Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Thaçi: Ideatorët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit mbesin figura të mëdha historike

11:22 - Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka kujtuar ngjarjen e madhe të Lidhjes së Prizrenit e cila sot ka shënuar 140 vjetorin e saj.

Thaçi përmes një statusi në Facebook ka thënë se Lidhja Shqiptare e Prizrenit iu kundërvu synimeve për copëtimin e tokave shqiptare.

Lexoni të plotë statusin:

Në qytetin historik të Prizrenit, më 10 qershor 1878, delegatë nga të gjitha viset shqiptare u mblodhën për ta themeluar Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, organizatën më të rëndësishme politike, ushtarake dhe ekzekutive, që nga koha e Skënderbeut.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit iu kundërvu synimeve për copëtimin e tokave shqiptare, pas dobësimit të Perandorisë Osmane me kryengritje, memorandume dhe forma tjera të rezistencës.

Edhe Në përvjetorin e Lidhjes së Prizrenit kërkohet ruajtja e aleatëve Arbëri Në përvjetorin e Lidhjes së Prizrenit kërkohet ruajtja e aleatëve

Lëvizja kulturore e Rilindjes sonë Kombëtare, si vetëdije kulturore dhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit, si vetëdije politike, janë ngjarjet më të rëndësishme në historinë e kombit tonë në gjysmën e dytë të shekullit XIX.

Ideatorët, burrështetasit dhe ushtarakët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Abdyl Frashëri, Ymer Prizreni, Sulejman Vokshi etj., mbeten figura të mëdha historike, frymëzuese edhe pas 14 dekadash. HTH.


Haradinaj: Burrështetasit e Lidhjes së Prizrenit ishin përgatitur për kohë të vështira

11:20 - Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj thotë se e vetmja mënyrë që të përmbyllet çështja mes Kosovës dhe Serbisë është pajtimi mes dy popujve dhe njohja e pavarësisë së Kosovës.

Këto komente Haradinaj i bëri në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës në rastin e shënimit të 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të mbajtur në Prizren.

Haradinaj, duke kujtuar Lidhjen e Prizrenit tha se burrështetasit e asaj kohe ishin përgatitur për kohë të vështira.

“Popujt duhet të punojnë gjithnjë për kohë të vështira. Burrat e asaj kohe, shihet se kishin menduar ndër vite se mund tu vije ajo ditë, që në ditë të caktuar edhe shqiptarët të japin përgjigjen e tyre për të drejtën e tyre”, tha Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj tha se Kosova gjendet në një periudhë të ndjeshme, pasi siç u shpreh ai, çështjet e pazgjidhura me Serbinë po mundohen që të zgjidhen “me pazare të reja” politike.

“Edhe sot i kemi marrëdhëniet e ndjeshme. Një marrëdhënie e pambyllur Kosovë-Serbi, po synohet që të kthehet në pazare të reja politike. Është e padrejtë që të ndodhë. Ju siguroj se mënyra e vetme që të përmbyllet lufta e 99-ës është me një pajtim mes shqiptarëve dhe serbëve me njohje mes Kosovës dhe Serbisë pa pazare të tjera të ndyta në dëm të shqiptarëve”, tha Haradinaj.


11:09 -  Meta: Aktet e Lidhjes së Prizrenit të gjalla përjetë

Shënimi i 140-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Kosovë ka nisur me vënien e gurthemelit të kompozicionit të shtatoreve të udhëheqësve të qeverisë së saj, një organizim i Kryeministrisë së Kosovës, që së bashku me qeveritë e Shqipërisë dhe Maqedonisë, në kuadër të shënimit edhe të vitit mbarëkombëtar të Gjergj Kastrioti Skënderbeut, kanë nderuar edhe veprën e heroit tonë kombëtar.

Atje po qëndron edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i cili tha se Lidhja e Prizrenit u përball me heshtjen e fuqive të mëdha për çështjen e shqiptarëve.

Image

“Lidhja nuk jetoi gjatë, por aktet e saj janë të gjalla përjetë. Lidhja shkaktoi një jehonë të madhe në rajon e botë, ndaj dhe nuk është një relikë historike, por një vepër frymëzuese. Lidhja është një frymëzim për të rinjtë shqiptarë. E paharruar vepra e themeluesve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, tha Meta.


10:44 - Veseli: Lidhja e Prizrenit humbi betejat ushtarake, por themeloi Vetëdijen Kombëtare Shqiptare

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në përvjetorin e 140 të Lidhjes së Prizrenit, ka thënë se 140 vite më parë, në Prizren u mblodhën përfaqësuesit e të gjithë trevave shqiptare, mbi supet e të cilëve qëndronte një barrë e madhe.

Edhe Osmani: Lidhja e Prizrenit është model i përhershëm frymëzimi i brezave Arbëri Osmani: Lidhja e Prizrenit është model i përhershëm frymëzimi i brezave

Ai thotë se ishte kohë e vështirë dhe se Ballkani ishte i trazuar si asnjëherë më parë.

“Perandoria Osmane po jepte shenjat e rënies së pashmangshme. Popujt po zgjoheshin. Evropa po jetonte pranverën e kombeve. Secili kërkonte vendin dhe të drejtat e tij në gjeopolitikën e re që po ndërtohej. Ishte koha që edhe shqiptarët të zgjoheshin, sa më parë që ishte e mundur. Çdo vonesë mund të kishte pasoja të pariparueshme historike, sepse rreziqet ishin të mëdha dhe në qendrat politike të Evropës nuk ekzistonte termi ‘Çështje shqiptare’. Termi ‘Shqipëri’ ekzistonte vetëm si shprehje gjeografike, siç kishte thënë kancelari i hekurt i Gjermanisë së asaj kohe, Oto Von Bismark”, tha Veseli.

Image

Në këto rrethana të rënda, sipas kreut të Kuvendit, burrat e mbledhur në Prizren kishin përpara dy sfida të rënda historike: Të dëshmonin para fuqive evropiane dhe Perandorisë Osmane ekzistencën e kombit shqiptar dhe njëkohësisht të mbronin me çdo kusht të drejtat e tij legjitime politike.

“Të udhëhequr nga diplomacia e Abdyl Frashërit, nga urtësia e Ymer Prizrenit dhe guximi luftarak i Sylejman Vokshit, Lidhja e Prizrenit i arriti qëllimet e saj, ndonëse me pasoja shumë të rënda. Lidhja e Prizrenit i humbi betejat ushtarake me vendimet e Kongresit të Berlinit dhe me garnizonet e Dervish Pashës që dogjën Kosovën në pranverën e vitit 1881, por ajo arriti një fitore tjetër, shumë herë më të madhe: themeloi Vetëdijen Kombëtare Shqiptare, krijoi standardet e patriotizmit modern shqiptar dhe platformën e programit për çlirim e pavarësi kombëtare. Pa lidhjen e Prizrenit nuk do ta kishim 28 nëntorin e vitit 1912. Pa lidhjen e Prizrenit nuk do ta kishim lëvizjen kombëtare për çlirimin e Kosovës, e cila arriti kulminacionin historik me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, çlirimin dhe shpalljen e pavarësisë në shkurtin e vitit 2008. Pa Lidhjen e Prizrenit rrjedha e historisë sonë kombëtare do të ishte krejtësisht ndryshe dhe aspak pozitive për kombin tonë”, deklaroi më tej Veseli.

Kryeparlamentari i Kosovës tha se sot jetojmë në një epokë krejtësisht të ndryshme dhe, sipas tij, si asnjëherë më parë në histori, siguria dhe liria e kombit tonë janë të qëndrueshme, të garantuara dhe të pacenueshme.

“Fuqitë, që në qershorin e vitit 1878 ishin kundërshtarët e të drejtave tona kombëtare, sot janë aleatët tanë më të mirë. Ne jemi gjenerata më fatlume, për faktin se po e bëjmë realitet ëndrrën e madhe të rilindasëve tanë për ta parë kombin tonë pjesë të Evropës. Shqipëria është anëtare e NATO-s, ka bërë përparime të mëdha në drejtim të integrimit evropian, ndërsa Kosova, brenda dekadës së parë të pavarësisë, ka shënuar hapa historikë në konsolidimin e shtetit dhe po punon shumë në agjendën e saj euro-atlantike. E ardhmja jonë është në duart tona. Ne jemi krenarë që jemi pasardhës të burrave të Lidhjes së Prizrenit. Jemi krenarë që ecëm shtigjeve të hapura prej tyre. Krenarë që e vazhduam deri në fitore ëndrrën e tyre”, u shpreh kryetari i Kuvendit.

“Lavdi heronjve të Lidhjes së Prizrenit. Lavdi burrave e grave që në harkun kohor të këtyre 140 viteve bënë gjithçka ishte e mundur që kombi ynë të jetë i lirë dhe sovran në bashkësinë e kombeve të lira e të civilizuara”, përfundoi Veseli.


Shënohet 140 vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, vihet gurthemeli i shtatoreve të udhëheqësve të Lidhjes

Me vënien e gurthemelit të kompozicionit të shtatoreve të udhëheqësve të Qeverisë të Lidhjes së Prizrenit, ka nisur sot në Prizren shënimi i 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Në këtë ekspozitë në ambientet e brendshme të Lidhjes së Prizrenit u bë prezantimi i monedhave antike dhe mesjetare, dhe i të gjitha monedhave kombëtare shqiptare që mbajnë portretin e heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti - Skënderbeu, duke filluar nga 1926 e deri në ditët e sotme. Një pjesë e këtij koleksioni është përdorur edhe në Kosovë dhe në tokat tjera kombëtare shqiptare gjatë luftës së dytë botërore.

Veçantia e kësaj ekspozite është se përmban edhe monedhat përkujtimore shqiptare të vitit 2013 të cilat përkujtojnë 135 vjetorin e Lidhjes Kombëtare të Prizrenit dhe gjithashtu Përvjetorin e Kongresit të Manastirit. Po në këtë ambient u shfaqën edhe simbolika nga katër vilajetet shqiptare, derisa në ambientin e jashtëm u shfaq ekspozita me dokumente të Arkivit Qendror shtetëror të Shqipërisë dhe Agjencisë Kombëtare të Arkivave të Kosovës nga viti 1878 - 2018.

Kjo ditë po mbahet nën patronatin e Zyrës së Kryeministrit dhe në kuadër të shënimit të Vitit Mbarëkombëtarë të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, organizim ky që ka bërë bashkë Qeverinë e Kosovës, Shqipërisë dhe atë të Maqedonisë për të nderuar veprën e heroit, Gjergj Kastrioti - Skënderbeu.

Image

Në vënien e gurthemelit të udhëheqësve të Qeverisë të Lidhjes së Prizrenit, Ymer Prizreni (kryeministër), Abdyl Frashëri (Ministër i Punëve të Jashtme) dhe Sulejman Vokshi (Ministër i Mbrojtjes), përveç kryeministrit Ramush Haradinaj morën pjesë edhe Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ministra nga kabineti qeveritar, përfaqësuesi i Familjes Jashari, Rifat Jashari dhe përfaqësues të tjerë institucional.

Haradinaj, i shoqëruar nga Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta dhe Kryetari i Prizrenit Mytaher Haskuka dhe personalitete të tjera më pas mori pjesë në ekspozitën e buqetave të skulptorëve për konkursin mbarëkombëtar të cilët kanë konkurruar për kompozicionin e shtatoreve, si dhe në ekspozitën e Bankës Qendrore të Kosovës, Bankës Qendrore të Shqipërisë dhe muzeut të Prishtinës.

Edhe Liderët shtetërorë thonë se me Lidhjen e Prizrenit lindi mendimi shtetëror i shqiptarëve Arbëri Liderët shtetërorë thonë se me Lidhjen e Prizrenit lindi mendimi shtetëror i shqiptarëve

Pjesëmarrës në këto aktivitete janë edhe personalitetet dhe liderët institucionalë nga të gjitha trevat shqiptare.

Shënimi i 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit do të vazhdoj edhe gjatë ditës me ç’rast këtij përvjetori do t'i dedikohet një Seancë Solemne nga Kuvendi i Kosovës, Akademi Solemne, Konferenca shkencore 140 vjetori i Lidhjes, në të cilën do të prezantohen punimet nga Instituti i Historisë nga Tirana, Shkupi dhe Prishtina dhe Ekspozita mbarëkombëtare në pikturë.