Vërshimet kanë shkaktuar dëme të mëdha edhe në Klinë dhe Istog. Banorët ankohen se pronat u janë përmbytur edhe për shkak të kanaleve kulluese që janë mbyllur vite më parë. E, disa nga ta thanë se në momentin kritik, nuk u dolën në ndihmë institucionet.
Shtëpia e Frok Ndrecajt në Klinë një ditë më parë u përmbyt nga vërshimet e ndodhura si pasojë e reshjeve të shiut. Dalja e lumit Klina nga shtrati vërshoi edhe 10 shtëpi të tjera. E për këtë Ndrecaj dhe banorët e tjerë po ua lënë fajin punimeve që janë bërë mbi kanalet që kullojnë ujin.
“Dy pika që kullohet uji gjithmonë me vite qe 30 vjet e më shumë i kanë mbyllur, na ka dalë punë, me mjetet tona vetanake për t’ua prishur punimet këtyre e për t’i çelur vendet për të kulluar. 24 orë jemi në ujë na ka hyrë uji të gjithave nëpër shtëpia me bagëti e me të gjitha”, ka thënë ai.
Nga vërshimet pësuan edhe banorë të tjerë.
“Për një kohë shumë të shkurtë interval kohor prej 5 minutash ka dalë lumi prej shtratit dhe nuk na ka dhënë hapësirë, në ato momente u mundova edhe veturën me largu, por nuk më dha hapësirë kohore se ke minutash. Ka hyrë deri në katin e parë”, ka thënë Xhevdet Kastrati.
“Njerëzit po ndërtojnë mbi kanale kulluese edhe po bllokohen, shkak i asaj tash vjen deri te kjo që po e shohim, janë të rrezikuara shtëpitë gjithkah”, ka thënë Bekim Krasniqi.
Autoritetet në Klinë thanë se familjet e rrezikuara nga përmbytjet janë evakuuar dhe se evidencat e para flasin për shumë dëme.
“Shihet se ka dëme të konsiderueshme, edhe në amvisëri, edhe në ekonomi familjare dhe në biznese do të thotë është një gjendje që ka vite që edhe njerëzit më të vjetër të kësaj zonës nuk e kanë parë një diçka të tillë, ishte e frikshme mundë të them”, është shprehur Marqe Tanushi Selmanaj, nënkryetare e Klinës.
Situatë e njëjtë është edhe në Istog. Uji ka depërtuar në shtëpi dhe në jo pak biznese.
Një banor u ankua se autoritetet nuk iu përgjigjën për ta ndihmuar.
“Kemi kërkuar ndihmë prej policisë e kemi thirrur Policinë, nuk ka ardhur kurrkush hiç, mbrëmë kemi kërkuar, kemi pritur një orë, dy orë nuk është lajmëruar kurrkush hiç, është dashur brenda mundësive të mia për t’u organizuar për ta hequr ujin, të pastroj, ta rregulloj krejt”, ka thënë Xhavit Osmanaj.
Kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati, tregoi se fshati Drejë ka qenë nga më të rrezikuarit, në të cilin janë evakuuar 40 banorë.
“Ata persona që i kemi evakuuar i kemi vendosur në qendrën kryesore të mjekësisë familjare ku e kanë kaluar edhe natën një objekt që i ka plotësuar kushtet për strehim”, u shpreh Ferati.
Mëngjesin e së premtes në Istog ka qëndruar kryeministri Albin Kurti, i cili ka premtuar se Qeveria do t’u dalë në ndihmë qytetarëve të prekur nga përmbytjet.
Nga komunat e rajonit të Dukagjinit, dëme më pak janë evidentuar në Pejë, qendra e të cilit qytet është përmbytur një ditë më parë.