Mbrëmë zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, shtroi një darkë në rezidencën e tij në Hajvali, të cilën e quajtën të ambientit socialist.
Në këtë darkë të pranishëm ishin disa ministra, kryeministri Ramush Haradinaj, presidenti Hashim Thaçi dhe kryekuvendari Kadri Veseli, por mungonte Fatmir Limaj me disa nga ministrat e tij nga Nisma Socialdemokrate.
E vetme në këtë takim nga gjinia e kundërt ishte Albena Reshitaj, Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Aktivistja e të Drejtave të Grave, Sibel Halimi, thotë se përpjekjet e shumta për përmirësimin e përfshirjes së grave në jetën politike, në vend se të shënojnë avancim, janë në prapakthim.
“Zbatimi i mekanizmit afirmativ është një ndihmesë e vogël për përfaqësimin e grave, teksa mentaliteti i odës le që nuk po tejkalohet, por po rikthehet nën petkun modern”, ka shkruar ajo.
Halimi thotë se fotoja e darkës qeveritare -në të cilën një mori burrash mezi kanë arritur t`i bëjnë vend një gruaje, përfaqëson më së miri mendësinë aktuale qeverisëse, sipas së cilës ‘çështjet madhore’, janë përgjegjësi e burrave.
“Pamja si kjo është fyerje dhe rritë shkallën e indinjatës për anashkalimin që i bëhet grave çdo ditë në jetën publike. Jam kureshtare ta di, si mund të jetë ndier ministrja e ambientit, e vetmja grua në një tavolinë të rrethuar nga burrat!”, ka shkruar tutje Halimi.
LEXO EDHE: Nga Hajvalia vijnë lajme për dakordim rreth demarkacionit