Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

UP-ja kritikohet për çmimin që ua ndau Osmanit dhe Kurtit

Universiteti i Prishtinës ka ndarë çmimin “Alumni i Nderit” për presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Përfaqësues të studentëve dhe aktivistë të shoqërisë civile kanë kritikuar menaxhmentin për favorizim politik

Me kritika është pasuar ndarja e çmimit “Alumni Nderi”, me të cilin Universiteti i Prishtinës ka laureuar presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, të dy ish-studentë të këtij institucioni.

Rektori Arben Hajrullahu ka arsyetuar vendimin, kur ua ka dorëzuar çmimet dy liderëve shtetërorë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Në përpjekjet e juaja të përditshme të një shteti të së drejtës dhe një Kosove më të zhvilluar dhe më të fortë, e bëni fort krenare edhe shtëpinë tonë të përbashkët UP”, ka thënë Hajrullahu.

Në ceremoni, Osmani e Kurti kanë folur për çmimin e edhe për UP-në.

“Çmimi është një nder i jashtëzakonshëm, është një falënderim për të gjithë profesorët e mi, që na mundësuan që të mos dorëzohemi”, ka thënë Osmani.

E Kurti ka thënë se është përgjegjësi e madhe pranimi i këtij çmimi.

“UP është një ndër ngjarjet më të mëdha të historisë së Kosovës. Qeveria e Kosovës do t’iu përgjigjet të gjitha kërkesave që vijnë nga universiteti. Pranimi i këtij çmimi është një përgjegjësi e madhe”, ka thënë ai.

Por, disa nga përfaqësuesit e studentëve kanë kritikuar menaxhmentin e Universitetit për çmimet e ndara.

Këshilli i Studentëve të Fakultetit të Ekonomisë u ankua te Këshilli i Etikës pas ceremonisë.

“Në këtë event ekziston shkelje e parimit të neutralitetit politik, pasi krijohet përshtypja se hapësirat dhe autoriteti i Universitetit po përdoren për favorizim politik”, thuhet në reagim.
Për vendimin, UP-ja dhe rektori Hajrullahu janë kritikuar edhe nga aktivistë të shoqërisë civile.