Zgjedhjet lokale

A është Uran Ismaili “pishman” që e votoi Përparim Ramën për kryetar komune?

Uran Ismaili

Kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka thënë se nuk jep premtime që nuk i realizon dhe se nuk është njeri “kalimtar” në Prishtinë. 

“S’kam ardhur me dhënë premtime që nuk i mbaj. S’jam njeri kalimtar në Prishtinë, por jam person që tërë jetën kam jetuar këtu. E kam të rëndësishme, që kur takohen me njerëzit në Prishtinë, të jem i drejtpërdrejt e i sinqertë me ta. T’u them votën që ma keni dhënë për këtë punë, ja ku është puna”, tha Ismaili në “Zgjedhjet në KOHË”. 

Ismaili ka thënë se dëshiron ta shohë Prishtinën mirë. 

“Garën time për këtë arsye e kam kalibruar në nevojat reale që kemi. Jo në një fushatë që tenton me marrë votë e mos ta kthejë kokën pas, siç na ka ndodhur në 25 vjetë. Me tregu drejtë, unë edhe vet kam votuar kandidat të ndryshëm në Prishtinë. Kam qenë anëtar i një partie që nuk kemi shkuar në balotazh, e doja të provoja oferta të ndryshme për Prishtinën. Nuk na kanë kthyer në rezultat ato oferta”, tha Ismaili. 

I pyetur nëse është pishman që ka ndihmuar Përparim Rama të vinte në krye të Prishtinës, Ismaili ka thënë se është i zhgënjyer si qytetar i Prishtinës, por është zhgënjyer edhe me votat e tij që ka dhënë në të kaluarën. 

“Në fund më ka mbetur problemi si qytetar i Prishtinës...Problemet na kanë mbetur si Prishtinë...Të flasim për çerdhe në vitin 2025, kur na teprojnë 25 milionë euro në vit...Duhej tash të flisnim për vizionin për të ardhmen, rilindje urbane. Por, s’mund të krijojmë vizion tjetër, të vijë dikush të tentojë të sjellë vizione, e në anën tjetër gjithë ne në Prishtinë të kemi probleme e frustrime ditore. E çfarë po na thonë, ‘mos mendoni për jetën tuaj, votonani ne’. Po na lypin nga 8 apo 10 vjet, se nuk po u del boll një mandat. Është e padrejtë për jetët tona në Prishtinë. Programi im është konkret”, ka thënë Ismaili. 

Ai ka thënë se drejtorët komunalë nga radhët e PDK-së nën qeverisjen e Përparim Ramës, si dhe nënkryetarja, kanë bërë punë mjaft të mirë. Ka thënë se është vërejtur dinamizmi i tyre. 

“Por, me z. Rama vendosi të shkojë agjendë tjetër, me të cilën ne nuk jemi pajtuar. Natyrisht pastaj ai vendosi të marrë vendim që të na largojë nga koalicioni.  Me rëndësi të kuptohet, se atë energji, atë dinamizëm, më nuk e kemi parë”, tha Ismaili. 
 

Lexo përditësimet tjera
Uran Ismaili

Nëpër Prishtinë me Uran Ismalin - Zgjedhjet në KOHË