Të gjendur mes turmës së protestuesve serbë, nën gurët që u fluturonin sipër kokave e shok-bombave që u shpërthenin pranë këmbëve, ndjenja e pasigurisë dhe e rrezikut për gazetarët nuk bënte diferencë në etni.
Muaji maj i vitit 2023, nga ekipet e mediave, por edhe më gjerë, konsiderohet më i rrezikshmi për të raportuar. Nga protestat në Leposaviq e Zveçan, të organizuara për të kundërshtuar praninë e kryetarëve në ndërtesat komunale, dhjetëra qytetarë serbë nuk kursyen përdorimin e dhunës.
Situata më e rëndë ishte në Zveçan, ku gjatë përballjes me protestuesit rreth 100 pjesëtarë të KFOR-it u lënduan. Madje njërit prej tyre i është amputuar këmba shkaku i lëndimeve të marra. Lëndime pësuan edhe protestuesit e gazetarët.
Në mesin e shumë gazetarëve që të hënën e 29 majit ua mësynë zonave të tensionuara të veriut të Kosovës ishte edhe Katarina Marinkoviq.
Gazetarja e Media Center në Graçanicë, Marinkoviq, tregon se si u nis me ekipin e saj me drojën e njëjtë që i shoqëronte edhe kolegët e saj shqiptarë. Raportimi nga turmat s’ishte i sigurt as për të.
Mbulimin e zhvillimeve të asaj dite, Katarina Marinkoviq e konsideron më të vështirin e më të rrezikshmin për të dhe ekipin.
Përveç si gazetare në terren, Marinkoviq ka kryer punën edhe të fotografit e kameramanit.
“Në momentin kur ka pasur konflikt në mes të pjesëtarëve të KFOR-it dhe demonstruesve janë dëgjuar shpërthime, për të cilat më vonë kam marrë vesh se kanë qenë shok-bomba, gaz lotsjellës dhe ndoshta ka pasur të shtëna me armë zjarri, nuk jam i sigurt. U tremba, sepse përveç atyre shpërthimeve, fluturonin edhe gur e shishe në të gjitha drejtimet dhe askush nuk u kushtonte vëmendje gazetarëve”, rrëfen Marinkoviq, e cila ka qenë pak metra kur një koleg i saj është lënduar pasi shok-bomba i shpërtheu pranë këmbëve.
“Pak metra larg meje ishte një koleg gazetar, i cili u plagos nga një shok-bombë që i shpërtheu pranë këmbës”, tregon ajo.
Përveç nga institucionet e tjera publike, në veri të Kosovës, në fund të vitit 2022 dorëheqje dhanë edhe kryetarët e katër komunave. E për të plotësuar vakumin institucional dhe detyrimin kushtetues, në këto komuna, në prill të 2023-tës u mbajtën zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat u bojkotuan nga partia kryesore e serbëve, Lista Serbe. Përveç këtij subjekti, ato u bojkotuan edhe nga serbët e subjekteve të tjera. Për rrjedhojë, në katër komunat në veri kryetarë u zgjodhën kandidatët nga partitë shqiptare, me përqindje simbolike të daljes së qytetarëve në votime.
Nisja e punës në objektet komunale të dy prej katër kryetarëve të zgjedhur, atij të Leposaviqit e Zveçanit, dhe shoqërimi deri në zyrat nga Policia e Kosovës, u kundërshtua nga disa prej qytetarëve serbë.
Ndryshe nga Marinkoviqi, që ka raportuar nga Zveçani, gazetarja e Kallxo.com, Adelina Ahmeti, më 29 maj ka raportuar nga Leposaviqi. Ahmeti tregon se si disa prej personave që ishin pjesë e protestave kanë nisur sulme verbale e fizike ndaj gazetarëve, kryesisht duke hedhur në drejtim të tyre gjësende të ndryshme. Me skena të njëjta, ajo thotë se janë përballur për rreth një javë rresht.
“Më 29 maj 2023 disa persona të maskuar na kanë sulmuar derisa po raportonim nga bisedimet që bëheshin nga ish-kryetari i Leposaviqit dhe pjesëtarë të KFOR-it për largimin e kryetarit dhe policëve nga objekti i komunës. Në Leposaviq ka pasur disa ditë nga 29 maji, diku 7-8 ditë, kur kohë pas kohe ndaj nesh ka pas fyerje, sharje, demolim të veturave, si dhe sulme verbale e fizike”, tregon ajo.
Profesionin e gazetares për më shumë se 10 vjet e ushtron Zorica Krstiq-Vorguçiq. Gjatë përvojës së gjatë të saj si gazetare, tani në “Radio Kim”, situatën e fundmajit në komunat me shumicë serbeve, edhe ajo e përshkruan si më të vështirën për të raportuar. Thotë se ajo bashkë me kolegët e tjerë kanë pasur fatin të shpëtojnë pa lëndime, ndonëse ka qëndruar në zonën mes protestuesve dhe forcave të KFOR-it, kur është hedhur gaz lotsjellës.
“Në një moment nuk pashë asgjë, sepse gëlltita gazin lotsjellës. Pasi u tërhoqëm pak jashtë konfliktit, nga diku dolën punonjës shëndetësorë nga qendra shëndetësore lokale dhe na dhanë solucion fiziologjik për të larë sytë. Disa kolegë të tjerë ishin me mua. Kur u ktheva, kuptova se nuk e dija se ku ishte shoku im kameraman. Meqenëse rrjetet (e internetit e të telefonisë mobile) ishin të këqija, për një kohë të gjatë nuk arrita të zbuloja se ku ishte. Isha shumë i shqetësuar për të, sepse herën e fundit që e pashë ishte mes KFOR-it dhe protestuesve”, tregon Krstiq-Vorguçiq.
Përvojat e këqija me pjesëtarët e sigurisë
Nga raportimet prej situatave të tensionuara në veri, përvoja të mira me pjesëtarët e sigurisë nuk ka Ana Cup, gazetare në “Prva”.
“Isha në oborrin e kishës ku mendova se isha i sigurt, me disa kolegë të tjerë, kur gazi lotsjellës fluturoi drejt nesh. Nga policia është shpërndarë gaz lotsjellës. Pas atij aksioni u largova nga oborri i kishës dhe pata një situatë të pakëndshme me një polic që më drejtonte armën. Edhe pse tregova akreditimin, mora përshtypjen se ai nuk ishte i interesuar. Më pas, disa ditë më vonë pata një situatë të pakëndshme me një ushtar nga KFOR-i, i cili çuditërisht u përpoq të më ndërpriste transmetimin e drejtpërdrejtë për televizionin”, tregon ajo.
Eksperiencë të ndryshme me Policinë e Kosovës e KFOR-in ka Fetije Kamberi, gazetare në TV1. Ajo tregon për kujdesin që kanë pasur nga policët, gjatë kohës kur janë përballur me tensione në Leposaviq, por që njëjtë thotë se nuk kanë vepruar pjesëtarët e misionit të NATO-s e BE-së në Kosovë.
“Mirësi të njëjtë nuk ka pasur nga pjesëtarët e KFOR-it dhe EULEX-it, pasi kur jemi sulmuar ata kanë qenë aty. Nuk kanë reaguar, bile ka raste kur nuk jemi lejuar të hyjmë brenda shiritave të sigurisë për të kërkuar ndihmë”, thotë ajo.
Pjesëtarët e institucioneve të sigurisë, vendore apo ndërkombëtare, sipas Adelina Ahmetit të Kallxo.com nuk kanë ofruar siguri për asnjë nga gazetarët në veri të vendit.
“I vetmi vend i sigurt për gazetarët për të qëndruar kohë pas kohe ishte stacioni i policisë në Leposaviq. KFOR-i dhe EULEX-i në asnjë moment nuk kanë ofruar siguri edhe pse nuk e kishin mandat, por edhe në rastet kur regjistroheshin sulme ndaj nesh ata nuk reagonin”.
“Gazetarët serbë kërcënoheshin verbalisht, ata shqiptarë fizikisht”
Gazetaret serbe e shqiptare kanë qëndrime të ndryshme sa i përket trajtimit në situata të tilla e dallimeve në bazë të etnive. Megjithëkëtë, që të pesë gazetaret e intervistuara, flasin për komunikim e bashkëpunim të mirë mes vete.
Por Kamberi thotë se “gazetarët shqiptarë dhe serbë nuk kanë qenë të barabartë në këto raportime të tensioneve në katër komunat veriore”.
“Derisa gazetarët shqiptarë janë përballur me protestuesit me maska, me sharje në gjuhën serbe, me moslejim të xhirimeve të këtyre grupeve, me thyerje të kamerave dhe pajisjeve të tjera informuese, me gjuajtje me gurë/vezë gjatë lidhjeve direkte e paraqitjeve para kamere e deri te thyerja dhe djegia e makinave, kolegët tanë serbë kanë qenë afër tyre, pra nuk kanë qenë në vijën e raportimit ku ne kemi qëndruar, ata kanë qenë në mesin e protestuesve duke raportuar, përveç kolegëve serbë të Zërit të Amerikës, që kanë vendosur të qëndrojnë me gazetarët shqiptarë dhe jo në mesin e turmave të atyre që na sulmonin”, thotë Fetije Kamberi, gazetarja e TV1, ndonëse shton se komunikimi me shumicën prej gazetarëve serbë është i mirë.
Dëshmitare e sulmeve fizike e verbale ndaj ekipeve të mediave në gjuhën shqipe ka qenë edhe Katarina Marinkoviq, krahas atyre serbë.
“Dallimet ishin se ne gazetarët e redaksive serbe herë pas here merrnim kërcënime verbale dhe më provokuese, ndërsa gazetarët shqiptarë shpesh sulmoheshin fizikisht dhe u dëmtoheshin edhe veturat”, thotë ajo. “Ata janë goditur me vezë dhe janë kërcënuar verbalisht se do të largohen nga vendi ku ishin mbledhur protestuesit në qendër të Leposaviqit. Isha dëshmitare edhe e incidentit kur dy makina të mediave shqiptare u qëlluan me gurë në qendër të Leposaviqit”.
Por Ana Cup mendon se pavarësisht kombësisë, në situatat e tensionuara, gazetarët duhet të jenë të përgatitur se mund të përballen me incidente të caktuara. E di që disa kolegë që raportojnë në gjuhën shqipe kanë pasur problem derisa kanë raportuar në veri, por njoh shumë që nuk kanë pasur asnjë. Në situata të tilla, pavarësisht nga kombësisë, duhet të jemi të përgatitur që një incident i caktuar mund t'i ndodhë kujtdo”, thotë ajo.
Qëndrim të ngjashëm me Cup ndan edhe Zorica Krstiq-Vorguçiq. Ajo thotë se nuk ka shumë ndryshim në trajtimin që iu bëhet gazetarëve, ndonëse pranon se mediat shqiptare kanë pasur më shumë telashe.
“Ishte më e pasigurt për ta. Janë regjistruar disa raste të sulmeve ndaj kolegëve tanë nga Prishtina, makinat dhe pajisjet e tyre janë shkatërruar. Gazetarët serbë nuk kanë përjetuar shqetësime të tilla, por kanë përjetuar - fyerje, shtytje, kërcënime”, ka thënë ajo.
Sjellja e qytetarëve të komunave me shumicë serbe ajo thotë se lidhet me disponimin që ata e kanë ndaj shumicës së gazetarëve.
“Nuk u pëlqen të bëjnë deklarata, ndoshta nga frika se çfarë mund të thonë. Janë mosbesues ndaj mediave, pavarësisht komunitetit të cilit i takojnë. Nga ana tjetër, ata nuk e kuptojnë se ne thjesht po bëjmë punën tonë”, thotë ajo.
E, Adelina Ahmeti, gazetare e Kallxo.com, thotë se kolegët e tyre serbë përparësi kanë gjuhën, që ua lehtëson komunikimin në atë zonë.
“Raportojmë nga zona e njëjtë, por gazetarët serbë për shkak edhe të komunikimit arrijnë që të kenë hapësirë më të madhe në mbulimin e ngjarjeve me qytetarë në bashkëbisedim, për dallim nga ne, përndryshe ngjashmëria është vetëm vendi qoftë Leposaviq apo Zveçan”.
Kërkohet më shumë siguri gjatë raportimeve
Pesë gazetaret e intervistuara - tri serbe e dy shqiptare, bëjnë thirrje për ofrim të sigurisë për gazetarët kur përballen me situata të tensionuara, siç ishin ato të vitit të shkuar.
Mungesa e pajisjeve adekuate për të raportuar nga ngjarjet e dhunshme, e përkrahjes nga institucionet e sigurisë, janë të tjera vërejtje që gazetaret shqiptare e serbe kanë. Të rëndësishme i konsiderojnë edhe trajnimet për raportim nga situatat e tensionuara.
“Të na mundësojnë që ta kryejmë punën tonë pa pengesë dhe që institucionet të mos na krijojnë vështirësi shtesë”, është kërkesa e gazetares Ana Cup.
Zorica Krstiq-Vorguciq nga RadioKim ka treguar përvojën e vizitës në Stokholm, ku është informuar për sigurinë që u ofrohet gazetarëve nga policia.
“Jemi shumë larg një situate të tillë”, thotë ajo. “Detyra jonë është t'i shërbejmë publikut..., dhe këtë duhet ta kuptojnë dhe ta pranojnë. Sepse në fund të fundit janë të gjithë të zëvendësueshëm, ndërsa gazetarët qëndrojnë dhe bëjnë punën e tyre”.
Por krahas ofrimit të sigurisë e thirrjes që duhet të bëhet për të mos sulmuar gazetarët gjatë kryerjes së detyrave të tyre, Katarina Marinkoviq, nga Media Center ka kritika politikat ndëshkimore.
“Politika penale ndaj atyre që sulmojnë gazetarët duhet të jetë më e rreptë dhe jo që sulmuesit të gjobiten apo të caktohen disa dënime me burgim me kusht për sulm fizik ndaj gazetarëve”, thotë ajo.
Krahas pajisjes me mjetet e nevojshme për raportim, Adelina Ahmeti nga Kallxo.com thotë se është e rëndësishme që trajnimet që zhvillohen të bëhen në mënyrë praktike e jo vetëm teorike.
“Trajnime në terren, në ndonjë ushtrim të policisë për kohë trazirash në mënyrë që ta kemi të detajuar ne planin se ku mund të qëndrojmë, si të raportojmë, sa mund t’i pengojmë punën policisë apo institucioneve të tjera apo se sa ata mund të pengojnë punën tonë nëse nuk renditemi në vendin e duhur për raportim”, thotë ajo.
Sipas Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës nga janari deri në dhjetor të vitit të shkuar janë shënuar 74 raste të kërcënimeve e sulmeve të raportuara ndaj gazetarëve dhe mediave. Prej tyre, 30 janë shënuar gjatë raportimit në pjesën veriore të vendit, teksa pjesa tjetër e rasteve është raportuar nga terrene e aktivitete të tjera.
Nga këto sulme, 46 janë bërë ndaj gazetarëve në grup, 17 ndaj gazetarëve burra e 11 ndaj atyre gra.
Krahas këtij artikulli, gazetarja e Cenzolovkës dhe Fondacionit Slavko Curuvija, Danica Gjokiq ka shkruar për sfidat e gazetarëve gra që raportojnë për Kosovën në mediat ndërkombëtare.