Arbëri

Tri fshatra në Leposaviq rrezikojnë të mbesin pa banorë

Koshtova, Bistrica dhe Ceraja, tre fshatra të banuar me shqiptarë në Leposaviq, rrezikojnë të braktisen nga banorët, si pasojë e mungesës së transportit dhe infrastrukturës. Banorët ankohen se këto probleme, me të cilat po përballen prej më shumë se gjashtë vjetësh, ua kanë vështirësuar edhe më shumë jetesën.

Bujqësia dhe blegtoria janë veprimtaritë kryesore nëpërmjet të cilave banorët e fshatrave Koshtovë, Bistricë e Cerajë të Leposaviqit e sigurojnë jetesën.

Me gjithë relievin e përshtatshëm, problemi i mungesës së infrastrukturës dhe transportit i shoqëron banorët për çdo ditë.

Eset Musa, nga fshati Koshtovë, tregon se as niveli lokal e as ai qendror nuk ua kanë siguruar asnjë mjet transporti.

“Po këtu, veç dikush kush ka ndonjë veturë, do me thënë diçka të veten, ka diku 7-8 vjet që është ndërprerë se ka qenë një linjë që e pati bë Qeveria, humanitare kështu. Po atë e kanë ndërprerë. Tash më nuk ka asgjë. Veç në forca të veta, kush ka ndonjë veturë”, ka thënë Musa.

Me rrugë të paasfaltuara e patransport publik janë edhe dy fshatrat e tjera të banuara me shqiptarë.

Si pasojë e mungesës së infrastrukturës dhe transportit, tri fshatrat e Komunës së Leposaviqit: Koshtovë, Cerajë dhe Bistricë rrezikohen të boshatisen tërësisht nga banorët shqiptarë.

Të tri këto fshatra numërojnë rreth 20 shtëpi të banuara. Në familjen tetanëtarëshe të Avni Halilit tregojnë se problemet e lidhura me infrastrukturën e kanë vështirësuar jetesën e tyre.

E gjendja e tillë thonë se po i detyron t’i braktisin shtëpitë dhe pronat.

“Këtu jeta shumë është vështirësuar, për shkak të transportit publik për me i bart nxënësit, popullatën, të gjithë. Ne po na duhet me vetura tona qysh po mundemi me lëviz. E sa i përket rrugës, atë e kanë shtru qetash, po shpresojmë që edhe asfalt, së këta shiu e prish gjatë kohës së dimrit. Edhe ka vështirësi të ndryshme këtu, problem është, kanë mbet pak popullatë”, ka thënë Haliti, banor i Cerajës.

Për këto probleme të banorëve, KOHA prej një jave ka dërguar pyetje në Komunën e Leposaviqit, si dhe në Ministrinë e Infrastrukturës, por nuk ka marrë përgjigje.