Komisioni disiplinor ka marrë vendim që ta largojë nga shërbimi civil Nexhat Krasniqin, i cili është përfshirë në listën e zezë të Departamentit amerikan të Shtetit, ka konfirmuar të mërkurën ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu.
Krasniqi ishte dërguar në komisionin disiplinor pasditen e së hënës. Baza kryesore ligjore që është përdorur për rastin e tij është Ligji i ri për zyrtarët publikë.
“Më datën 3 nëntor jemi njoftuar nga Departamenti i Shtetit që z. Krasniqi ka masë. Sot me vendim të Komisionit Disiplinor ai është hequr nga shërbimi civil”, tha Aliu në konferencë për media pas mbledhkjes së Qeverisë. "Është një proces që ka shkuar sipas rregullave. Tash pas kësaj situate, po presim informata nga DASH-i dhe çfarëdo situate që shpie në diçka të dyshimtë, menjëherë do të kërkohet auditim".
UD i Sekretarit të Përgjithshëm të MMPHI-së, Izedin Bytyqi, kishte iniciuar procedurë disiplinore ndaj Nexhat Krasniqit të hënën.
Komisioni Disiplinor e ka vlerësuar kërkesën si të bazuar. Ka përmendur edhe se Krasniqi kishte qenë i dënuar nga gjykata sa ishte zyrtar i prokurimit në Ministri të Tregtisë dhe Industrisë. Ka thënë se çështja duhet trajtuar nga aspekti i përgjegjësisë disiplinore dhe se duhet shqiptuar masë disiplinore. Po ashtu është thënë se janë marrë parasysh raportet speciale mes Kosovës dhe SHBA-së. Është thënë es Krasniqi ka dëmtuar reputacionin e shërbimit civil.
Edhe
Dërgohet në disiplinore zyrtari i sanksionuar nga SHBA-ja
“Duke u bazuar në Ligjin për Zyrtarin Publik nr. 08/L-197 dhe vlerësimit të shkresës iniciuese, Komisioni Disiplinor i MMPHI, erdhi në përfundim se janë shkelur rregullat e shërbimit civil dhe duke u bazuar në nenin 57 të Ligjit për Zyrtarin Publik nr.08/L-197, shqipton masën disiplinore, largim nga shërbimi civil, për z. Nexhat Krasniqi, sepse i njëjti ka dëmtuar reputacionin e shërbimit civil dhe ka bërë sjellje të papërshtatshme”, thuhet në vendim.
VENDIMI
Edhe
Nexhat Krasniqit i revokohet certifikata profesionale e prokurimit publik
SHBA-ja në arsyetimin për vendosjen e Krasniqit në listën e sanksioneve tha se ai ka qenë i përfshirë në korrupsion të madh gjatë kohës sa ka qenë drejtor i Departamentit të Prokurimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. Në vendimin për sanksionim, Departamenti i Shtetit ka thënë se Krasniqi ka abuzuar me postin e tij publik duke marrë ryshfet në këmbim të dhënies së kontratës për lejimin e ndërtimit të Parkut Industrial në Komunën e Drenasit, nga kompania “Eltoni”. Për rastin për të cilin është sanksionuar, Themelorja në Prishtinë e ka dënuar Krasniqin me 26 muaj burgim efektiv, ndërsa pas ankimit në Apel dënimi i është zvogëluar në 18 muaj burgim me kusht, por nuk i është ndaluar ushtrimi i funksionit publik.
Pas sanksionimit, ai u suspendua nga pozita e udhëheqësit të Divizionit të Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës. Megjithatë, më 15 nëntor u kthye përkohësisht në pozitën e drejtorit të Departamentit të Infrastrukturës Rrugore.