Arbëri

Tetë muaj pas vrasjes, ende s’ka aktakuzë për të dyshuarit për vrasjen e rreshterit Lika

Për të dyshuarit e vrasjes së rreshterit Muhame Lika në Kaçanik, e që vazhdojnë të jenë në paraburgim nga 22 prilli, Prokuroria Themelore në Ferizaj nuk ka ngritur aktakuzë. Ndonëse vrasja ka  ndodhur më 1 prill të këtij viti, në këtë institucion thanë se ende po zhvillohen hetime

Tetë muaj pas vrasjes së rreshterit Muhamed Lika në Komunën e Kaçanikut, ende nuk është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Themelore në Ferizaj.

Rreshteri Muhamed Lika dyshohet se u qëllua në shkallët e banesës së tij, pasi përfundoi orarin e punës në Stacionin e Policisë në Kaçanik.

Javë më vonë u arrestuan shtatë persona, të cilët nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”, u dërguan në paraburgim.

Në Prokurorinë Themelore në Ferizaj thanë se janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për rastin.

“Prokurori i çështjes është duke i zhvilluar hetimet lidhur me këtë çështje penale dhe të pandehurit janë ende nën masën e paraburgimit. Ndërkaq, lidhur me kohën e ngritjes së aktakuzës, prokurori i çështjes pas grumbullimit të të gjitha provave dhe fakteve, brenda afateve ligjore, do të vendosë për këtë çështje penale”, bënë të ditur nga Prokuroria në Ferizaj.

Avokati Ardian Bajraktari thotë se vrasja e rreshterit Lika duhet të zbardhet sa më shpejt që është e mundur.

“Rasti në fjalë, për aq kohë sa është brenda afateve ligjore dhe dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, vlerësoj që është në rregull duke shpresuar që institucioni i Prokurorit të Shtetit ka ndërmarrë dhe është në vazhdimësi në ndërmarrje të veprimeve të nevojshme, në drejtim të hetimeve të zbardhjes së rastit në fjalë sa më parë të jetë e mundur”, ka thënë Bajraktari.

Sipas Prokurorisë, nga incizimet prej vendit të ngjarjes dhe kamerave të sigurisë përreth, janë kuptuar lëvizjet e të dyshuarve para, gjatë dhe pas aktit të vrasjes së rreshterit Lika.

Vrasja e Likës ndodhi më 1 prill të këtij viti, rreth orës 23:00, në rrugën “Idriz Seferi” në Kaçanik, në afërsi të banesës së viktimës. Hetimet kanë zbuluar se i mituri, në bashkëkryerje me persona të tjerë, kishte planifikuar dhe kryer me dashje vrasjen e zyrtarit policor, i cili po kthehej nga puna.

Sipas aktakuzës, i mituri e kishte ndjekur viktimën deri në hyrje të objektit banesor dhe më pas kishte hyrë brenda, ku e kishte qëlluar katër herë me armë zjarri të kalibrit 9.19 mm. Pas aktit, ai kishte vrapuar në drejtim të lokalit “Dukagjini”, ku e kishte pritur i bashkëpandehuri R.M., me të cilin më pas ishin larguar nga vendi i ngjarjes.

Në raportin e autopsisë është konstatuar se shkak i vdekjes së viktimës kanë qenë plagët e marra nga predhat e armës së zjarrit.

Rreshteri Lika, sipas drejtorit të Policisë së përgjithshme, Gazmend Hoxha, dyshohet është vrarë për shkak të punës si pjesëtar i Policisë.

“Rreshteri ynë ka qenë në detyrë zyrtare kur kanë ndodhur këto raste dhe mandej ka punuar në mbështetje të hetimeve të Policisë, e që janë dyshime të rasteve të mëhershme. Këta janë persona të dyshimtë, që disa prej tyre kanë qenë të arrestuar në rastet e mëhershme që lidhen me pamfletin dhe me djegien e Gjykatës në Kaçanik”, ka thënë Hoxha pak kohë pas aktit të vrasjes.

Gjykata Themelore në Ferizaj, tri javë pas vrasjes, ka njoftuar për KOHËN se i dyshuari R.B., që ka qenë i mitur në kohën kur dyshohet se ka kryer vrasjen e policit Muhamed Lika, është në procedurë të ekzekutimit të masës institucionale për dy vjet, për veprën penale “dhunim”. Ndaj tij ishte lëshuar urdhërarrest.