LAJMET E MBRËMJES

Kandidatët shqiptarë për kryetar të Leposaviqit synojnë bashkëqeverisjen me serbë

Nga 5 qendrat e votimit në Komunën e Leposaviqit, vetëm një është hapur në shkollën “Kadri Bistrica” ndërsa katër të tjera ishin qendra alternative të vendosura, një në fshatin Koshtovë dhe tri në qendër të qytetit.

Nga 12 mijë e 960 qytetarët me të drejtë vote, në tri qendrat kryesore alternative votuan veç një numër i vogël syresh, kryesisht serbë, që kërkuan të mos xhiroheshin gjatë procesit. E të tjerët zgjodhën bojkotin.

Frekuentim më të madh votuesish pati në Koshtovë dhe në Bistricë të Shalës, pjesë këto të banuara kryesisht me shqiptarë. Ata shprehën optimizmin për ndryshim, si për banorët shqiptarë ashtu edhe për ata serbë.

“Pritëm edhe ma mirë se kryetari i Leposaviqit neve nuk na ka ndihmuar kurrë sen, rrugën na kanë shtru këta të Qeverisë tonë, me pasë prit Komunën e Leposaviqit se kishim shtru kurrë”, tha qytetari Dibran Behrami.

“Pritëm ma mirë, një të ardhme më mirë si për shqiptarë si për serbë. Unë jam i fshatit Koshtovë këtu, jetoj në Komunë të Leposaviqit babë e babagjysh qetu jetojnë. Na pritëm mirë si për serbë si për shqiptarë”, tha qytetari Ahmet Musa.

“Pavarësisht se kush zgjidhet kryetar i Komunës së Leposaviqit, serbë apo shqiptarë apo pavarësisht prej kombësive ai duhet me qenë edhe me i trajtu të gjithë banorët njësoj të cilët jetojnë dhe punojë në territor të Komunës së Leposaviqit”, tha qytetari Rexhep Hetemi.

E kandidatë që synojnë udhëheqjen me këtë komunë kërkuan që qytetarët të shfrytëzojnë të drejtën e votës.

“Ma merrë mendja që do të dalin edhe serbët e do të qeverisim së bashku me ata serbë.... Jo ne jetojmë me shekuj këtu në vendin tonë jemi, Leposaviqi është qyteti jonë serbëve duhet me ju ndihmu tash”, tha Lulzim Hetemi, kandidat nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

“I ftoj të gjithë qytetarët që të dalin masovisht në këto zgjedhje. Unë për këto zgjedhje pres që çdo gjë të jetë në rregull dhe të mos ketë incidente”, tha Albulena Behlumi-Hetemi, kandidate për kryetare nga radhët e PDK-së.

Në këtë Komunë, zgjedhjet janë mbajtur edhe për asamble komunale. E i gjithë procesi ka rrjedhur pa incidente, teksa për sigurinë e votuesve dhe të komisionerëve janë kujdesur forcat e Policisë së Kosovës dhe ato të KFOR-it.

Në zgjedhjet e tetorit të 2021-s, për kryetar të Leposaviqit ishte zgjedhur Zoran Todiqi nga Lista Serbe, me votat e 9 mijë e 65 qytetarëve. Në procesin e të dielës, në këtë komunë, të drejtë vote kanë pasur 45 mijë e 95 qytetarë.