Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Tahiri: Kurti të dalë me sqarim për kërkesat e pesëshes evropiane dhe amerikane

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se kryeministri Albin Kurti duhet ta bëjë një sqarim për qytetarët dhe klasën politike në lidhje me kërkesat e ndërkombëtarëve që i ka marrë të shtunën.

Në konferencën për media të mbajtur pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Tahiri ka thënë se Qeveria duhet të ketë ofensivë diplomatike sa i përket sulmit të ndodhur në veri një muaj më parë.

“Kryeministri ia ka pasur për borxh të gjithë qytetarëve të vendit por edhe klasës politike që ta mbajë një konferencë shtypi dhe ta bëjë një sqarim pas takimit për kërkesat e tyre dhe qëndrimin e tij. Nuk e di që kemi një qëndrim të qartë të kryeministrit sa i përket kërkesave të tyre. I bëjmë thirrje kryeministrit të vendit që të ketë një koordinim sa më të ngushtë me aleatët tanë në veçanti me SHBA-në. Për një muaj asnjë veprim nuk ka ndodhur nga ana jonë për të bindur dhe për të treguar realitetin se çfarë ka ndodhur. Kemi nevojë ta shohim Qeverinë tonë si një ofensivë diplomatike për një muaj dhe për ta treguar fytyrën e vërtetë të Vuçiqit. Nuk e di prej kujt po frikësohen”, ka thënë ai.

Tahiri më tej ka akuzuar Qeverinë për keqpërdorim të qasjes në fonde.

“Është interes nacional që sa më pak t’i japim mundësi kësaj Qeverie të ketë qasje në fonde. Edhe nuk dinë, edhe i keqpërdorin. Nuk mund t’i kontribuojmë degradimit me vetëdije”, ka thënë ai.

Shefi i GP të PDK-së ka folur edhe për presidenten Vjosa Osmani, për të cilën ka thënë se po mban anë politike të cilën e drejton Kurti.

Edhe Opozita sërish insiston në zgjedhje të jashtëzakonshme Arbëri Opozita sërish insiston në zgjedhje të jashtëzakonshme

“Presidentja mban një anë politike që e drejton kryeministri Albin Kurti. Nuk do të doja të isha një president jounifikues, mirëpo presidentja po na kërkon betejë politike, por ne do t’i japim betejë kushtetuese. Kur kërkon betejë politike me një grup parlamentar apo me një deputet, nuk përfaqëson më unitetin e popullit. Ajo do të ketë betejë me ne në Kushtetuese dhe jemi të bindur se këtë betejë ajo e ka të humbur. Në dy raste ka shkaktuar shkelje serioze të kushtetutës që e çojnë në shtëpi”, është shprehur ai.

Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se integrimi evropian i Kosovës s’mund të ndalet nga askush, pasi është zotim kombëtar, shtetëror e institucional.

“Integrimin evropian të Kosovës nuk mund ta ndalë as Lajçaku, e asnjë institucion tjetër pasi ky është zotim kombëtar, shtetëror dhe institucional. Kosova duhet të bashkërendojë politikën e saj strategjike me akterët ndërkombëtarë, obligimet që i ka marrë duhet t’i realizojë pa e dëmtuar sovranitetin dhe interesin e vendit. Bashkërendimi i Kosovës me SHBA-në dhe faktorin ndërkombëtar është jetik për ne. Nuk guxon që kjo Qeveri dhe ky kryeministër ta kthejë Kosovën prapa”, është shprehur ai.