Gjithçka në rregull dukej jashtë objektit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, por kaotike ishte gjendja brenda, e në situatë aspak të favorshme ishte Ministri Skender Reçica.
Dhjetëra ish-pjesëtarë të TMK-së e invalidë të UÇK-së, bllokuan këtë ministri, pasi që iu ishte ndalë njëri prej dy pensioneve që e kishin përfituar deri para këtij muaji.
Ata kanë kërkuar nga ministri që t’u kthehen pensionet, raporton KTV.
Ministri Reçica, i rrethuar nga stafi i tij dhe pjesëtarë të policisë, është arsyetuar se vetëm e kanë zbatuar një rekomandim të Zyrës Kombëtare të Auditorit, derisa ka premtuar se do të angazhohet të zgjidhet kjo çështje.
Megjithatë, sipas përfaqësuesve të ish-pjesëtarëve të TMK-së, pensionet e dyfishta nuk janë të jashtëligjshme, derisa kanë paralajmëruar se protesta e ardhshme, nëse do të jetë e nevojshme, do të jetë më e organizuar.
Gjatë kësaj proteste është paralajmëruar edhe formimi i një komisioni shtetëror ndërinstitucional, për harmonizimin e legjislacionit për këto kategori.
Zyra Kombëtare e Auditorit, për disa vite, në raportin e saj vjetor për këtë ministri, e ka konsideruar si të paligjshme ndarjen e pensioneve të dyfishta.
Vetëm vitin e kaluar vlera e gabimit financiar nga kjo praktikë kishte arritur në 701 mijë euro, derisa KTV-ja muajin e kaluar raportoi se në 3 vitet e fundit pagesat e gabuara për pensionet e dyfishta, pensionet e personave të punësuar dhe atyre që kanë vdekur, arrinin në mbi 4 milionë euro.
-
Auditori gjen mangësi në pensionet e dyfishta dhe pensionet për personat e punësuar
-
Ultimatum Reçicës, ish-pjesëtarët e TMK-së dhe UÇK-së kërkojnë t’i marrin dy pensionet
-
TMK-ja bllokon Ministrinë e Punës
-
IKD-ja kërkon që MF-ja me rezolutë të obligohet t’i lejojë pensionet e dyfishta
-
Për një vit, listës së veteranëve që përfituan pension iu shtuan 165 persona