Në letër, tash e dy javë ka një vendim të Qeverisë të nënshkruar nga kryeministri Avdullah Hoti për shuarjen e Task-Forcës antikorrupsion, por në realitet, njësiti po del të mos jetë shpërbërë.
“Pajtim” i pashkruar siç kanë thënë burime është arritur mes Qeverisë dhe ndërkombëtarëve, që struktura e Task-Forcës të mbetet e paprekur, ndërsa Hoti të mos e kthejë mbrapa vendimin e tij.
Në pyetjet konkrete të KOHËS për këtë temë, Qeveria nuk ka kthyer përgjigje, por kanë shtuar se përgjigjen për këtë çështje e ka dhënë kryeministri Hoti të premten.
“Kjo Task-Forcë ka qenë në ajër, e padefinuar në organogramin e Policisë...”, kishte thënë ai më 29 tetor në Kuvend.
30 hetuesit e Task-Forcës, siç ka mësuar KOHA, tani do të funksionojnë në kuadër të Drejtorisë së Hetimeve, që përfshinë rreth 600 policë të ndarë në departamente të ndryshme.
Hetuesit e Task-Forcës nuk do të bëhen pjesë e asnjërit nga departamentet ekzistuese, duke vazhduar me angazhimet e njëjta.
Që nga themelimi, shefi i kësaj Task-Force, i ka dhënë llogari shefit të drejtorisë për hetime.
Megjithatë, lidhur me këtë çështje, përgjigja ka munguar edhe nga Policia e Kosovës.
Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka thënë se tashmë Qeveria është tërhequr nga vendimi i saj, dhe kjo, përveç presionit ndërkombëtar, gjithashtu falë edhe reagimit të shoqërisë civile dhe mediave pas vendimit.
Pavarësisht që shpërbërja e strukturës së Task-Forcës të paktën deri në definimin e strukturës së re të Policisë së Kosovës, nuk do të ndodhë, për Miftarajn dëmi që ka bërë Qeveria Hoti në këtë rast është i madh.
“Këta 30 zyrtarë policorë janë më të cenueshëm, por çka është më e keqja është së përmes këtij vendimi politika ka përçuar mesazh edhe te policët, edhe te prokurorët, edhe tek ata që zbatojnë ligjin në Kosovë, që nëse e keni kurajën, guximin, vullnetin për të hetuar, Task-Forca ose institucioni ku punoni, lehtësisht me një vendim të qeverisë mund të shpërbëhet”, ka thënë ai.
Hoti në mbledhjen e Qeverisë, ditën kur u shua kjo Task-Forcë, këtë institucion e pati quajtur antikushtetues, duke kontestuar secilin hetim që ka kaluar përmes këtij njësiti.