë e tyre meqë uji u kishte depërtuar brenda./Ksp