Arbëri

Vëllai i Liridona Ademajt: Gjithçka ia lëmë drejtësisë, fëmijët ende nuk e dinë se iu ka vdekur nëna

Vëllai i Liridona Ademajt, e cila dyshohet se u vra të mërkurën e 29 nëntorit në Prishtinë, ka rrëfyer jashtë hapësirave të Gjykatës Themelore se si u kuptua rasti tragjik nga familja.

Në një deklarim për media, Leonard Ademaj ka thënë se bashkëshorti i saj, Naim Murseli, pas intervsitimit nga Policia i ka treguar se në momentin kur ka ndodhur ngjarja, i ka marrë fëmijët dhe ka ikur duke e lënë gruan brenda veturës.

Më tej ai ka treguar se sipas Murselit, pas disa minutave pasi janë larguar nga vendi i ngjarjes ai dhe fëmijët, kanë dëgjuar një krismë për çka “kinse ka menduar se po e frikësojnë gruan”.

“Nuk e di si kam mundur të qëndrojë atë ditë, kur fëmijët ishin në gjendje të tmerrshme, më tregonin se i kanë sulmuar, u kanë kërkuar para. Djali erdhi me dorën e mbajtur grusht më tha që paratë nuk ua ka dhënë grabitësve, m’i dha paratë, ato ende i mbaj unë. E pyeta se si ndodhi rasti më tha se kanë qenë në veturë, kanë dalë nga vetura dhe i ka marrë babai, kanë ecur rrugës dhe më pas më tha se e kanë harruar nënën në veturë. Nuk mundem ta imagjinojë se në çfarë gjendje ka qenë motra ime kur e ka parë burrin me dy fëmijët duke ikur nga vetura, aty ka mundur ta vërejë ajo se çfarë po ndodhë. Në Dragodan, pasi u intervistua doli Naimi dhe e shpjegoi ngjarjen në pika të shkurtra. Tha se nuk i ka parë, ndërsa Liridona po. Siç ka treguar Naimi, grabitësit kanë kërkuar të hollat dhe gjithçka kishin, unë i dhashë të gjitha dhe të njëjtën e kërkova edhe nga Liridona, ajo insistoi diçka në çantën e saj, ndërsa unë i hapa dyert dhe i kërkova fëmijëve në gjuhën suedeze të ikin. Ai më tej më tha se ka ikur bashkë me fëmijët dhe pas disa metrave kur e ka kthyer kokën prapa e ka dëgjuar një krismë, por se ka thënë se ka menduar që po e frikësojnë Liridonën”, ka rrëfyer ai.

Ai më tej ka njoftuar se familja ka bërë kërkesë për zhvarrosjen e viktimës, për çka po presin përgjigje.

“E kemi bërë kërkesën për zhvarrosje, kemi folur me kryeprokurorin dhe prokurorin e rastit, e kemi bërë edhe me shkrim. Rivarrimi të ndodhë sa më shpejt është sa më mirë për familjen tonë dhe të gjithë ata që janë te ne sepse shumica e familjes janë në mërgim dhe duam që rivarrimi të dnodhë sa më shpejt për të na lehtësuar dhimbjen dhe që Liridona të mos e meritojë atë vend atje ku është, por të vijë në vendin e saj. Kemi thënë se shkak mund të jetë vetëm puna e të hollave”, ka thënë ai.

Vëllai i Ademajt është deklaruar edhe për komunikimin e fundit që kanë pasur me familjarët e Murselit. Ai ka thënë se ka ndodhur një keqkuptim, pasi është raportuar për dy ditë besë, ndërsa familjet janë marrë vesh për dy mbajtjen e të pameve për dy ditë, teksa ka njoftuar se fëmijët po qëndrojnë te familja e babait të tyre.

“Ditën kur e kanë arrestuar Naimin na kanë thirrur në telefon dhe na kanë njoftuar se dy ditë është e pamja, këtu ka ndodhur një keqkuptim pasi është thënë se dy ditë u kanë dhënë afat apo besë, ajo nuk është e vërtetë. Babai ka thënë mbajeni të pamen dy ditë siç e keni pasur. Asgjë tjetër nuk ka pasur këtu. Ne gjithçka ua lëmë drejtësisë. I besojmë drejtësisë së Kosovës. Me fëmijët kemi pasur kontakt. Ka ardhur sepse ka ardhur edhe shoqata sociale, kanë thënë se fëmijët janë mirë mos keni merak për ta. Kujdesin e tyre e kanë gjyshërit. Fëmijët nuk e kanë kuptuar ende se u ka vdekur nëna. Derisa nuk i marrin shteti suedez, ata do të qëndrojnë te gjyshërit e tyre”.

Image