Arbëri

Tahiri: Serbia s’ka nevojë të angazhohet për përjashtim të Kosovës, këtë po e bën Kurti

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, në deklarimin pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, për mosparaqitje në samitin BE-Ballkani Perëndimor që është mbajtur të enjten në Tiranë.

“Shpreh zhgënjimin për mospjesëmarrjen e Qeverisë së Kosovës, rrjedhimisht kryeministrit, në samitin që u organizua në Tiranë nga Bashkimi Evropian dhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Vetëpërjashtimi i Kosovës nga një organizim i tillë është i dëmshëm për agjendën tonë evropiane”, ka theksuar Tahiri.

“Republika e Serbisë për 16 vjet e ka luftuar dhe kundërshtuar prezencën e Kosovës si shtet i barabartë me të gjitha shtetet e rajonit në mekanizmat ndërkombëtarë, qofshin ato në rajon apo më gjerë dhe në anën tjerë ne vijmë në një ditë ku vetë kryeministri i Kosovës e vetëpërjashton veten nga pjesëmarrja në këto forume. Pra sot Serbia nuk ka nevojë që të angazhohet që Kosova të mos jetë e barabartë me shtetet e rajonit, sepse është vetë kryeministri i cili e përjashton Kosovën nga këta mekanizma”, është shprehur Tahiri.

Para nisjes së Samitit, të enjten nga zyra e Kurtit kanë thënë se ai do t’u adresohet pjesëmarrësve vetëm përmes një videolidhje.

“Për shkak të angazhimeve të mëparshme, kryeministri Kurti nuk do jetë i pranishëm fizikisht në samitin e sotëm në Tiranë. Megjithatë kryeministri Kurti do të jetë pjesë e samitit virtualisht përmes një video-adresimi”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.