Arbëri

Tërmkolli: Prishtinën e fitoi LDK-ja bashkë me PDK-në, kjo punë dihet

Tërmkolli

Ish deputetja e LDK-së, Melihate Tërmkolli, ka thënë se Prishtinën e fitoi Lidhja Demokratike e Kosovës bashkë me Partinë Demokratike të Kosovës. Derisa ka folur për Prishtinën, ajo ka thënë se ka pritur më shumë nga kryetari Përparim Rama gjatë qeverisjes së kryeqytetit. 

Tërmkolli ka theksuar se LDK-ja nuk ia doli e vetme në zgjedhje, dhe se dihet që fitoren e mori me PDK-në. 

“Nuk ia doli. Po t’ia dilte do t’ia dilte vetë, për shumë pak doli. Të tre ishin në votimin e parë jo shumë larg njëri-tjetrit. Prishtinën e fitoi LDK-ja me PDK-në, dihet kjo punë”, ka potencuar ajo. 

Përparim Rama fitoi në garën për Prishtinën në balotazhin e 9 nëntorit me rreth 3 mijë vota diferencë nga kandidati i VV-së, Hajrulla Çeku. PDK-ja që doli e treta në rundin e parë, nuk pati deklaruar publikisht përkrahje për njërin nga kandidatët, megjithatë u pa si faktori më i rëndësishëm i balotazhit për përcaktim të fituesit. 


Tërmkolli: "Spastrimi" i figurave kyç të LDK-së nisi më 2010, Abdixhiku ia vuri kulmin

Ish-deputetja Melihate Tërmkolli ka thënë se largimi i figurave kyç nga Lidhja Demokratike e Kosovës nisi qysh në vitin 2010. E, sipas saj, kryetari aktual i partisë, Lumir Abdixhiku, “ia vuri kulmin”.

Tërmkolli është shprehur se në LDK plani, që ajo e quan si “spastrim” të figurave brenda partisë, është realizuar pothuaj plotësisht.

“Abdixhiku ia ka vu kulmin, kjo ka ndodhur prej 2010-s ka filluar me të madhe, unë e kam quajtur ‘spastrimi’ nga krejt personalitetet më të shquara të LDK-së, janë njerëz që nuk mund të dalin jashtë asaj... por ia ka vu kulmin Lumiri. Në LDK është realizuar ky far programi pothuaj plotësisht. Në PDK ka shpërfaqje të tilla, edhe aty janë larguar disa njerëz që kanë qenë kontribuues të mëdhenj”, ka thënë ajo në “Konfront”.


Tërmkolli: Barrikadimi i Abdixhikut tregon paaftësi – në LDK kanë mbetur njerëz profiterë

Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Melihate Tërmkolli, ka thënë se qasja e kryetarit të kësaj partie, Lumir Abdixhiku, për ta refuzuar çdo bashkëpunim me Lëvizjen Vetëvendosje, por edhe partitë e ish-opozitës, tregon mungesë force dhe mungesë aftësie politike.

Tërmkolli ka thënë se qëndrimi i LDK-së për parime nuk është i qëndrueshëm, duke vënë në dukje se partia nuk mund të sillet ndryshe në nivel nacional e ndryshe në nivel lokal.

“Me shit parim paaftësinë, nuk është shumë e mirë. Ata që e kanë ndërmend me bë institucionet, kur thërret dikë, ulesh e bisedon, nuk mundesh me bo selame prej një maje”, u shpreh ajo, duke shtuar se ftesa e LVV-së për LDK-në për koalicion “ishte sa për sy e faqe”.

“Ky barrikadimi i kryetarit të LDK-së është shprehje e një pafuqie dhe një paaftësie, qoftë për të bërë koalicion me VV-në, qoftë me atë që po i themi opozitë”, deklaroi Tërmkolli në “Konfront” të KTV-së.

E pyetur për motivet e LDK-së për këto qëndrime, ajo u përgjigj se partia nuk po vepron as në interes të shtetit e as në interes të vet LDK-së.

“Nuk kanë menduar as për shtetin, as për LDK-në. Vetëm për një grupacion interesash që janë bashkuar dhe që thirren në emër të LDK-së e s’kanë lidhje me LDK-në. Janë profiterë, janë grabitës të LDK-së”, theksoi Tërmkolli.

Ajo akuzoi se brenda partisë është bërë “në mënyrë sistematike largimi i atdhetarëve më të mëdhenj dhe i njerëzve më kontribuues”, duke e lënë LDK-në në duart e atyre që, sipas saj, nuk e përfaqësojnë vlerën e saj historike.


Tërmkolli: Në politikën e Kosovës ka interesa, ka biznes - veç parime s'ka

Ish-deputetja e LDK-së, Melihate Tërmkolli, ka thënë se nuk ka një bllok opozitar në Kosovë. Ajo ka theksuar se partitë që kanë qenë opozitë nuk mund të quhen opozitë sepse nuk kanë pasur qëndrim unik as për formimin e një qeverie.

Tërmkolli ka shtuar se nuk ka as parime, por ka përllogaritje që, siç ka thënë ajo, “kush është më i zoti për të shitur e për të blerë më shumë vota”.

“Kosova nuk ka opozitë, por atë që mund ta quajmë si opozitë nuk është se ka pasë një qëndrim të përbashkët, unik, e tash paska dalë dikush që ta thyejë një qëndrim të tillë. Sepse po të kishte do ta bënin qeverinë. Këtu veç parime nuk ka, parimet kanë rënë kaherë. Këtu flitet për interesa, herë interesa ditore herë interesa pak më të gjata, këtu veç politikë nuk ka. Këtu ka biznes, ka interes biznesor, politika është bërë një lloj biznesi më fitimprurësi. Parime sot veç me politikë nuk identifikohet”, ka thënë ajo në “Konfront”.