Kronikë

Prokuroria kërkon burgim ndaj të miturit për vrasjen e policit në Kaçanik

Vrasja

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për të Mitur, ka paraqitur propozim për shqiptimin e dënimit me burgim për të mitur ndaj një të mituri, i cili po akuzohet për përfshirje në vrasjen e zyrtarit policor Muhamed Lika në qytetin e Kaçanikut.

Vrasja e Likës ndodhi më 1 prill të këtij viti, rreth orës 23:00, në rrugën “Idriz Seferi”, në afërsi të banesës së viktimës. Hetimet kanë zbuluar se i mituri, në bashkëkryerje me persona të tjerë, kishte planifikuar dhe kryer me dashje vrasjen e zyrtarit policor, i cili po kthehej nga puna.

Sipas aktakuzës, i mituri e kishte ndjekur viktimën deri në hyrje të objektit banesor dhe më pas kishte hyrë brenda, ku e kishte qëlluar katër herë me armë zjarri të kalibrit 9.19 mm. Pas aktit, ai kishte vrapuar në drejtim të lokalit “Dukagjini”, ku e kishte pritur bashkëpandehuri R.M., me të cilin më pas ishin larguar nga vendi i ngjarjes.

Në raportin e autopsisë është konstatuar se shkaku i vdekjes së viktimës ka qenë plagët e marra nga predhat e armës së zjarrit.

Prokuroria e ngarkon të miturin me veprën penale “Vrasje e rëndë”.

I mituri ndodhet në paraburgim që nga data 21 prill.

Përveç të miturit dhe R.M., në pranga të Policisë për vrasjen e policit janë edhe katër persona të tjerë.