Katër dëshmitarë kanë dalë para gjykatës, në rastin për vrasjen e Liridona Ademajt, e cila dyshohet se është organizuar nga bashkëshorti Naim Murseli. Dëshmitari Valon Lluka tregoi komunikimin me telefon që ka pasur me Murselin në natën kur është kryer krimi.
Ka dëshmuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, personi i parë të cilin Naim Murseli e kontaktoi pasi u realizua vrasja e gruas së tij, Liridona Ademajt, të cilën akuzohet se e organizoi në nëntor të 2023-ës.
Valon Lluka, i cili është dëshmitar i Prokurorisë, tha se Murseli e ka kontaktuar përmes telefonit dhe mesazheve për t’i treguar për rastin në natën kritike.
“Herën e parë më ka thirrë me një numër në fund është 417 dhe pastaj nuk iu kam lajmëru se nuk e kam njoft numrin. Më ka dërgu mesazh “Urgjent çele, urgjent, Naimi. Pastaj ka fillu me më thirrë me një numër tjetër. Unë kam reaguar me 907 edhe këtu më ka shkru “Mursel, urgjent”. “O Valon, na kanë vra” edhe në fund “thirrem””, ka thënë ai.
Lluka tha se me të marrë këto mesazhe është nisur drejt vendit të ngjarjes, e më pas ka shkuar edhe në stacionin policor ku është takuar me të akuzuarin Murseli të cilin e kishte ngushëlluar për vdekjen e bashkëshortes.
Ai tha se aty ka takuar edhe familjarët e Liridona Ademajt.
Pyetje dëshmitarit i parashtroi vëllai i së ndjerës, dhe kërkoi nga dëshmitari të përgjigjet shkurtimisht.
“Kam vetëm një pyetje dhe mundësisht përgjigju me po ose jo. Se kur keni shkuar së bashku me Naimin në Swiss, a e njihni personin e tretë që ka qenë me ju”? ka pyetur Leonard Ademaj.
“Jo”, u përgjigj dëshmitari.
E pyetje parashtroi edhe i akuzuari kryesor Naim Murseli.
Dëshmitari Lluka tha se e kishte parë të akuzuarin Murseli të shqetësuar në natën kritike.
Përveç Llukës, para trupit gjykues ishte paraparë të dëshmonte edhe babai të akuzuarit Murseli, Shaban Murseli. Por, sipas Gjykatës, ai ka deklaruar se nuk do të paraqitet në seancë dhe mbetet prapa deklarimeve të mëhershme.
Dëshminë para trupit gjykues e dhanë edhe tre dëshmitarë të tjerë. Aurel Pajaziti, i cili ia dha me qira veturën të akuzuarit Granit Plava, tha se bashkë me të ka qenë edhe një person tjetër i panjohur.
“Vetura ka qenë në fshat te shtëpia ime. Ka ardhë me një person që se kam njoftë, kanë qenë me një veturë të tipit Range Rover, ka qenë ngjyrë hiri”, ka thënë Pajaziti.
Për këtë avokati zëvendësues i palës së dëmtuar, Leutrim Himaj kërkoi që dëshmitari Pajaziti të shohë nëse personi i panjohur është prezent në sallën e gjykimit. Kjo u kundërshtua nga mbrojtja e të akuzuarve, por u aprovua nga trupi gjykues.
“Të lutem kthehu nga publiku dhe shiko nëse ky personi i panjohur është këtu në sallën e gjykimit”? pyeti Himaj.
“Jo, asnjëri nga të pranishmit nuk është personi i panjohur”, u përgjigj Pajaziti.
Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla akuzohen për vrasjen e Liridona Ademajt, në nëntor të vitit 2023.
Fillimisht u raportua për vrasje si pasojë e grabitjes, e më pas Prokuroria bëri të ditur se gjithçka ishte inskenim.