Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave nën dyshimin për vrasjen e policit Muhamed Lika më 1 prill të vitit të shkuar. H.B., R.M, V.Ç., E.L., Sh.K., dhe D.G. akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “vrasje të rëndë”.
Sipas akuzës, të pandehurit e kanë kryer veprën me dashje dhe kanë bërë përgatitje paraprake. Dyshimet janë se ndaj rreshterit Lika ka qëlluar me armë R.B., që ishte në moshë të mitur kur dyshohet se e ka kryer veprën.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se lidhur me rastin e vrasjes së zyrtarit policor në Kaçanik M.L, pas zhvillimit të hetimeve dhe sigurimit të provave ka ngritur aktakuzë kundër 6 të pandehurve me inicialet H.B, R.M, V.Ç, E.L, SH.K dhe D.G, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.9 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, sepse me datë 01 Prill 2025, rreth orës 23:00, në Kaçanik, afër vendit ku ka jetuar viktima, të pandehurit në bashkëkryerje me të miturin R.B, me dashje dhe përgatitje paraprake kanë privuar nga jeta tani të ndjerin zyrtarin policor, rreshter M.L, me armë zjarri, ku si pasojë e të shtënave nga plagët ndërron jetë, e pastaj largohen nga vendi i ngjarjes”, thuhet në njoftim.
Rreshteri Muhamed Lika dyshohet se qe qëllua në shkallët e banesës së tij, pasi përfundoi orarin e punës në Stacionin e Policisë në Kaçanik. Javë më vonë u arrestuan shtatë persona, të cilët nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”, u dërguan në paraburgim.
Vrasja e Likës ndodhi më 1 prill të këtij viti, rreth orës 23:00, në rrugën “Idriz Seferi” në Kaçanik, në afërsi të banesës së viktimës. Hetimet kanë zbuluar se i mituri, në bashkëkryerje me persona të tjerë, kishte planifikuar dhe kryer me dashje vrasjen e zyrtarit policor, i cili po kthehej nga puna.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, për të cilën pati raportuar KOHA, i mituri e kishte ndjekur viktimën deri në hyrje të objektit banesor dhe më pas kishte hyrë brenda, ku e kishte qëlluar katër herë me armë zjarri të kalibrit 9.19 mm. Pas aktit, ai kishte vrapuar në drejtim të lokalit “Dukagjini”, ku e kishte pritur i bashkëpandehuri R.M., me të cilin më pas ishin larguar nga vendi i ngjarjes.
Në raportin e autopsisë është konstatuar se shkak i vdekjes së viktimës kanë qenë plagët e marra nga predhat e armës së zjarrit.
Rreshteri Lika, sipas drejtorit të Policisë së përgjithshme, Gazmend Hoxha, dyshohet është vrarë për shkak të punës si pjesëtar i Policisë.
“Rreshteri ynë ka qenë në detyrë zyrtare kur kanë ndodhur këto raste dhe mandej ka punuar në mbështetje të hetimeve të Policisë, e që janë dyshime të rasteve të mëhershme. Këta janë persona të dyshimtë, që disa prej tyre kanë qenë të arrestuar në rastet e mëhershme që lidhen me pamfletin dhe me djegien e Gjykatës në Kaçanik”, pati thënë Hoxha pak kohë pas aktit të vrasjes.
Gjykata Themelore në Ferizaj, tri javë pas vrasjes, pati njoftuar për KOHËN se i dyshuari R.B., që ka qenë i mitur në kohën kur dyshohet se ka kryer vrasjen e policit Muhamed Lika, është në procedurë të ekzekutimit të masës institucionale për dy vjet, për veprën penale “dhunim”. Ndaj tij ishte lëshuar urdhërarrest.