Represion burokratik i Beogradit, spastrim i heshtur etnik, papunësi dhe përçarje: gjendja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës është mjaft e rëndë. Strategji afatgjatë për t’i ndihmuar këta njerëz nuk kanë as Prishtina, as Tirana. Është koha e fundit që kjo të ndryshojë, sepse po vazhdoi kjo situatë, ky rajon historikisht i banuar me shqiptarë mund të zbrazet dalëngadalë. - Një reportazh nga Bujanoci dhe Presheva.
1. KUFIRI
Në Ballkan shpesh simbolet janë më të rëndësishme se përmbajtja. Kufiri me pikat e kontrollit është një simbol i tillë - ai ekziston jo për t’ua lehtësuar jetën qytetarëve, por për t’ua rënduar atë edhe më shumë. Kjo shihet herët në mëngjes, në një ditë korriku, në pikëkalimin kufitar mes Kosovës dhe Serbisë në Konçul.
Nga ana e Serbisë tashmë është krijuar një kolonë e gjatë. Vetura me targa të Bujanocit, Vranjës, të rajonit të Anamoravës së Kosovës, kamionë me targa të Kosovës, të Zvicrës e madje edhe të Republikës së Shqipërisë, të ngarkuar me vetura me targa zvicerane, pastaj vetura me targa gjermane, austriake, zvicerane, franceze etj. - të gjithë presin për të kaluar kontrollin kufitar.
Nuk është sekret se policët kufitarë dhe doganierët në Ballkan nuk i përkasin kategorisë së zyrtarëve që punojnë shpejt dhe me efikasitet. Disa shoferë veturash tejkalojnë kamionët, të cilët duhet të presin edhe më gjatë për procedura doganore, dhe rrëmuja në pikën kufitare të Konçulit bëhet edhe më e madhe, sepse kësisoj u bllokohet rruga atyre që e kanë ndërmend të udhëtojnë në Bujanoc, Preshevë apo gjetiu.
Për shkak të pritjeve të gjata në kufi, por edhe infrastrukturës pothuaj mesjetare në Anamoravë, udhëtimi me veturë nga Bujanoci në Prishtinë (apo anasjelltas) lehtë mund të zgjasë deri në 3 orë (rreth 95 kilometra), ndërsa nga Bujanoci në Nish (gati 140 kilometra) maksimum 1 orë e 20 minuta. Infrastruktura rrugore në Serbinë jugore është pakrahasueshëm më e mirë se ajo në Anamoravën e Kosovës.
Prej vitesh pranë Bujanocit kalon autostrada e re moderne, e cila vazhdon nëpër Qafën e Gërdelicës drejt Nishit. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq vërtet është popullist, por me disa rezultate në punë, ndërsa rajoni i Anamoravës së Kosovës që nga paslufta ka nxjerrë në sipërfaqe kryesisht politikanë pallavraxhinj, të cilët nuk kanë arritur të shtyjnë përpara asnjë projekt të madh infrastukturor për këtë pjesë të Kosovës. Për partitë e mëdha kosovare Gjilani me rrethinë është vetëm një rezervoar votash.

2. IDILI QË MASHTRON
Shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë lidhje të ngushta familjare, ekonomike, sociale dhe historike me Anamoravën. Në Nish shkojnë për ndonjë hall shëndetësor ose për të marrë ndonjë familjar në aeroportin e atjeshëm (gjë që nuk ndodh aq shpesh, sepse shqiptarët e Luginës së Preshevës më shumë fluturojnë nëpërmjet aeroportit të Shkupit dhe Prishtinës).
Në shikim të parë Bujanoci është një qytet i qetë, sidomos në mëngjes. I vendosur në një rrafshinë të bukur, është vend ideal për të lëvizur me biçikletë. Dhe këtë e bëjnë banorët e Bujanocit me pasion - shqiptarë dhe serbë. Blejnë bukë në furrë (e cila si çdokund në Ballkan kërkon punëtorë), ndalen te një shitëse perimesh pranë rrugës, bëjnë pak muhabet se cilët speca janë më djegës, trokasin në lëkurën e shalqinjve për të testuar cilësinë e tyre (një metodë a bestytni që i bashkon madje edhe serbët e shqiptarët) dhe të ngarkuar me pazarin e ditës kthehen në shtëpi me biçikletë.
Por ky idil të mashtron. Nën sipërfaqe pakënaqësia e shqiptarëve në Bujanoc është e madhe. Ata janë shumicë (62 për qind), edhe kryetari i komunës është shqiptar, edhe shumica e këshilltarëve komunalë. Por pushtetin real në shumë fusha të rëndësishme e mban pakica serbe (me 26 për qind). 9 për qind të banorëve janë romë. Të dhënat që i prezantojnë Shaip Kamberi, i cili është deputet në Kuvendin e Serbisë, dhe Ragmi Mustafi, i cili ka drejtuar Këshillin Kombëtar Shqiptar, një organ që përfaqëson pakicën shqiptare në Serbi, janë dëshmi e mjaftueshme për të kuptuar përmasën e diskriminimit të shqiptarëve.
Nga t’ia fillojmë? -, e pyes Shaip Kamberin në një kafeteri në qendër të Bujanocit.
Nga t’ia fillojmë? -, kundërpyet ai me një ironi që buron nga dëshpërimi.

3. SPASTRIM ETNIK PA PUSHKË
Një histori brutale e represionit burokratik është mosnjohja nga Serbia e diplomave universitare të lëshuara në Kosovë. Sipas Shaip Kamberit ekzistojnë së paku 4 marrëveshje që rregullojnë këtë çështje: marrëveshja e Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë, marrëveshja e Washingtonit, marrëveshja e Ohrit dhe një udhëzim administrativ i qeverisë së Serbisë. Në kuadër të Procesit të Berlinit u nënshkrua në fund të vitit 2022 edhe një marrëveshje për pranimin e diplomave universitare mes shteteve të Ballkanit Perëndimor. “Një sukses i jashtëzakonshëm”, tha atëbotë kancelari gjerman Olaf Scholz. Si duket ky sukses?
Një vajzë nga Presheva, e cila ka sudiuar drejtësi në Prishtinë, përfshirë edhe masterin, është e detyruar të qëndrojë në shtëpi, sepse Beogradi nuk i pranon ende diplomat e Kosovës. Mund të merret me mend çfarë dëshpërimi shkakton një trajtim i tillë skandaloz i një profesionisteje që nuk mund të punësohet, nuk mund të japë kontributin e saj për shoqërinë, nuk mund të sigurojë ekzistencën e vet duke u pavarësuar nga familja dhe nesër mund edhe të emigrojë nga Presheva apo Bujanoci.
Politikanët mund të nënshkruajnë lloj-lloj marrëveshjesh para krerëve të Bashkimit Europian, por nëse ato nuk zbatohen, gjithçka përfundon në një komedi me pasoja të rënda për jetën e njerëzve. Një pjesë e madhe e shqiptarëve që janë të punësuar në administratat komunale në Bujanoc apo Preshevë, po arrijnë moshën e pensionimit. Ekziston rreziku që në vend të tyre të punësohen edhe më shumë serbë, sepse shqiptarët me diploma të Kosovës refuzohen. Spastrimi etnik nuk bëhet vetëm me pushkë, ka edhe metoda të tjera, burokratike, njërën ndër to po e praktikon Serbia në Luginën e Preshevës.

4. SHIFRAT E DISKRIMINIMIT
Këshilli Kombëtar Shqiptar ndan 765 bursa për studentë e studente nga Lugina e Preshevës. Prej tyre 405 studiojnë në Kosovë. Meqë ata s’kanë perspektivë në vendlindjen e tyre, gjasat janë të mëdha që të mos kthehen fare dhe të gjenden disi në Kosovë apo të vazhdojnë jetën si të papunë në Preshevë, Bujanoc apo Medvegjë. Deri në vitin 2003 Serbia nuk i ka pranuar fare diplomat e institucioneve të larta arsimore të Kosovës, mes viteve 2003-2008 i ka pranuar (me vulë të UNMIK-ut), nga viti 2008, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, nuk i ka pranuar më për shkak të simboleve shtetërore kosovare në dokumente.
Shaip Kamberi tregon se në shkurt të vitit të kaluar erdhi për vizitë në Bujanoc ambasadori i atëhershëm amerikan në Beograd, Christopher Hill. “Ai na tha se po sillte një lajm të mirë: së shpejti Serbia do të pranonte diplomat”. Edhe ky ishte një premtim bosh. Në një intervistë për portalin në gjuhën serbe dhe shqipe “Bujanovačke”, Hill tha se “vendet e rajonit frikësohen nga dominimi i Serbisë, por paranoja nuk bazohet në fakte”. Në të vërtetë, nuk bëhet fjalë për kurrfarë paranoje, por faktet tregojnë se nga Bosnjë-Hercegovina e Mali i Zi deri në Kosovë roli i Beogradit mund të përshkruhet me dy fjalë: sabotazh dhe destabilizim.
Në Bujanoc e gjetiu në Luginën e Preshevës flasin shifrat. Ndonëse komunë me shumicë shqiptare, drejtori i policisë është serb. Nga 13 gjykatës, vetëm 4 janë shqiptarë. Prokurorë dhe zëvendësprokurorë shqiptarë nuk ka fare, sipas një tabele të përpiluar nga Këshilli Kombëtar Shqiptar. Prej 222 policëve në komunën e Bujanocit, vetëm 80 janë shqiptarë. Në Preshevë, një komunë me 95 për qind shumicë shqiptare, raporti është kështu: 125 policë janë të etnisë shqiptare, 248 serbë. Vetëm një shembull nga Kosova: në asnjë komunë me shumicë serbe, komandanti nuk mund të jetë pjesëtar i shumicës shqiptare. Ministria e Brendshme në Prishtinë propozon tre kandidatë të nacionalitetit serb dhe njërin prej tyre e zgjedh komuna. Shqiptari s’mund të bëhet koomandant i policisë në Graçanicë, ndërsa serbi mund të komandojë policinë në qytetin me shumicë shqiptare si Bujanoci.
5. PASOJAT E PASIVIZIMIT
Një shqetësim tjetër i madh për banorët e Luginës së Preshevës është i ashtuquajturi pasivizim i adresave, i cili nga autoritetet serbe aplikohet nëse konstatohet se qytetari apo qytetarja nuk banon në adresën ku ka lajmëruar vendbanimin. Dihet botërisht se për shkak të mungesës së perspektivës, një pjesë e konsiderueshme e banorëve të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës jetojnë në Perëndim, ndërsa pas vitit 1999 mijëra sosh janë shpërngulur në Kosovë, por ata kanë lënë pas pronat e tyre dhe atje kthehen shpesh për të kaluar një pjesë të kohës. Se çfarë domethënë pasivizimi, e shpjegon webfaqja pasivizimi.com. Aty bëhet me dije se nëpërmjet pasivizimit qytetari humb vendbanimin (adresën) në Republikën e Serbisë, humb të drejtat civile, humb të drejtën ta përditësojë letërnjoftimin ose pasaportën, humb të drejtën e patent shoferit, humb të drejtën ta regjistrojë pronën e luajtshme dhe të paluajtshme, humb të drejtën të ketë qasje në kujdesin shëndetësor ose shërbime sociale, humb të drejtën të blejë ose të shes pronë, humb të drejtën të jetë i votuar apo të votojë. Me një fjalë: humb gati çdo gjë, përveç shtetësisë së Serbisë. Më konkretisht: një 75-vjeçar, i cili ka punuar 30 vjet profesor i gjimnazit në Preshevë dhe tani jeton, ta zëmë, në Fushë Kosovë, nuk mund të marrë as pension, as të gëzojë trajtim në sistemin shëndetësor të Republikës së Serbisë. Ndonëse gjatë gjithë jetës së tij profesionale ka paguar kontribute në fondet përkatëse të shtetit serb.

6. FLAMUJ DHE EMOCIONE
Probleme të tjera?
Sa të duash!
Sapo hyn nga Kosova në territorin e Serbisë nëpërmjet pikës kufitare në Konçul, fshati i parë me po këtë toponim është i mbuluar me flamuj shqiptarë. Në çdo shtëpi një flamur. Kjo është një lloj proteste kundër pushtetit serb, i cili nuk e pranon flamurin kombëtar shqiptar si simbol të pakicës shqiptare në Serbi. Kjo është padrejtësi. Por punët e Ballkanit janë të ngatërruara. Flamuri kombëtar shqiptar është edhe simbol i Republikës së Shqipërisë. Sipas ligjeve serbe, pakicat nuk mund të përdorin flamurin e një shteti tjetër. Pakica hungareze në Serbi, për shembull, nuk e përdor flamurin e Hungarisë, por një flamur pak më ndryshe, ndonëse me ngjyrat e bajrakut nacional hungarez. A do të ishte rrugëdalje nëse pakica shqiptare në Luginë të Preshevës të zgjidhte si simbol të saj flamurin me shqiponjë dykrenare me përkrenaren e Skënderbeut?
Përplasje e polemika për flamuj e simbole të tjera kemi dëgjuar e parë mjaft në Kosovë. Para shumë viteve, kur kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e quante Vetëvendosjen pasuri kombëtare, sepse i duhej për ta ngacmuar Hashim Thaçin, deputetët e Vetëvendosjes nuk patën hyrë në sallën e Kuvendit të Kosovës për të dëgjuar himnin e Kosovës me të cilin nisi një mbledhje solemne. Kur përfundoi intonimi i himnit, deputetët e VV-së u futën në sallë për të dëgjuar idhullin e tyre popullist Edi Rama. Dhe secili prej tyre mbante një flamur të vogël kombëtar para vetes. Në një fushatë elektorale një kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës premtoi se sapo të vijë në pushtet, do ta zëvendësojë flamurin e Kosovës me flamurin që në vitet 1990-të e pati prezantuar Ibrahim Rugova. Edhe kjo ishte një përrallë tjetër. Më 2013 deputetët e LDK-së dolën nga salla e parlamentit të Kosovës në shenjë proteste kundër fjalimit të “komunistit Edi Rama”, i cili ia doli që të përmend kë e kë si meritor për pavarësinë e Kosovës, vetëm Ibrahim Rugovën e injoroi totalisht. Para një viti udhëheqja e LDK-së e ftoi pikërisht Edi Ramën si folës në një “konferencë ndërkombëtare” për Rugovën. Më 2021 Albin Kurti marshoi nëpër Lezhë me rastin e 557-vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës në përpjekjen e tij për t’u shfaqur si lider i shqiptarëve në Ballkan - atëherë bashkë me të ishte edhe Ziadin Sela nga Maqedonia e Veriut. Tani ai nuk është më aleat me Kurtin. Paradat populliste në viset shqiptare fillojnë me bujë, mbarojnë me farsë. Më 2018 hyri triumfalisht në Kuvendin e Kosovës Edi Rama dhe propozoi jo më pak se president të përbashkët të Kosovës dhe Shqipërisë. Kush e ka marrë seriozisht atëherë, shpresoj ta mbajë kokën në zall edhe në vitin 2025. Për të kuptuar konsistencën e politikanëve shqiptarë mjafton të kujtohet se më 2014 Edi Rama ia tha në sy kryeministrit të atëhershëm serb Aleksandar Vuçiq se Serbia duhet ta pranojë pavarësinë e Kosovës, por më 2023, gati 10 vjet më vonë, Rama - kokë më vete - shkroi një “statut” për bashkësinë e komunave serbe të Kosovës dhe këtë propozim ia nisi presidentit francez dhe kancelarit gjerman. Ndonëse sa i përkët marrëzive, politikanët e Kosovës nuk ia lëshojnë udhën atyre të Tiranës, ende nuk është parë ndonjë politikan i Prishtinës duke i dorëzuar kryeministrit në Athinë një propozim mbi autonominë e bashkësisë së “komunave greke” në Himarë e rrethinë me kryetar Dionysios Alfred Beleris.

7. BETEJA E BAJRAKTARËVE
Rivaliteti popullist mes bajraktarëve të Prishtinës dhe Tiranës po vërehet jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe në Luginën e Preshevës. Disa janë me Albin Kurtin, disa me Edi Ramën. Aktualisht ndikimi i Kurtit në Luginën e Preshevës është më i madh edhe për shkak se qeveria e Kosovës ka ndarë mjete të konsiderueshme financiare për të përkrahur popullsinë shqiptare në Luginën e Preshevës, e cila sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në Serbi më 2022 numëron 61’687 banorë shqiptarë - afërsisht sa një a dy lagje të Prishtinës. Sa më shumë që bie numri i shqiptarëve në këtë rajon, aq më shumë rritet numri i partive: aktualisht janë 8.
Kush kalon një ditë me biseda intensive në rajonin e Luginës së Preshevës, në mbrëmje kthehet në Prishtinë me përshtypjen se popullsia e atjeshme, përfshirë edhe liderët politikë, ka rënë në një depresion kolektiv. Dëshpërimi është i madh për shkak se gjendja e shqiptarëve në këtë rajon nuk është përmirësuar. Përkundrazi: po keqësohet dita-ditës. Qeveria e Tiranës përveç retorikës dhe ndonjë përkrahjeje simbolike, nuk ofron asgjë për pakicën shqiptare në Serbi. Qeveria në Prishtinë orë e çast përmend përkrahjen financiare për Luginën e Preshevës. Por disa probleme nuk zgjidhen vetëm me para.
Gjendja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës është mjaft e rëndë. Strategji për t’i ndihmuar këta njerëz nuk kanë as Prishtina, as Tirana. Është koha e fundit që kjo të ndryshojë. Po vazhdoi kjo situatë, ky rajon historikisht i banuar me shqiptarë mund të zbrazet dalëngadalë.
8. IMAMI ME DEKORATË
Ndërkohë në skenë po dalin akterë të tjerë politiko-fetarë. Njëri nga ta është një imam i quajtur Nexhmedin Saqipi, i cili në vitin 2023 është zgjedhur drejtues i bashkësisë islame të Serbisë dhe kjo ka shkaktuar përçarje mes myslimanëve në Serbi, sepse krahu i boshnjakëve ka zgjedhur një teolog tjetër për shef të bashkësisë islame në Serbi.
Në një shkrim të botuar në portalin “Bujanovačke” më 1 korrik 2025 Saqipi kritikoi udhëheqësit politikë shqiptarë në Bujanoc dhe Preshevë për “deklarata të pamatura dhe të papërgjegjshme kundër shtetit të Serbisë”, i akuzoi ata për “zhurmë të zbrazët politike” në Tiranë dhe Prishtinë dhe kërkoi që shqiptarët të kërkojnë të drejtat e tyre në institucionet e shtetit serb.
Ka vëzhgues të rrethanave politike në Luginën e Preshevës, të cilët Saqipin e quajnë “imam kontravers”. Një kërkim në arkivat e mediave serbe rezulton, mes tjerash, me këto gjetje: më 2017 Saqipi është dekoruar nga presidenti serb Tomisllav Nikoliq për kontributin në “fushën e paqes, stabilitetit, dialogut dhe humanizmit”. Propozimi erdhi nga Amza e Shqiptarëve në Serbi me seli në Novi Sad, një organizatë fantome e drejtuar nga njëfarë Demo Berisha, ish-oficer i armatës serbe dhe “qytetar lojal” i Serbisë, domethënë një propagandist i politikave të Beogradit kundër Kosovës. Nga shqiptarët në Luginën e Preshevës Berisha, i cili është me origjinë nga Peja, përshkruhet si versioni “modern” i Sejdo Bajramoviqit. Në qeverinë e re serbe Demo Berisha është zgjedhur ministër për pakicat kombëtare në Serbi. Udhëheqësit politikë të shqiptarëve në Luginën e Preshevës kanë refuzuar ta takojnë.
Imami Nexhmedin Saqipi së fundi e ka parë të nevojshme t’i urojë pensionimin gjeneralit serb Milosav Simoviq, sepse qenkësh sjellë mirë më 1999, gjatë bombardimeve të NATO-s, duke i dërguar disa shqiptarë nga Tërnoci i Madh për të hapur një kanal në kufi me Maqedoninë dhe pranuar kërkesën e tyre që atje të shkojnë të veshur me rroba civile dhe jo ushtarake për të mos i dalluar NATO si cak goditjeje. Çfarë humanizmi serbomadh! “Frika ishte e madhe - jo nga puna, por nga rreziku i sulmeve ajrore”, shkruan Saqipi për përvojën e tij të paharrueshme si hapës i kanaleve për ushtrinë serbe.

9. RREZIKU I SHPOPULLIMIT
Shaip Kamberi ka vendosur të qëndrojë. Tani për tani. Kur e takova po bëhej gati të vizitonte Berlinin për të takuar politikanë gjermanë. Nuk kishte pritje të mëdha. “Jemi gjithnjë e më të vetmuar në këtë betejë”, tha ai. E tha këtë pak ditë pasi Edi Rama kishte dëbuar nga puna disa politikanë lokalë në Vlorë dhe Albin Kurti kishte mbajtur një fjalim me rastin e çeljes së një ekspozite me piktura të artistëve nga Lugina e Preshevës në një galeri në Prishtinë. Këto janë, momentalisht, prioritetet e politikanëve shqiptarë. Kjo nuk është strategji politike për të shpëtuar një rajon historik të shqiptarëve nga shpopullimi. Pakicat në Ballkan, për fat të keq, shpesh përdoren e keqpërdoren nga politikanët e vendeve amë për t’i sinjalizuar bashkësisë ndërkombëtare se “ne mund të destabilizojmë rajonin nëse na ngacmoni”. Edhe kjo është strategji. E keqe. E provuar disa herë, edhe kur u hap i ashtuquajturi debat për “korrigjimin e kufijve”. Luginës së Preshevës i duhet një mbështetje më e mençur, më e koordinuar, më largpamëse.