22:46 Burime brenda takimit të sotëm të krerëve të shtetit flasin për pajtim në mes të palëve për votimin e demarkacionit me Malin e Zi.
“Ka pajtim për ta votuar demarkacionin”, i ka thënë në kushte anonimiteti portalit Koha.net një burim brenda villës së Pacollit në Hajvali.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNga ana tjetër, KTV-ja ka mësuar nga burime të afërta me zhvillimet se megjithatë kjo është bërë me kushtin që të ketë një shtojcë në pakon e demarkacionit ku do të thuhet se 'në rast se ka mospajtime mes palëve gjatë shënjimit të vijës kufitare, ajo mund të rishikohet'.
Brenda koalicionit qeverisës, katër partitë shqiptare kanë qëndrime thuajse të ndryshme rreth demarkacionit. PDK-ja ka thënë se e voton, Nisma kishte thënë se po angazhohet për të gjetur një zgjidhje kreative, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kryeministrit Ramush Haradinaj ka qenë e barrikaduar në qëndrimin kundër, derisa AKR-ja e Behgjet Pacollit së fundi tha se Qeverisë i humb kuptimi nëse nuk arrin të gjejë zgjidhje për demarkacionin.
Në koalicion qeverisës është edhe Lista Serbe, e cila deri sot nuk ka shfaqur qëndrim të qartë për demarkacionin. Igor Simiq ka thënë sot se kjo çështje nuk është në prioritetet e kësaj partie. Në darkën te Pacolli, sonte ka qenë edhe ministri Nenad Rikallo.
Burimi, i ka thënë portalit Koha.net se pos dakordimit të palëve në Qeveri, “në ditët në vazhdim do të bisedohet edhe me partitë opozitare rreth kësaj çështje”.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se do ta votonte demarkacionin në versionin e parë, meqë garanton se nuk është humbur territor. Por ka thënë se nëse kjo qeveri e nënshkruan të njëjtin version, LDK-ja do të kërkojë përgjegjësi nga ata që tash janë në qeveri e që e kundërshtonin dhunshëm demarkacionin.
Lëvizja Vetëvendosje mbetet e barrikaduar në qëndrimin e saj kundër mënyrës se si Kosova e ka shënjuar vijën kufitare me Malin e Zi.
Marrëveshjen e demarkacionit Kosovë – Mali i Zi e kishin nënshkruar në Vjenë, në gusht të vitit 2015, Hashim Thaçi në cilësinë e ministrit të Jashtëm dhe Skender Hyseni në cilësinë e ministrit të Brendshëm. Ky i pari tash është president i vendit, dhe bën vazhdimisht thirrje që të votohet demarkacioni. Thaçi ishte po ashtu sonte te villa e Pacollit.
Hoxhaj mohon të jetë diskutuar për demarkacionin në takim
Koha.net ka kontaktuar edhe me zëvendëskryeministrin e Kosovës Enver Hoxhaj, i cili po ashtu mori pjesë në këtë darkë të thirrur nga Behgjet Pacolli, por që ka mohuar se në takim janë diskutuar çështje si demarkacioni apo tema tjera për vendin.
“Kjo është darka e dytë që e bën kabineti qeveritar. Këtë herë tek Z.Pacolli. Ne do të kemi edhe darka tjera të tilla në të ardhmen”, tha Hoxhaj për Koha.net.
I pyetur se nëse është diskutuar për demarkacionin, ai këtë e ka mohuar.
“Absolut jo. Asgjë nuk është diskutuar pasi ka qenë një darkë e ambientit social”, shtoi ai.
Nisma tregon pse nuk po merr pjesë në darkën te Pacolli
22:00 Zyrtarë të Nismës për Kosovën kanë thënë për KTV-në se kanë qenë të ftuar në darkë por kanë vendosur të mos marrin pjesë.
“Nuk na është duk e rëndësishme të jemi në kësi lloj takime”, ka thënë një zyrtar i partisë së Limajt, në kushte anonimiteti.
Megjithatë në takim po merr pjesë edhe ministri i MPMS, Skender Reçica.
Në shtëpinë e Pacollit është Thaçi, por jo Limaj me ministrat e tij
21:45 Në takimin që po mbahet në shtëpinë e Behgjet Pacollit në Hajvali, po merr pjesë edhe i pari i vendit Hashim Thaçi.
E në darkën e shtruar nga kreu i AKR-së e numri dy i Qeverisë, nuk po marrin pjesë Fatmir Limaj dhe disa nga ministrat nga Nisma Socialdemkrate.
Darkën te Pacolli këshilltari i kryeministrit e quan “pa rend dite”
Kabineti qeveritar sonte është ftuar në darkë nga zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli në rezidencën e tij.
Në këtë darkë mësohet se po marrin pjesë të gjithë ministrat, përfshirë edhe kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Avni Arifi, tha për Koha.net se kjo ftesë është pa rend dite.
“Është darka e dytë informale pa protokol dhe pa kravatë që e mban kabineti qeveritar. Këtë herë e ftuar nga Behgjet Pacolli. Nuk e di që aty është edhe Kadri Veseli, por e di që janë të gjithë ministrat”, tha Arifi për Koha.net.
Kujtojmë se nesër vendi pritet t’i gjejë zgjidhje demarkacionit.
Nesër mblidhet Kryesia e Kuvendit të Kosovës ku në rend dite ka shqyrtimin e Marrëveshjes së Demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.
Partia Demokratike e Kosovës, si partia më e madhe në koalicion, ka thënë se do ta votojë demarkacionin, përderisa Nisma Socialdemokrate po provon të gjejë një zgjidhje. Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se do ta votojë, edhe pse për koalicionin aktual kanë paralajmëruar se nuk do ta lënë ta kalojë lehtë me miratimin e versionit të cilin e kanë kundërshtuar tash e 3 vjet.
Nga ana tjetër, Behgjet Pacolli nga AKR-ja ka kërcënuar se do ta braktisë koalicionin nëse nuk i gjendet zgjidhje demarkacionit.
Përderisa Vetëvendosja nuk lëkundet me qëndrimin që ka kundër demarkacionit.