Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Bajrami e quan Abdixhikun humbës e përçarës: Je i fundit që mund të flasë për parime

Janina Ymeri Hykmete Bajrami Avdullah Hoti Paris Guri LDK grupi parlamentar LDK

Foto: Driton Paçarada

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas postimit të kryetarit të kësaj partie, Lumir Abdixhiku, i cili akuzoi disa prej bashkëpartiakëve të tij se luftën nuk e kanë për shtetin por për karrigen e të parit të LDK-së.

Derisa e ka quajtur humbës të trefishtë të zgjedhjeve, e përçarës të partisë, ka thënë se Abdixhiku është i fundit që mund të flasë për parime, shtet e pushtet.

“Një humbës i trefishtë, humbës i zgjedhjeve të njëpasnjëshme, i degradimit dhe i përçarjes së partisë, po flet për parime, shtet, dhe ambiciet në LDK. Mbrëmë u rezervova të flisja për kryetarin e LDK-së, dhe kam munguar në medie që një kohë pikërisht për ta ruajtur shtëpinë time. Por më lejoni sot t’i përgjigjem me argumente: Ju jeni i fundit, ama bash i fundit, që mund të flisni për parime, ambicie, shtet e pushtet, sepse parimet maten me përgjegjësi”, ka shkruar ajo.

Sipas Bajramit, Abdixhiku do duhej ta mbante premtimin dhe zotimin publik për t’u larguar nga pozita e kryetarit, kur humbi  zgjedhjet e para.

“Kur e përsëritët humbjen, duhej të merrnit përgjegjësi dhe t’i hapnit rrugë një udhëheqjeje tjetër. Dhe kur shënuat një tjetër rekord humbjesh më 7 qershor, duhej të largoheshit nga udhëheqja e LDK-së, kokulur. Po, është e saktë se shteti nuk rrotullohet rreth një ambicieje personale. Por shteti sot po rrotullohet nga një pushtet që po e nëpërkëmb rendin kushtetues, ligjor dhe institucional, ndërsa çdo ditë përpiqet t’i kapë e t’i kontrollojë institucionet. Dhe pikërisht për ta ndalur këtë degradim, ambicieve të kujtdo për rrënimin e LDK-së duhet t’u themi STOP”, ka thënë ajo.

Edhe Abdixhiku akuzon bashkëpartiakët: Beteja qenka për kryetar të LDK-së, për keqardhje Arbëri Abdixhiku akuzon bashkëpartiakët: Beteja qenka për kryetar të LDK-së, për keqardhje

Sipas Bajramit, LDK-ja ka qenë dhe do të jetë gardiane e shtetit, e institucioneve dhe e rendit demokratik, jo admiruese e nënshtrimit të shtetit ndaj pushtetit.

Ka shtuar se beteja e LDK-së duhet të jetë për shtetin, por sipas saj, shteti ka tema tjera.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i ka cilësuar “për keqardhje” qëndrimet e disa deputetëve të partisë së tij ditëve të fundit.

Të martën, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, kërkoi konventë të partisë për të përcaktuar “ekipin që do ta udhëhiqte LDK-në në zgjedhjet e ardhshme”. E ditë më parë ai rekomandoi Kujtim Shalën për kryetar të LDK-së e Hykmete Bajramin për kandidate për kryeministre. Vetë Bajrami ka pranuar po ashtu se mund të jetë kandidate për kryetare në zgjedhjet e ardhshme.

Në përgjigje, Abdixhiku ka thënë se “nuk rrotullohet shteti për një ambicie”.

Ndarjet në LDK janë bërë edhe më të dukshme qysh kur Abdixhiku dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u pajtuan për emrin e Bekim Sejdiut për pozitën e presidentit.

Gjashtë deputetë të LDK-së, në mesin e të cilëve është edhe Hykmete Bajrami, deklaruan se nuk do e mbështesin këtë kandidaturë. Ata kanë thënë se nuk duan “zgjatjen e pushtetit të Albin Kurtit”.

Edhe Bajrami: Isha në mesin e delegatëve që besuam se LDK-së i duhet ndryshimi Arbëri Bajrami: Isha në mesin e delegatëve që besuam se LDK-së i duhet ndryshimi

Abdixhiku pas zgjedhjeve të 7 qershorit u rikonfirmua në krye të LDK-së. Kuvendi i jashtëzakonshëm ia konfirmoi besimin për të udhëhequr partinë. Ai u votëbesua edhe në janar kur e kërkoi vetë votimin. Zgjedhjet e ardhshme në LDK janë të planifikuara për vitin e ardhshëm.