Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Prokurori thotë se vrasja e Likës ishte e planifikuar, mbrojtja i mohon akuzat

Vazhdon gjykimi për vrasjen e rreshterit Muhamet Lika

Foto: KOHA

(E përditësuar 11:35) - Në Gjykatën Themelore në Ferizaj ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor për rastin e vrasjes së rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamet Lika, ku prokurori Ismet Rrahmani, në fjalën e tij hyrëse, deklaroi se provat materiale dhe video-incizimet e kamerave të sigurisë dëshmojnë se vrasja ishte e planifikuar dhe se të akuzuarit kanë ndihmuar autorin e dyshuar para, gjatë dhe pas kryerjes së krimit.

Sipas prokurorit, 1 prilli i vitit 2025 kishte nisur si një ditë e zakonshme pune për rreshterin Muhamet Lika, i cili pas përfundimit të orarit të punës në Kaçanik, rreth orës 22:54, u nis drejt banesës së tij, por nuk arriti kurrë në destinacion.

“Arsyeja ishte se u privua nga jeta me armë zjarri nga i mituri Rejhan Bela”, ka thënë Rrahmani.

Ai theksoi se nga analiza e video-incizimeve të kamerave të sigurisë janë identifikuar personat e përfshirë në rast dhe se, sipas Prokurorisë, Rejhan Bela është autori i drejtpërdrejtë i vrasjes, ndërsa pesë të pandehurit e tjerë kanë vepruar në bashkëkryerje duke i ofruar ndihmë para, gjatë dhe pas ekzekutimit të krimit.

Prokurori u shpreh se provat, përfshirë video-incizimet, lokacionet dhe dëshmitë e dëshmitarëve, do të dëshmojnë se ngjarja nuk ishte spontane, por rezultat i një përgatitjeje të qëllimshme që kulmoi me vrasjen e rreshterit Lika.

Edhe Gruaja e policit Lika thotë se tri ditë para vrasjes ai e parandjeu se do t’i ndodhë diçka LAJMET E MBRËMJES Gruaja e policit Lika thotë se tri ditë para vrasjes ai e parandjeu se do t’i ndodhë diçka

Në fjalën e tij, Rrahmani përshkroi edhe rolin që, sipas aktakuzës, kanë pasur të akuzuarit. Ai tha se Rilind Murati është parë në shoqëri me Rejhan Belën gjatë kohës së kryerjes së vrasjes, ndërsa Vatan Çaka është filmuar së bashku me Muratin dhe Belën duke vëzhguar vendin e ngjarjes para se të ndodhte krimi.

Sa i përket Edmond Likës, prokurori deklaroi se ai është parë në shoqërinë e Shkëlqim Kukës duke ndjekur lëvizjet e rreshterit Muhamet Lika pas daljes nga stacioni policor. Sipas Prokurorisë, pasi viktima kaloi pranë tyre, Edmond Lika zbriti nga vetura “Opel”, pronë e Shkëlqim Kukës, dhe vazhdoi me veturën e tij “Golf 2” në drejtim të vendit ku u krye vrasja.

Por, mbrojtësit e të akuzuarve për vrasjen kanë mohuar akuzat duke theksuar se provat e prokurorit nuk janë krejt të qarta. 

Avokati i të pandehurit Haki Bela, Urim Bajraktari, ka thënë se provat e paraqitura nuk e dëshmojnë dyshimin mbi Belën.

“Mbrojtja ka ngritur dyshime dhe ka dhënë vërejtje me mungesën e dyshimit të bazuar dhe të arsyeshëm, për të akuzuarin Haki Bela. Ka qenë dhe mbetet se provat e propozuara nuk arrijnë të provojnë as dyshimin minimal. Fakti që i akuzuari është parë nga kamerat e sigurisë, në lokacione të ndryshme, nuk e bën atë përgjegjës për veprën në fjalë, apo ndonjë vepër tjetër penale. Gjithashtu, edhe pretendimi i bashkëkryerjes, padyshim se do të mbetet i paraqitur në mënyrë deklarative. I pambështetur në asnjë provë të drejtë dhe konkrete. Ne si mbrojtje, deri më tani i kemi pranuar të gjitha provat, përveç video incizimeve të kamerave të sigurisë të nxjerra në stacionin policor”, ka thënë Bajraktari.  Avokati Musa Konxheli i të pandehurit Rilind Murati ka deklaruar se provat japin paqartësi mbi rrethanat mbi vrasjen. 

“Pas analizimit të aktakuzës dhe fjalës hyrëse të prokurorit të shtetit, në rastit konkret nuk ka dyshim  të bazuar mirë se i pandehuri Rilind Murati nuk ka kryer veprën penale me të cilën akuzohet. Konsiderojmë se provat janë të pranueshme sa i përket aspektit formal juridik. Konsiderojmë se vrasja nuk ka qenë e planifikuar nga të pandehurit. Nuk tregohet kush e ka vrarë, apo si është planifikuar. Nuk dihet për llojin e armës, por vetëm kalibri”. 

Kurse, avokati Ngadhnjim Rudi ka theksuar se i mbrojturi i tij Vatan Çaka nuk është i përfshirë në kryerjen e veprës dhe se nuk paraqitet asnjë provë që e përfshin atë. 

“Konkretisht, aktakuzës në raport me të mbrojturin tim, i mungon lidhshmëria mes veprimeve të të mbrojturit tim dhe pasojës së shkaktuar, që në rastin konkret, prokuroria nuk paraqiti asnjë provë të vetme, në te cilën do ta mbështeste dyshimin në raport me të mbrojturin tim, sa i përket kësaj vepre penale”. 

E avokati Shpetim Vishi i të pandehurit Edmond Lika ka thënë se aktakuza mbështetet në interpretime dhe supozime.

“Nuk vërteton asnjë provë, se ai e ka kryer këtë vepër penale”, deklaroi Vishi për Likën. 

Avokati Kastriot Zenuni i të pandehurit Shkëlqim Uka ka kundërshtuar fjalën e prokurorit si dhe aktakuzën. 

“Gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet se aktakuza është e pabazuar… prokurori i shtetit i ka vlerësuar provat gabimisht, në mënyrë të njëanshme dhe selektive”. 

Avokatja Femije Gashi Bytyqi i të pandehurit Diamant Gashi ka deklaruar se te Gashi nuk ka asnjë bazë ligjore se ka dhënë ndihmë në kryerjen e veprës penale. 

“Konsideroj që te i mbrojturi im nuk ka asnjë bazë ligjore se i ka dhënë ndonjë ndihmë Rejhan Belës, për këtë çështje penale. Diamanti ka qenë në punë, atë kohë”.

Edhe S’e pranojnë fajësinë gjashtë të akuzuarit për vrasjen e policit Muhamet Lika LAJMET E MBRËMJES S’e pranojnë fajësinë gjashtë të akuzuarit për vrasjen e policit Muhamet Lika

Në gjyqin për vrasjen e ish-rreshterit Muhamet Lika ka nisur dëshminë bashkëshortja e të ndjerit, Violeta Mulaku, e cila të pandehurit ka thënë se i ka njohur si klienta të lokalit ku ka punuar dhe si praktikues ekstremë të fesë islame.

Vatan Çakën ajo ka thënë se e ka njohur si person që ka kryer vjedhje, vepër të kryer sipas saj edhe në lokalin ku ka punuar. Edmond Likën, ka theksuar se e ka njohur si punëtor në një lokal që ka qenë në emër të Muhamet Likës. 

“Te lokali në Shtrazë kam shkuar nji ditë para arrestimit tyre. E kam pa që lokali është thyer, aty ka qenë një dollap me fatura e shënime. Dhe ajo fletore është marrë dhe sipas meje e ka marrë Edmondi, sepse ka mendu që ka diçka në atë fletore. Aty ishte fletore me shënime, gjëra te lokalit. Për këtë e ka ditë vetëm Edmondi dhe punëtorët që kanë qenë aty. Dhe sot e tutje nuk u gjet kjo fletore. Dyshimet e mija, kanë mendu që ka të shkruar diçka aty. Muhameti gjithmonë ka mbajt shënime për çdo gjë. Ku punoj unë tash është përball lokalit të Rilind Muratit, aty kam edhe xhaminë e qytetit dhe ka shkoj në shtëpi është lokali i Hakisë. Çdo ditë në atë lokal ka njerëz që rrijnë në grumbull para lokalit, edhe të tjerë, o para xhamisë, o para lokalit. Është e pamundur me kalu aty, pa i parë këta persona”.

Mulaku ka treguar tutje për momentet kur ndodhi vrasja. 

“Në natën kritike kam qenë në banesë. 10:45 kam dal në ballkon me pi një cigare dhe me këqyr a është tu ardhë ai( Muhameti) prej punës apo jo. Aty nga ballkoni shoh që dy persona të rinj me kapela në kokë, që sillen aty pari. Kanë qenë para hyrjes së banesës, po ma shumë nuk mu kujtohet. Para kohës së vdekjes së Muhametit, kam vërejt persona që kanë lëvizë. Është një banesë me kat më lartë se na, aty kanë ardhë shumë shpesh. Sepse njëri nga personat që ka banu aty, është praktikues i fesë, edhe këta edhe të tjerët kanë ardhë kanë qëndru aty. Një ditë para vrasjes, ka qenë në ndërrim të masditës, ka ardhë në banesë rreth orës 11, aty e vërej që mekanizimin e shkrepjes së armës e ka të aktivizum. E kam vërejt se është diçka e dyshimtë, por kjo s’ka ndodh asnjëherë. E rregulloj armën, te vendi ku e ka lanë zakonisht. Tri katër ditë para vrasjes, ishim duke u kthyer me Muhametin nga qyteti për në banesë, unë i tham Muhametit çka kanë që po rrijnë grumbull. Ai ma kthen, për çudi shumë janë tu nejtë, po diçka ka me krisë, po çka nuk e di”, ka treguar Mulaku.

 


Të akuzuarit për vrasjen e Muhamet Likës deklarohen të pafajshëm

(E përditësuar 09:57) - Pasi prokurori Ismet Rrahmani lexoi aktakuzën për vrasjen e rreshterit Muhamet Lika, gjashtë të akuzuarit, ashtu si në seancën fillestare, u deklaruan të pafajshëm. 


Vazhdon gjykimi për vrasjen e rreshterit Muhamet Lika

(09:37) - Të enjten (sot) ka nisur seanca e re gjyqësore për vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamet Lika. Në Gjykatën Themelore në Ferizaj nën masa të rrepta sigurie u sollën gjashtë të akuzuarit. 

Të akuzuarit u patën deklaruar të pafajshëm në seancën fillestare. 

Lika është vrarë më 1 prill të vitit 2025 në Kaçanik pas përfundimit të orarit të punës. U qëllua teksa po hynte në banesë. 

Sipas aktakuzës, të pandehurit Haki Bela, Rilind Murati, Vatan Çaka, Edmond Lika, Shkëlqim Kuka, më datë 01 Prill 2025, rreth orës 23:00h, në Kaçanik, në rrugën “Idriz Seferi”, përkatësisht në katin e II-të të hyrjes së ndërtesës, në bashkëveprim me të miturin Rejhan Bela, me dashje dhe përgatitje paraprake kanë privuar nga jeta tani të ndjerin zyrtarin e policor, rreshter Muhamet Lika, në atë mënyrë që deri sa viktima ka përfunduar orarin e punës së detyrës zyrtare dhe gjatë rrugës për në banesën e tij, ishte përcjellë në vazhdimësi nga të pandehurit dhe i mituri deri te hyrja e banesës së tij, ku i pandehuri Haki Bela pasi që kishte qëndruar në lokalin e tij “Aksa”, prej aty niset për në drejtim të Stacionit Policor, dhe e përcjellë viktimën Muhamet Lika, prej momentit të daljes nga Stacioni Policor e pastaj viktima vazhdon në drejtim të banesës ndërsa i pandehuri Haki vazhdon në drejtim të rrugës “UÇK” për 20 metra dhe më pastaj pas 30 sekondave kthehet në drejtim të viktimës, në vazhdim të pandehurit Shkëlqim Kuka dhe Edmond Lika në rrugë vëzhgojnë rrugëtimin e viktimës, pasi që kishin parkuar veturën “Opel Astra ”, ngjyrë e bardhë me targa 05-518-GH, me vozitës Shkëlqim Kuka dhe pasagjer Edmond Lika, afër stacionit policor dhe në momentin që kalon viktima për rreth veturës në drejtim të banesës së tij, nga vetura del pasagjeri Edmon Lika dhe hip në veturën e tij “Golf 2”, ngjyrë e kaltër duke vozitur të njëjtën me drita të fikura dhe duke vazhduar në rrugën një drejtimesh duke përcjellë viktimën në drejtim kah ka lëvizur, ndërsa i pandehuri Shkëlqim me veturën “Opel Astra” nga ky moment merr veprimin dhe vazhdon duke shkuar afër vendit të ngjarjes, viktima vazhdon rrugëtimin pastaj në rrugën “Idriz Seferi” afër hyrjes së banesës së tij i mituri Rejhan Bela vazhdon duke e përcjellë viktimën mbrapa, i cili hynë në hyrjen e banesës së tij dhe menjëherë pas viktimës i mituri Rejhan Bela hynë pas tij në hyrjen e objektit të banesës dhe me të takuar të ndjerin ka shtënë në drejtim të tij me armë zjarri, të kalibrit 9.19 mm, dhe kthehet me vrap mbrapa nga kishte ardhur pas kryerjes së vrasjes duke ikur në drejtim të lokalit “”Dukagjini” ku bashkohet me të pandehurin Rilind Murati, i cili kishte qenë duke e pritur dhe së bashku me vrap largohen përmes rrugës “Mejdi Dalloshi” ndërsa deri sa ishin duke vrapuar i mituri dhe i pandehuri dëgjohet një zë duke thënë “Bravo ik”, (kamerat e sigurisë “Dukagjini”, ora 22:59:31), paraprakisht të pandehurit kanë lëvizur në drejtim të lokalit bilardo “Te Lindi”, ndërsa rreth një orë para kryerjes së vrasjes nga kamerat e sigurisë të marketit “Besa”, ora 21:54, vërehen lëvizjet e të pandehurve Rilind Murati dhe Vatan Çaka së bashku me të miturin Rejhan Bela duke vëzhguar dhe koordinuar në mes vete, ndërsa pas vrasjes i pandehuri Haki Bela rreth 14 minuta mbrapa vrasjes vjen në vendin e ngjarjes dhe pas 2 minutave largohet prej aty, pamje nga (kamerat e sigurisë te lokali “Te Luzha”).

Të akuzuarit, ngarkohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.

Edhe Deklarohen të pafajshëm gjashtë të akuzuarit për vrasjen e policit Muhamed Lika Arbëri Deklarohen të pafajshëm gjashtë të akuzuarit për vrasjen e policit Muhamed Lika

Ndërsa, për të pandehurin Diamant Gashi, aktakuza thotë se me datën 01 prill 2025 rreth orës 23:00, e ka ndihmuar të miturin Rejhan Bela të arratiset, pas kryerjes së veprës penale të Vrasjes së Rëndë, në atë mënyrë që paraprakisht pasi që të pandehurit e lartcekur sikurse në dispozitivin e I-rë të aktakuzës ne bashkëkryerje, duke planifikuar, përcjellë lëvizjen e viktimës rreshter Muhame Lika, me date 01.04.2025 rreth orës 23:00 i mituri Rejhan Bela ka kryer veprën e vrasjes ne bashkëkryerje, duke u ndihmuar edhe nga te pandehurit Haki Bela, Rilind Murati, Vatan Çaka, Edmond Lika, Shkëlqim Kuka ndërsa i pandehuri Diamant Gashi duk e strehuar ne shtëpinë e tij te miturin Rejhan Bela e ka ndihmuar duke i ofruar ndihmë në ushqim dhe gjana tjera dhe në shmangien e zbulimit dhe arrestimit përmes fshehjes në shtëpinë e tij dhe fshehjes së mjeteve dhe provave duke e strehuar dhe ndihmuar të njëjtin dhe ndërmarrjen e veprime për pengimin e arrestimit dhe duke i ndihmuar në komunikim me të pandehurin Haki Bela vëllain e të miturit.

Ai ngarkohet me veprën penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerës së veprës penale”.