Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti kanë marrë çmimin “Alumni i Nderit të Universitetit të Prishtinës” nga Universiteti i Prishtinës të martën.
Rektori i UP-së, Arben Hajrullahu, ka thënë se Universiteti i Prishtinës është krenar për të arriturat e Osmanit dhe Kurtit.
“Ju të diplomuarit e UP-së në përpjekjet e juaja të përditshme të një shteti të së drejtës dhe një Kosove më të zhvilluar dhe më të fortë, e bëni fort krenare edhe shtëpinë tonë të përbashkët UP. Me këtë rast kam nderin e veçantë që në emër të UP-së, respektivisht shoqatës së të diplomuarve të UP-së, t’ju dorëzoj çmimin ‘Alumni Nderi i UP-së’”, ka thënë ai.
Presidentja Osmani tha se investimi në dije është investimi më fisnik që mund të bëjë një shtet.
“Të rikthehesh këtu në UP jo më si studente apo ligjëruese, por për të pranuar një nder nga ky tempull i dijes që të rriti, është një emocion i vërtetë. Këto dy fate, ai i studentes dhe ligjëruese, janë rrugë që më kanë frymëzuar si njeri, profesioniste dhe si presidente. Investimi në dije është investimi më fisnik që mund të bëjë një shtet, e njëkohësisht është edhe investimi më i mençur. Çmimi është një nder i jashtëzakonshëm, është një falënderim për të gjithë profesorët e mi, që na mundësuan që të mos dorëzohemi”, ka thënë ajo.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, teksa mori çmimin, ka thënë se Qeveria do t’iu përgjigjet gjitha kërkesave që vijnë nga universiteti.
“E shoh veten si njeri i afërt dhe i lidhur me të shkuarën dhe të ardhmen e këtij universiteti. Që nga themelimi i universitetit, nuk ka ngjarje që Kosova ta ketë zanafillën në përmbajtjen e vet emrit të studentit. Universiteti u themelua që të ketë kornizë profesionale dhe bartës të guximit. Ai shërbeu si mënyra më e lartë ndaj protestës dhe okupimit dhe duke treguar se kur dija bëhet ndërgjegje, është gjithmonë akt lirie. UP është një ndër ngjarjet më të mëdha të historisë së Kosovës. Qeveria e Kosovës do t’i përgjigjet të gjitha kërkesave që vijnë nga universiteti. Pranimi i këtij çmimi është një përgjegjësi e madhe”, ka deklaruar Kurti.
Siç ka bërë të ditur në paralajmërim, Universiteti i Prishtinës ka ndarë këtë çmim për shkak se udhëheqësit kanë qenë dikur studentë të tij dhe se “Universiteti i Prishtinës njërin nga prioritetet e tij e ka lidhjen me ish-studentët dhe të diplomuarit që kanë bërë emër e karrierë kudo nëpër botë dhe në Kosovë”.

