Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

SHBA-ja sanksionon drejtorin e prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës, Nexhat Krasniqi

Departamenti amerikan i Shtetit ka vendosur në listën e sanksioneve Nexhat Krasniqin, ish-drejtorin e Departamentit të Prokurimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, aktualisht drejtor i Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës, për shkak të përfshirjes në korrupsion të madh.

Sipas njoftimit, atij do t’i ndalohet hyrja ë SHBA.

“Si zyrtar publik përgjegjës për mbikëqyrjen e kontratave të prokurimit, Krasniqi ka abuzuar me postin e tij publik duke pranuar ryshfet në këmbim të dhënies së kontratës për lejimin e ndërtimit të parkut industrial në komunën e Drenasit nga kompania Eltoni”, u tha në njoftim, shkruan Rel.

Sipas DASH-it, veprimet e sotme të SHBA-së dëshmojnë se Uashingtoni qëndron me ata në Kosovë që kërkojnë përgjegjësi nga zyrtarët e korruptuar publikë.

“Ky vendim riafrimon përkushtimin e SHBA-së për luftimin e korrupsionit që dëmton interesat publike, pengon prosperitetin ekonomik të shteteve dhe zvogëlon aftësitë e qeverive për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive nevojave të shtetasve të tyre”.

Edhe Krasniqi pezullohet pas sanksionimit nga SHBA-ja Arbëri Krasniqi pezullohet pas sanksionimit nga SHBA-ja

Po ashtu, nën sanksione janë vendosur edhe dy fëmijët e Krasniqit, të cilëve po ashtu nuk do t’iu lejohet hyrja në SHBA.

Në vitin 2015, Krasniqi u dënua me 26 muaj burgim pasi u gjet fajtor për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e Parkut të Biznesit në Drenas.

Krasniqi kishte qenë edhe në departamentin e prokurimit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Emri i Krasniqit ishte përmendur edhe në rastin gjyqësor për keqpërdorime në Ministrinë e Telekomunikacionit kur atë e drejtonte Fatmir Limaj. Në aktakuzë dyshohej se Krasniqi dhe Limaj kishin krijuar një grup të organizuar kriminal dhe kishin keqpërdorur autoritetin zyrtar dhe kishin marrë ryshfet duke favorizuar një kompani në procesin e prokurimit. Por, Krasniqi ishte liruar nga akuzat.

Edhe “Baba i tenderëve” e humb betejën për rikthim në Ministrinë e Infrastrukturës Arbëri “Baba i tenderëve” e humb betejën për rikthim në Ministrinë e Infrastrukturës

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, duke shpërndarë në Twitter njoftimin e DASH-it për Krasniqin, ka thënë se kjo rithekson “seriozitetin me të cilin SHBA-ja i trajton çështjet e korrupsionit”.

“Ne do të vazhdojmë t’i përdorim të gjitha mjetet në dispozicion për të promovuar llogaridhënien dhe për të penguar sjelljen e ardhshme kriminale, duke mbështetur institucionet e Kosovës për sundim të ligjit”, ka shkruar Hovenier.