Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Të pezulluarin pas sanksionimit nga SHBA-ja, MMPHI-ja e emëron sërish drejtor

Dy javë pasi u pezullua nga pozita e drejtorit të Prokurimit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, për arsye se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e vendosën në listën e sanksioneve, Nexhat Krasniqi, është caktuar përkohësisht në pozitën e Drejtorit të departamentit të infrastrukturës rrugore në këtë Ministri.

Kjo është bërë me një vendim të sekretarit të përgjithshëm të kësaj Ministrie, Izedin Bytyqi, të marrë më 15 nëntor.

“Nexhat Krasniqi, i pezulluar me vendimin nr. 8434 të datës 03.11.2023, nga pozita e drejtorit të divizionit të prokurimit të cilën e mban sipas aktemërimit, caktohet përkohësisht drejtori i Departamentit të infrastrukturës rrugore, në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës”, thuhet në vendimin që e ka siguruar KOHA.

KOHA ka kërkuar një përgjigje nga Ministria lidhur me këtë vendim dhe posa të marrë një përgjigje teksti do të përditësohet. KOHA nuk ka arritur që të marrë një përgjigje nga sekretari Bytyqi.

Nexhat Krasniqi, drejtor i Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës, ishte pezulluar nga detyra, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës e vendosën në listën e sanksioneve, kishte mësuar KOHA.

DASH-i njoftoi më 3 nëntor se Krasniqi është sanksionuar “për shkak të përfshirjes në korrupsion të madh”. Siç ka thënë DASH-i, “Si zyrtar publik përgjegjës për mbikëqyrjen e kontratave të prokurimit, Krasniqi ka abuzuar me postin e tij publik duke pranuar ryshfet në këmbim të dhënies së kontratës për lejimin e ndërtimit të parkut industrial në komunën e Drenasit nga kompania Eltoni”.

Krasniqi në vitin 2015 ishte dënuar me 25 muaj burgim pasi u gjet fajtor për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e Parkut të Biznesit në Drenas.

Krasniqi kishte qenë edhe në departamentin e prokurimit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Emri i Krasniqit ishte përmendur edhe në rastin gjyqësor për keqpërdorime në Ministrinë e Telekomunikacionit kur atë e drejtonte Fatmir Limaj. Në aktakuzë dyshohej se Krasniqi dhe Limaj kishin krijuar një grup të organizuar kriminal dhe kishin keqpërdorur autoritetin zyrtar dhe kishin marrë ryshfet duke favorizuar një kompani në procesin e prokurimit. Por, Krasniqi ishte liruar nga akuzat.

 

Artikuj të ngjashëm