KOSTT-i ka njoftuar se pas një mbledhje të mbajtur gjatë ditës së sotme kanë vendosur që Trim Tërnava të jetë kryeshefi ekzekutiv i KOSTT-it. Ai detyrën do ta fillojë nga 16 shkurti.
“Pas zhvillimit të një procesi transparent dhe konkurrues, në përputhje me Ligjin për Ndërmarrjet Publike, Bordi i Drejtorëve i KOSTT Sh.A., në mbledhjen e mbajtur më 19 janar 2026, njëzëri ka emëruar z. Trim Tërnavën Kryeshef Ekzekutiv të KOSTT Sh.A. i cili do të filloj këtë detyrë nga data 16 shkurt 2026. Trim Tërnava ka përfunduar studimet master në Ekonomi të Energjisë në Rice University, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa studimet themelore i ka përfunduar në Inxhinieri Elektrike në Universitetin e Prishtinës”, thuhet në njoftimin e KOSTT-it.
Në prill të vitit të kaluar, KOSTT-i pasi ndërpreu marrëdhënien e punës për kryeshefin ekzekutiv të kësaj ndërmarrje, Evetar Zeqiri, emëroi si ushtrues detyre në këtë pozitë, Shaban Nezirin i cili deri atëherë mbante pozitën e zëvendës kryeshefit ekzekutiv.
Tashmë këtë pozitë do e mbajë Trim Tërnava sipas njoftimit të fundit të KOSTT-it. Në njoftim tutje thuhet se Tërnava ka “një dekadë përvojë profesionale dhe udhëheqëse në sektorin e energjisë dhe synon forcimin e rolit të KOSTT në arritjen dhe avancimin e objektivave strategjike të shoqërisë”.