Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

VV-ja thërret Hotin në interpelancë për shuarjen e Task Forcës antikorrupsion

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje sot ka dorëzuar kërkesën për interpelancë për kryeministrin Avdullah Hoti, lidhur me vendimin për shuarjen e Task Forcës antikorrupsion.

“Sot, Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje dorëzoi kërkesën për interpelancë për Avdullah Hotin, lidhur me vendimin e qeverisë për shuarjen e Task Forcës antikorrupsion”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes në një postim në Facebook.

Vetëvendosje shton se në kohën kur kërkohet ndërmarrja e veprimeve konkrete në luftimin e korrupsionit, krijimin e mekanizmave efikas dhe të pandikuar për të hetuar, gjykuar e konfiskuar pasurinë e përfituar në mënyrë të kundërligjshme, Qeveria e Kosovës e bënë të kundërtën, duke shpërbërë Task Forcën antikorrupsion në Policinë e Kosovës.

“Ky vendim është i dëmshëm dhe i shërben më shumë mirëmbajtjes së korrupsionit. Kësisoj pengon edhe ato pak mekanizma kundër keqpërdorimit të detyrës zyrtare e pasurisë publike. Nuk ka asnjë dyshim se kjo Qeveri e korruptuar edhe për nga mënyra e zgjedhjes, nuk ka as vullnet, as aftësi e as integritet për të luftuar korrupsionin në Kosovë. Por, shfuqizimi i Task Forcës është mesazh inkurajues për zyrtarët e korruptuar e të përfshirë në keqpërdorime të ndryshme të detyrës zyrtare dhe parasë publike. Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës është vënë në anën e keqpërdoruesve, e kundër luftimit të korrupsionit”, thotë VV. “Nga deklaratat koti për zhdukjen e fjalës “korrupsion” nga fjalori, po përfundojmë me përligjjen e korrupsionit si dukuri, normalizimin e keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe të ndërhyrjes e presionit mbi sistemin e drejtësisë”.

Korrupsioni në Kosovë, sipas Vetëvendosjes, është endemik e i përqendruar në pozita të larta institucionale.

“Çfarëdo përpjekje kundër korrupsionit pashmangshëm duhet të fillojë e kalojë përmes zyrtarëve të lartë institucionalë. Luftimi i korrupsionit mund të bëhet vetëm nga një Qeveri e ligjshme, e ndershme, dhe që ka me vullnetin politik”, thotë VV.

Image
Artikuj të ngjashëm