LAJMET E MBRËMJES

Prokuroria ndërton planin e vrasjes së Liridonës përmes disa video-incizimeve

Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla janë të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt, në nëntor të vitit 2023. Fillimisht ishte raportuar për vrasje si pasojë e grabitjes, e më pas prokuroria bëri të ditur se gjithçka ishte inskenim dhe ngriti aktakuzë ndaj bashkëshortit të saj, Naim Murseli dhe dy të tjerëve

Video-incizimet e ditës kritike, kur u vra Liridona Ademaj, janë lëshuar të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës.

Krismën e armës dhe britmat e dy fëmijëve që ishin të pranishëm në momentin kur iu vra e ëma, Naim Murseli i dëgjoi në seancë edhe duke i vendosur edhe kufjet.

Pamjet që u shfaqën para trupit gjykues treguan lëvizjet e të akuzuarve në ditën kritike.

Takimin e parë atë ditë, bashkëshorti i Liridona Ademajt, Naim Murseli dhe Granit Plava, sipas pamjeve, e patën në një pompë derivatesh në fshatin Cërmjan të Gjakovës.

Në pamje të tjera është shfaqur vetura “Seat” e Granit Plavës dhe më pas ajo “Range Rover” e Naim Murselit.

Po ashtu janë dhënë pamje edhe të rrugës “Dalip Alshiqi” në Bërnicë, ku edhe ka ndodhur vrasja më 2023

Aty shihet se si vetura “Range Rover” vjen e para dhe 3 sekonda më pas në vendin e njëjtë pas saj vjen vetura “Seat”. Aty arrijnë së bashku nga pompa e derivateve.

“Nga vetura del edhe Granit Plava edhe Naim Murseli. Në një moment, shihet se si i akuzuari Murseli i afrohet të akuzuarit Granit Plava dhe diçka i flet dhe shkon në market te pompa”, ka shpjeguar një prej pamjeve që është shfaqur, Javorka Perlinçeviq, prokurore e rastit.

Sipas pamjeve të regjistruara shihet se si i akuzuari Murseli shkon në shtëpi, e merr Liridonën e fëmijët e më pas vazhdon në restorantin “Etno Kuqa”, në Graçanicë. 
Menjëherë pas tyre shkon edhe Granit Plava.

“Në kahe të kundërt të Naimit me familje ulët Granit Plava”, ka shpjeguar një tjetër pamje prokurorja Perlinçeviq.

Pas daljes së Murselit me familje nga restoranti, pas tyre vihet edhe Granit Plava.

Derisa po shfaqeshin pamjet, në audio dëgjohen krisma e armës dhe zërat e fëmijëve.

Sipas kamerave të sigurisë, krisma dëgjohet në orën 20:17.

Nga pamjet e vendit ku ndodhi vrasja shihet vetura e të akuzuarit Murseli e parkuar në mes të rrugës. Ndërkaq autobusi urban ishte i pari që arriti në atë pjesë pas vrasjes.

“Askush nuk është në vend të ngjarjes, as ta ndihmojë Liridonën e as që ta rrezikojë Naimin”, ka thënë prokurorja Javorka Perlinçeviq.

Vërejtje për shfaqjen e video-incizimeve nuk ka pasur avokati i palës së dëmtuar Leutrim Syla. Por ai ka kërkuar që si palë e dëmtuar të elaborohen edhe disa momente të tjera, në një seancë tjetër.

Kjo kërkesë e Sylës është refuzuar nga kryetarja e trupit gjykues Fatime Dërmaku.

“Kërkojmë që në një seancë të ardhshme në këtë shqyrtim gjyqësor, ne si palë e dëmtuar t’i elaborojmë edhe disa momente që konsiderojmë se janë me rëndësi për çështjen penale”, ka deklaruar Leutrim Syla, avokat i palës së dëmtuar.

Por, kritika kanë shprehur avokatët e palës së të akuzuarve.

Pas përfundimit të seancës, vëllai i së ndjerës, Liridonës, Leonard Ademaj, ka thënë se pamjet treguan se vrasja e motrës së tij ishte e planifikuar.

“Ajo çfarë pamë sot në ato pamje e qartëson mirë se Naimi bashkë me Kushtrimin janë organizatorët kryesorë të vrasjes, ndërsa vrasësi i motrës sime është Granit Plava”, ka thënë Ademaj.

Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla janë të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt, në nëntor të vitit 2023.

Fillimisht ishte raportuar për vrasje si pasojë e grabitjes, e më pas prokuroria bëri të ditur se gjithçka ishte inskenim dhe ngriti aktakuzë ndaj bashkëshortit të saj, Naim Murseli dhe dy të tjerëve.