Arbëri

Uran Ismaili zyrtarizon kandidaturën për kryetar të Prishtinës

Uran Ismaili edhe zyrtarisht ka shpallur sonte kandidaturën e tij për Kryetar të Prishtinës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Nga shkolla “Ismail Qemali” në Breg të Diellit, ku e ka kryer filloren dhe ku e ka kaluar fëmijërinë, Ismaili ka thënë se po i futet kësaj gare për t'ia kthyer Prishtinën qytetarëve.

“Nën flamujt dhe logot partiake u kërkua vota e u fitu pushteti, por për 20 vite Prishtina u trajtu si treg i madh pronash e si koeficient për ndërtime e mbindërtime. Qyteti u trajtu pa vizionin e duhur dhe pa ndjeshmërinë e kërkuar. Me disa vizatime të cilat hidheshin në kosh të mbeturinave pas zgjedhjeve.”, ka thënë Ismaili.

Ismaili ka shtuar se Lagjet e Prishtinës nuk janë as të partive politike e logove partiake që i kanë shfrytëzuar e anashkaluar të gjitha lagjet.

“Lagjet e Prishtinës janë tonat dhe duhet ta kthejmë vëmendjen nga to. Dardania, Ulpiana, Aktashi, Kodra e Trimave, Qendra, Mati, fshatrat e Prishtinës... të gjitha janë lënë në harresë. Qytetin po e bëjnë të pa banueshëm nga brenda për të krijuar lagje të reja jashtë Prishtinës. Po e mbysin shpirtin e lagjeve të Prishtinës, duke shndërrua lagjet tona në geto të betonizuar dhe të shëmtuar”, ka shtuar Ismaili.

Ai shtoi se angazhimi për Prishtinën është angazhim për jetën tonë. “Bashkimi jonë është bashkim për qytetin tonë.”, tha ai.

“E njoh Prishtinën që nuk lejon të përbuzet në pafundësi dhe besoj se ajo Prishtinë është ende gjallë, Prishtina të cilën e kanë mbajtur gjallë qytetarët e saj. Prishtina është kush është për shkak qytetarëve të saj. Dhe kjo është arsyeja kryesore pse unë kandidoj për Kryetar të Prishtinës. Sepse dua t’ia kthej Prishtinën qytetarëve. Kjo është rruga e vetme për një Prishtinë më të mirë dhe ky është qëllimi im.”, ka thënë Ismaili.

Ismaili tregoi se në 100 ditët e ardhshme do ta shpalos programin për Prishtinën dhe do të dëgjo secilin qytetar, pavarësisht përcaktimit partiak.

Në fund, ai tha se janë tri gjëra të cilat nuk do t’i bëjë asnjëherë.

“1. Unë nuk do ta bëj Prishtinën edhe një arenë tjetër për betejë politike e për parti. Per mua identiteti më i rëndësishëm është Prishtina. Kjo është ajo që ka rëndësi. 2. Unë nuk do ta përdor Komunën për t'i shërbyer çfarëdo interesi politik, personal apo partiak mbi interesin e qytetarëve të Prishtinës. 3. Unë nuk do ta përdor Komunën për t'i shërbyer ndonjë interesi biznesi kundër interesit të qytetarëve të Prishtinës.”, këto, tha Ismaili, janë tri gjëra që nuk do ti bëjë asnjëherë./kp