Arbëri

Krasniqi kritikon Kurtin për mospjesëmarrje në Samitin në Tiranë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për mospjesëmarrje në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, i cili është mbajtur të enjten në Tiranë.

Sipas tij ky Samit është ndër më të rëndësishmit për shtetin e Kosovës.

“Kryeministër, ku je? Sot, në Tiranë po zhvillohet Samiti i përbashkët i Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor me fokus në planin e rritjes - iniciativës për investime konkrete të BE-së në shtetet e rajonit tonë. Vlera e ndarë nga BE-ja për këtë plan për periudhën 2024-2027 është 6 miliardë euro, e ku mundësia që Kosova të përfitojë qindra-miliona euro investime, është tashmë e konfirmuar”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Mospjesëmarrjen e Kurtit në Samit ai e ka quajtur papërgjegjësi dhe ikje nga obligimet.

“Dhe pikërisht në këtë Samit, ndër më të rëndësishmit për shtetin tonë, kryeministri i Kosovës ka vendosur që të mos marrë pjesë. Në vend të tij, ai ka zgjedhur që javën ta kalojë në Irlandë të Veriut, duke mbajtur ligjërata boshe e pa ndikim nëpër shkolla. Kjo papërgjegjësi dhe ikje nga obligimet e tij parësore si Kryeministër është e pabesueshme. Sot, Kryeministri i Kosovës vendin e ka pasur në Tiranë, në mesin e liderëve të tjerë të Ballkanit Perëndimor e të Bashkimit Evropian”, ka shkruar Krasniqi.

Sipas tij me këtë qasje të Kurtit, Kosova nuk do të përfitojë investime të reja.

“Një gjë është e qartë: me këtë qasje të Kryeministrit Kurti, Kosova jo që nuk do të përfitojë investime të reja, mirëpo as sanksionet aktuale të vendosura nga BE ndaj shtetit tonë, nuk do të hiqen. Një kryeministër idhnak, i papërgjegjshëm e që vuan nga kompleksi i inferioritetit, fatkeqësisht për Kosovën, nuk do të arrijë të thellojë as raportet mbarë-shqiptare, e lëre më ato rajonale dhe evropiane”, ka shkruar Krasniqi.

Para nisjes së Samitit nga zyra e Kurtit kanë thënë se ai do t’u adresohet pjesëmarrësve vetëm përmes një videolidhje.

“Për shkak të angazhimeve të mëparshme, kryeministri Kurti nuk do jetë i pranishëm fizikisht në samitin e sotëm në Tiranë. Megjithatë kryeministri Kurti do të jetë pjesë e samitit virtualisht përmes një video-adresimi”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.