Gjashtë të akuzuarit në rastin e vrasjes së rreshterit të Policisë, Muhamed Lika, janë deklaruar të pafajshëm.
Gjatë kësaj seance, avokatja Fehmije Bytyqi e cila është palë mbrojtëse e të pandehurit Diamant Gashi, ka kërkuar që masa e paraburgimit, Gashit t’i zëvendësohet me arrest shtëpiak ose ndonjë masë tjetër më të lehtë.
Gjithashtu edhe avokati i të pandehurit Rilind Murati, Musa Konxheli ka kërkuar që masa e paraburgimit ndaj Muratit të ndryshohet me ndonjë masë tjetër pasi e ka vlerësuar se provat materiale të dorëzuara në gjykatë nuk mund të ndryshohen, asgjësohen apo të ndikohet ndonjë dëshmitar.
Prokurori Ismet Rrahmani i ka kundërshtuar këto propozime të avokatëve.
“Kundërshtoj propozimin nga ana e tyre, ashtu siç është përcaktuar në paragrafin 8 propozimi për masën e paraburgimit. Konsiderojmë se duke pasur parasysh aktvendimin e fundit lidhur me vazhdimin e masës së paraburgimit, qëndrojnë të gjitha arsyet dhe shkaqet ligjore për të cilat është vazhduar masa e paraburgimit”, ka deklaruar prokuroi Rrahmani.
Gjykata i refuzoi propozimet e avokatëve Bytyqi dhe Konxheli.
“Me respektim të dispozitës ligjore të nenit 240 paragrafi 4, Gjykata refuzon propozimin e avokatëve mbrojtës Fehmije Gashi-Bytyqi dhe Musa Konxheli që të pandehurve Rilind Murati dhe Diamant Gashi t’i ndërprehet masa e paraburgimit apo t’i zëvendësohet me një masë alternative me arsyetimin sikurse në aktvendimin për vazhdim të paraburgimit të dates 08.01.2026”
Në aktakuzë thuhet që polici Muhamet Lika, pasi e përfundoi orarin e punës, në mbrëmjen e 1 prillit, u përcoll deri te banesa e tij nga të akuzuarit, ndërsa në hyrjen e banesës së tij për ta kryer veprën “Vrasje e Rëndë” hyri i mituri Rejhan Bela dhe e qëlloi policin Lika.
“...i pandehuri Haki Bela pasi që kishte qëndruar në lokalin e tij ‘Aksa’, prej aty niset për në drejtim të Stacionit Policor, dhe e përcjellë viktimën Muhamed Lika, prej momentit të daljes nga Stacioni Policor e pastaj viktima vazhdon në drejtim të banesës, ndërsa i pandehuri Haki vazhdon në drejtim të rrugës ‘UÇK’ për 20 metra dhe më pastaj pas 30 sekondave kthehet në drejtim të viktimës. Në vazhdim të pandehurit Shkëlqim Kuka dhe Edmond Lika në rrugë vëzhgojnë rrugëtimin e viktimës, pasi që kishin parkuar veturën ‘Opel Astra’, ngjyrë e bardhë me targa 05-518-GH, me vozitës Shkëlqim Kuka dhe pasagjer Edmond Lika, afër stacionit policor dhe në momentin që kalon viktima për rreth veturës në drejtim të banesës së tij, nga vetura del pasagjeri Edmon Lika dhe hip në veturën e tij ‘Golf 2’, ngjyrë e kaltër duke vozitur të njëjtën me drita të fikura dhe duke vazhduar në rrugën njëdrejtimeshe duke përcjellë viktimën në drejtim kah ka lëvizur, ndërsa i pandehuri Shkëlqim me veturën ‘Opel Astra’ nga ky moment merr veprimin dhe vazhdon duke shkuar afër vendit të ngjarjes, viktima vazhdon rrugëtimin pastaj në rrugën ‘Idriz Seferi’ afër hyrjes së banesës së tij, i mituri Rejhan Bela vazhdon duke e përcjellë viktimën mbrapa, i cili hynë në hyrjen e banesës së tij dhe menjëherë pas viktimës i mituri Rejhan Bela hynë pas tij në hyrjen e objektit të banesës dhe me të takuar të ndjerin shtie në drejtim të tij me armë zjarri, të kalibrit 9.19 mm, dhe kthehet me vrap mbrapa nga kishte ardhur pas kryerjes së vrasjes duke ikur në drejtim të lokalit ‘Dukagjini’ ku bashkohet me të pandehurin Rilind Murati, i cili kishte qenë duke e pritur dhe së bashku me vrap largohen përmes rrugës ‘Mejdi Dalloshi’. Ndërsa deri sa ishin duke vrapuar i mituri dhe i pandehuri dëgjohet një zë duke thënë ‘Bravo ik’”, thuhet në aktakuzën që e lexoi Rrahmani.
Tutje thuhet që i pandehuri Diamant Gashi, e ka ndihmuar të miturin Rejhan Bala të arratiset pasi kreu vrasjen e policit Muhamed Lika, duke e strehuar në shtëpinë e tij, duke fshehur edhe prova materiale si dhe duke e ndihmuar në komunikim më vëllanë e tij po ashtu të akuzuar në këtë rast, Haki Belën.
Gjashtë të akuzuarit Haki Bela, Rilind Murati, Vatan Çaka, Edmond Lika, Shkëlqim Kuka dhe Diamant Gashi janë deklaruar të pafajshëm.