Në vazhdimin e procesit gjyqësor për vrasjen e Liridona Ademajt, Naim Murseli, bashkëshorti i viktimës, ka dhënë deklaratën lidhur me natën kritike të ngjarjes, duke mohuar kategorikisht çdo përfshirje në vrasje.
Murseli ka deklaruar se martesa e tij me Liridonën, me të cilën ishte i martuar që nga viti 2011, ka qenë e mirë dhe e qëndrueshme, duke theksuar se ajo ishte një nënë e përkushtuar dhe një bashkëshorte e devotshme. Ai ka treguar se bashkëshortja kishte fituar shtetësinë suedeze pas martesës dhe se çifti kishte dy fëmijë, pas një periudhe të gjatë përpjekjesh për t’u bërë prindër.
Ai ka theksuar se familja kishte të ardhura të mjaftueshme dhe se nuk ka pasur motive financiare për vrasjen, duke sqaruar edhe çështjen e polisës së sigurimit jetësor, për të cilën tha se ishte individuale dhe jo në shumën maksimale të mundshme.
Duke folur për natën e ngjarjes, Murseli ka deklaruar se bashkë me bashkëshorten dhe fëmijët po ktheheshin në shtëpi, kur një person i maskuar u shfaq papritur në rrugë, duke drejtuar armën në drejtim të tyre.
“Kam menduar se bëhej fjalë për grabitje. Ia dhamë paratë dhe telefonin. Kam dalë nga vetura bashkë me fëmijët duke menduar se ai po donte ta merrte veturën”, ka deklaruar Murseli.
Sipas tij, pas largimit nga vetura ka dëgjuar krisma armësh dhe vetëm pas disa sekondash ka vërejtur se Liridona nuk ishte më aty. Ai ka mohuar pretendimet e aktakuzës se ka qenë në veturë në momentin e vrasjes apo se e ka mbajtur bashkëshorten në çastet e fundit të jetës së saj.
“Betohem në fëmijët e mi që nuk kam qenë as në veturë kur është vrarë Liridona. Kjo është e vërteta e vetme”, ka deklaruar ai, duke i quajtur pretendimet e prokurorisë shpifje dhe duke sqaruar se për këtë arsye është kërkuar edhe konstruktimi i vendit të ngjarjes – të cilën e refuzoi Gjykata.
Murseli ka folur edhe për periudhën pas ngjarjes, duke treguar se është marrë në pyetje nga prokuroria së bashku me fëmijët dhe se aktualisht ka komunikim të kufizuar me ta, pasi ata ndodhen në një familje strehuese.
Seanca është ndërprerë për ditën e sotme pasi Prokuroria ka thënë se i duhen dy orë që t’i parashtrojnë pyetje Murselit dhe kjo nuk ka mundësi të përfundojë sot.
Murseli do ta paraqesë mbrojtjen më 11 shkurt.
Gjithashtu është refuzuar edhe kërkesa e mbrojtësit të të akuzuarit Kushtrim Kokalla, Ndrecë Dodaj që të dëgjohet edhe dëshmitar i ri Tafil Kokalla.
Pjesë nga deklarata e Murselit për natën kritike kur u vra Liridona Ademaj
“Unë më Liridonën jam fejuar në vitin 2010 dhe jemi martuar me 11 dhjetor 2011. Kam pas 12 vjet martesë dhe si rezultat i asaj martese kemi dy fëmijë. Marrëdhënia ime me Liridonën ka qenë shumë e mirë, e lumtur. Liridona ka qenë një grua e mrekullueshme, një nënë e përkushtuar dhe një bashkëshorte e devotshme. Pas tri vitesh qëndrim është bërë nënshtetase e Suedisë, si pasojë e martesës tonë. Dëshira e saj e madhe ishte të bëhej nënë. Kishte probleme me ngelë shtatzënë dhe pesë vitet e para jemi merr shumë me spitale dhe në vitin 2017 iu realizua ëndrra dhe menjëherë pas një viti e gjysmë deshi Zoti edhe fëmija i dytë.
Në Suedi kam pasur dy biznese, një restorant dhe një kompani pastrimi që ka qenë e përbashkët me Liridonën. Të ardhura kemi pasur mjaftueshëm. Në vit kam pas të hyra mbi 45 mijë euro dhe Liridona diku 20 mijë.
Pothuajse çdo shtetase e Suedisë ka polisë të sigurimit edhe shtëpiak edhe jetësor. Edhe unë kam pas të njëjtin sigurim siç e ka pas sigurim siç e ka pas Liridona, të njëjtën shumë. Por ajo shumë, 260 mijë euro, nuk është shuma maksimale e polisës së sigurimit pasi mund të rritet deri në 600 mijë euro. Çdo polisë e sigurimit është personale. Nuk mundem unë të hapi një polisë sigurimi për Liridonën pa qenë ajo prezent.
Si çdo çift, nuk them që martesa jonë ka qenë pa asnjë grindje ndonjëherë por jo me ftohje të marrëdhënieve, ka qenë çdo gjë në rregull. Atë ditë që u shfaqen ato video, është hera e parë në jetën time që kam qëndru me Granit Plavën vet pa Kushtrim Kokallën. Dy herë tjera e kam taku me Kushtrim Kokallën, nuk kam pasur asnjëherë miqësi me Kushtrimin, nuk ja njoh familjen.
Ajo armë është blerë në mënyrë krejt spontane me të vetmin qëllim për shitje nga ana e Granit Plavës sepse e disha që ai i kishte kushtet e rënda ekonomike, dhe kur ai na ofroi për shitje, Graniti ishte i interesuar dhe tha që të nesërmen do ta shesë dyfish.
Unë kur kam shkuar në “Etno kuco” me Liridonën, unë asnjëherë nuk e kam parë Granit Plavën, as mbrapa me veturë e as fizikisht. Ne kemi shkuar për darkë edhe një javë më herët në të njëjtin restorant, unë, Liridona, fëmijët dhe prindërit e saj. Por atë natë, nuk e kam parë Granit Plavën.
Para asaj darke, isha te familja e saj në Rracaj. Kur unë isha në Gjakovë, Liridona më thirri papritë dhe më tha se kam ardhur në Prishtinë. Kishte shkuar të shtëpia por nuk më kishte thirrur. Menjëherë kur më ka thënë kam ardhur në Prishtinë i kam thënë Granitit unë duhet të kthehem te shtëpia, sepse më ka ardhur gruaja me fëmijë.
... e dinë shumë mirë që unë nuk kam qenë asnjëherë problematik, kriminel, drogerash, unë as cigare nuk pi as alkool.
Nuk ka asnjë marrëveshje, as paraprake as asnjëherë për me e vra Liridonën.
E pyeta Liridonën nëse dëshiron me shku në “Prishtina Mall” dhe nuk deshti se ka lodhje dhe u kthyem në shtëpi. Rrugës për në shtëpi u ndalem në “Shell”. Atë ditë ne ishim me veturën e Liridonës të cilën ia kam blerë një vit më herët. Dhe atë ditë, apo një ditë më herët e kishte përdorur Leonardi me sa kuptova.
Rrugës më thotë Liridona me u ndalë me ble vezë. Dhe unë siç e ka pohuar dëshmitari, jam ndal, kam blerë vezë, pronari m’i dha edhe disa çokollata për më ua dhënë fëmijëve. Vezët i vendosa në gepek. Kam vazhduar në drejtim të shtëpisë. Nuk e di sa, 500 metra apo ashtu diçka, para se me mbrri te shtëpia, papritmas nga ana ime e majtë del një person i maskuar në mes të rrugës, duke drejtuar armën në drejtim tonin. Unë isha vozitës, Liridona pasagjere dhe fëmijët mbrapa. Liridona thotë ‘o kuku hajnat’ dhe unë i çova duart. E ndala veturën dhe i ngrita duart dhe personi i maskuar afrohet te dritarja ku ishte Liridona. Liridona e hap dritaren, nuk e di sa, unë i kisha paratë në xhep dhe ato ia dhashë. Liridona ia dha telefonin e saj dhe paratë çka kishte.
Unë kam mendu që po grabitet vetura dhe kjo është arsyeja pse kam dalë nga vetura. Më ka thënë telefonin, e kam zgjatë dorën mbi tavan të kerrit dhe e ka marr telefonin.
E kam hapur derën e kerrit për me dalë fëmijët, fëmijët kanë vrapu edhe unë pas tyre duke mëndu që ai po don me marrë veturën. Pas disa sekondash, kam dëgju krismën, mu ka duk sikur dy krisma në drejtim tonin. Nuk kam guxu me u kthy mbrapa dhe kam vazhdu me vrapu me fëmijë. Pas disa sekondash e kam kthy kokën mbrapa dhe e kam parë që nuk është Liridona askund dhe në atë moment vjen vetura e zezë.
Unë në aktakuzë akuzohem se e kam mbajtur me dorë bashkëshorten time në momentet e fundit të jetës. Unë betohem në fëmijët e mi që nuk kam qenë as në veturë kur është vrarë Liridona. Kjo është e vërteta e vetme. Ajo çka thotë prokurorja është shpifje. Kjo është arsyeja pse kemi kërkuar konstruktim të vendit të ngjarjes.
Kemi qenë në prokurori, së bashku me fëmijët”.
Kemi qenë në prokurori, së bashku me fëmijët, jam marrë në pyetje, po ashtu edhe djali im i madh, i vogli jo. M’i kanë marrë pasaportat. Pasi e kanë marrë në pyetje djalin, unë dola jashtë. Në fund prokurorja m’i ka kthyer pasaportat dhe më ta që mundesh me u kthy në shtëpi. Unë isha në kontakt me Leonardin, sepse më pyetke se ku je, kur vjen.
Tash i kemi vetëm dy orë në muaj komunikim me fëmijët. Komunikimi im me fëmijët nuk është aq i shpeshtë sa unë do të doja. Kjo për arsye se janë ku janë. Fëmijët janë te një familje të strehuar dhe ajo familje paguhet për t’i strehuar. Dhe ne e kemi ditën e martë kohën kur flasim. Në atë kohë fëmijët janë në shkollë dhe nuk kam si të flas me ta. Kam fol me fëmijët disa herë nga qendra e paraburgimit.
Mbrojtja e Murselit kërkon rikonstruktim të vendit ku u vra Liridona Ademaj
Avokatët e Naim Murselit, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademaj, në seancën që po mbahet të enjten i kanë propozuar Gjykatës që të bëhet rikonstruktim i vendit të ngjarjes.
Kjo është kundërshtuar nga avokati i familjes Ademaj, Leutrim Syla, i cili ka thënë se kjo do të zvarriste edhe më tej procesin.
Mbrojtësi i të akuzuarit Kushtrim Kokalla, Ndrecë Dodaj ka kërkuar nga Gjykata të dëgjohet edhe një dëshmitar i ri Tafil Kokalla.
Gjithashtu Syla e kundërshtoi edhe propozimin e avokatit Ndrecë Dodaj.
Mbrojtësi i Naim Murselit, avokati Shemsedin Piraj tha se palët kanë të drejtë te propozojnë prova deri në fund të shqyrtimit gjyqësor. Ai tha se kanë kërkuar të bëhet rikonstruktim i vendit të ngjarjes, për shkak të dëshmisë së ekspertit mjeko-ligjor, Naim Uka. Tha se afatshmëria nuk vjen në shprehje.
Vazhdon gjykimi për vrasjen e Liridona Ademajt, Murseli kërkon konsultë me avokatët
Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë po vazhdon gjykimi për vrasjen e Liridona Ademjat, ku të akuzuar janë bashkëshorti i saj Naim Murseli, Granit Palva dhe Kushtrim Kokalla.
Të akuzuarit janë sjellë në sallën e gjyqit ndërkohë që Murseli ka kërkuar konsultë më avokatet e tij.
Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla janë të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt, në nëntor të vitit 2023.
Fillimisht ishte raportuar për vrasje si pasojë e grabitjes, e më pas prokuroria bëri të ditur se gjithçka ishte inskenim dhe ngriti aktakuzë ndaj bashkëshortit të saj, Naim Murseli dhe dy të tjerëve.
Sipas aktakuzës së ngritur më 15 janar 2025, Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro.






