Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Krasniqi pezullohet pas sanksionimit nga SHBA-ja

Nexhat Krasniqi, drejtor i Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës, është pezulluar nga detyra, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës e vendosën në listën e sanksioneve, ka mësuar KOHA.

DASH-i njoftoi të premten se Krasniqi është sanksionuar “për shkak të përfshirjes në korrupsion të madh”. Siç ka thënë DASH-i, “Si zyrtar publik përgjegjës për mbikëqyrjen e kontratave të prokurimit, Krasniqi ka abuzuar me postin e tij publik duke pranuar ryshfet në këmbim të dhënies së kontratës për lejimin e ndërtimit të parkut industrial në komunën e Drenasit nga kompania Eltoni”.

Krasniqi në vitin 2015 ishte dënuar me 25 muaj burgim pasi u gjet fajtor për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e Parkut të Biznesit në Drenas.

Krasniqi kishte qenë edhe në departamentin e prokurimit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Emri i Krasniqit ishte përmendur edhe në rastin gjyqësor për keqpërdorime në Ministrinë e Telekomunikacionit kur atë e drejtonte Fatmir Limaj. Në aktakuzë dyshohej se Krasniqi dhe Limaj kishin krijuar një grup të organizuar kriminal dhe kishin keqpërdorur autoritetin zyrtar dhe kishin marrë ryshfet duke favorizuar një kompani në procesin e prokurimit. Por, Krasniqi ishte liruar nga akuzat.

KOHA të premten ka provuar të kontaktojë me Krasniqin, por ai nuk është lajmëruar në telefon. Sapo të ketë përgjigje nga ai, artikulli do të përditësohet.

 

Artikuj të ngjashëm