Arbëri

Në përvjetorin e UP-së më shumë u fol për kaluarën heroike, sesa për rolin e ri

Në përvjetorin e UP-së më shumë u fol për kaluarën heroike, sesa për rolin e ri

Foto: Driton Paçarada

Universiteti i Prishtinës ka shënuar 56-vjetorin e themelimit. Në këtë përvjetor, më shumë u fol për të kaluarën heroike të paraluftës, sesa për rolin e ri dhe sfidat me të cilat universiteti më i madh publik përballet.

Pesëdhjetë e gjashtë vjet pas themelimit, Universiteti i Prishtinës vazhdon të festojë historinë e rezistencës.

Në këtë përvjetor, më shumë u fol për të kaluarën heroike të paraluftës, sesa për rolin e ri dhe sfidat me të cilat universiteti më i madh publik përballet.

Në ceremoninë qendrore që mblodhi studentë, profesorë, akademikë vendorë e ndërkombëtarë, rektori Arben Hajrullahu tha se UP-ja arriti të mbijetojë në periudha të vështira.

“Ky universitet, i krijuar nga fuqia e popullit që e përjetëson, arriti të mbijetojë periudha tepër të vështira: diskriminimin e vazhdueshëm të popullit shumicë, aparteidin dhe dëbimin nga objektet universitare gjatë viteve ’90, rezistencën civile dhe atë të armatosur. Universiteti i Prishtinës asnjëherë nuk u thye, asnjëherë nuk u ndal, gjithnjë e vazhdoi rrugën përpara”, tha Hajrullahu.

Për rolin që UP-ja pati gjatë viteve të rezistencës së shqiptarëve ndaj pushtetit të Serbisë, foli edhe Arsim Ademi, i cili është zëvendësministër i Arsimit.

“Unë jam i vetëdijshëm për rolin që ka pasur ndër vite ky universitet, i cili më vonë kuptohet është shoqëruar me universitete të tjera, qoftë publike apo private, por atë botë normalisht ishte i pazëvendësueshëm”, tha Ademi.

E nënkryetari i Akademisë së Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, Fejzullah Krasniqi, tha se që nga themelimi Universiteti i Prishtinës ka qenë shtylla kryesore e kërkimit shkencor dhe zhvillimit intelektual në vend.

“Për dekada me radhë, ai ka shërbyer si vatër e përgatitjes së kuadrove, të cilat kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin një kontribut të jashtëzakonshëm në të gjitha fushat e jetës shoqërore, shkencore, ekonomike dhe kulturore. Ky institucion i shenjtë i dijes ka qenë qendër për arsimin, por edhe një pikë referimi për brezat e rinj nga të gjitha trojet me popullatë shqiptare”, deklaroi Krasniqi.

Në këtë ceremoni u nderuan me mirënjohje Universiteti i Lubjanës, si dhe Universiteti i Shkencave të Aplikuara Savonia, i Finlandës.

UP-ja u themelua me ligj më 18 nëntor të vitit 1969. Kuvendi Themelues u mbajt më 13 shkurt 1970, ndërsa më 15 shkurt 1970 u mbajt mbledhja solemne e Kuvendit, që shënon Ditën e Universitetit.